Panorama, 14 Dhjetor 2011
AZEM HAJDARI, SALI BERISHA DHE GRAMOZ PASHKO NE DHJETOR 1990
Bislim Ahmetaj mbledh dëshmitarët e rënies së komunizmit. “Ky libër, i pari me rrëfime origjinale që mbush boshllëqet e krijuara në histori” Për herë të parë, dhjetëra dëshmitarë janë bërë bashkë për të rrëfyer grahmat e fundit të komunizmit në Shqipëri dhe nisjen e një epoke të re, pluralizmin politik. Duket se nuk ka qenë e lehtë, pasi për të grupuar protagonistët e dhjetorit ’90, u deshën plot dy dekada. Por prej pak ditësh, ata gjenden në librin me titull “Dhjetor ‘90″, ku tregojnë sipas fjalisë së thjeshtë “…Mbaj mend”. Një vepër e rrallë, me 50 autorë, por që bashkimin e rrëfimeve ia kanë “besuar” njërit prej tyre, Bislim Ahmetajt. Që nga Aleksandër Meksi, Besnik Mustafaj, Edmond Tupja, Fatos Kongoli, Eduard Zaloshnja, Kujtim Çashku, Gazmend Oketa, Shaban Memia, Tritan Shehu, Arben Demeti etj. kanë hedhur në letër kujtime dhe refleksione nga ato ngjarje; dikush në mënyrë paksa letrare e dikush tjetër vetëm kronoligjikisht.
E rëndësishme është e vërteta nga koha dhe terreni që sjellin ata, pa u manipuluar. “Me botimin e këtij libri, nuk do të mund të thuhet më se “për dhjetorin e ’90-s është shkruar pak dhe në mënyrë sipërfaqësore”. Faqet e tij e mbushin boshllëkun e krijuar, karakterin fragmentar të dëshmive të dhëna aty-këtu në faqet e periodikut apo ekranet e kaltra”, thotë Bislim Ahmetaj për gazetën “Panorama”, shkrimtari dhe dëshmitari që bëri të mundur mbledhjen e 49 bashkëkohësve të tjerë.
Bislim Ahmetaj, kryetar i Grupimit “Dhjetor ‘90”
Si kryetar i grupimit “Dhjetor ‘90″, ky libër duket se i shërben atij si protagonist, por edhe idealeve politike që përfaqëson. Nëpër 400 faqet dokumentohen qindra emra realë që kontribuuan për rrëzimin e komunizmit, por paralelisht evidentohen mashtruesit, heronjtë e rremë, ata që përvetësuan këtë kontribut me vetëdeklarime. “Ideja për t’i shkruar kujtimet e mia për Lëvizjen Studentore, nuk më është dukur asnjëherë e largët. Pas kaq vitesh, përpjekjet për ta revizionuar historinë, për t’i paraqitur shpesh protagonistët si figura të dorës së dytë, apo edhe më keq, kur sheh vetë dhunuesit e lirisë duke u shitur si sjellës të saj, atëherë shkrimi i kujtimeve nuk është më një akt personal, por një përgjegjësi qytetare.
U jam shumë mirënjohës autorëve të këtij libri edhe nga një pikëpamje tjetër: iu përmbajtën angazhimit për të sjellë kujtime e refleksione dhe jo komente denigruese, shprehje të inateve e mërive të mëvonshme, apo të mëhershme politike. Ftesa për të marrë pjesë në këtë libër u është dërguar pa përjashtim dhe pa dallim të gjithë pjesëmarrësve të Lëvizjes studentore, pa asnjë paragjykim lidhur me përkatësinë politike të njërit, apo tjetrit”, shprehet Ahmetaj. Më poshtë, ne kemi përzgjedhur disa prej kujtimeve të tij prej protagonisti në librin që vjen nën stampën e shtëpisë botuese “Mileniumi i ri”. Duke qenë se ngjarjet kryesore të dhjetorit ’90 përgjithësisht janë të njohura, ne veçuam katër episode. Sa njerëzorë, aq edhe dëshmues.
Nga sjelljet e njerëzve pas arratisjes së Ismail Kadaresë, tensionet e pedagogëve nëpër universitete, anëtarësimet e para, e deri te krijimi i arkës së Partisë Demokratike. Gjithsej, 17.500 lekë, të mbledhura kryesisht nga dhurimet në monedha të studentëve! Arratisja e Kadaresë Linja Tiranë-ILB (Instituti i Lartë Bujqësor) ishte gjithnjë e tejmbushur, sidomos në oraret e mëngjesit, kur studentë, pedagogë dhe personel, shtypeshin nëpër autobusët fizarmonikë si të ishin thasë të mbushur me byj. Ajo linjë ishte më e persekutuara ndër linjat urbane të Tiranës. Kur zbrisnim, na dukej sikur kishim ardhur nga Tropoja apo Tepelena dhe jo nga Tirana, që ishte afërsisht 6 km. Duhet të ketë qenë data 27 dhjetor.
Tirana ziente nga deklarimet e një nate apo dy më parë të arratisjes së shkrimtarit Ismail Kadare. E njëjta klimë ishte dhe në autobusin ku isha unë. Kur u sistemova pak më mirë dhe po mundohesha të mbahesha diku, sytë e mi u ndeshën me sytë e motrës së Kadaresë. Kadria, një grua e pakët sa një grusht, punonte redaktore në Shtëpinë e Propagandës Bujqësore në ILB. Vendi rreth e rrotull saj ishte i lirë, sikur ajo të ishte “e prekur”. Ia kishin kthyer shpinën të gjithë. Ajo, pas atij vështrimi të ngrohtë e miqësor që mori prej meje, sërish i zhyti sytë në fletët e grisura të fizarmonikës së autobusit. Iu afrova, ia vura dorën në sup dhe i thashë: “Mos u bëj merak nga kjo mënyrë sjelljeje e kolegëve, se ti prapë se prapë je motra e shkrimtarit të madh. Do të kalojë shpejt kjo gjendje!”. Sytë e saj u mbushën me dritë. Një diell vezullues ia mbështolli krejt fytyrën. Unë e kisha provuar në kurrizin tim këtë mënyrë të sjelli poshtëruese më shumë për ata që e praktikonin, sesa për ata që e pësonin. Ajo ma shtrëngoi dorën fort, duke më përcjellë ngrohtësi dhe mirësi.
Një gjest i vogël solidariteti nga ana ime, por që na ka bërë miq që atëherë. Se çfarë mendonin të tjerët, nuk më interesonte. Katër detaje dhe katër personazhenë ILB I pari me pedagogen e filozofisë, znj. Zana Bufi, e shoqja e ish-kryeministrit Ylli Bufi. Plenumet e “liberalizimit” apo të shthurjes së socializmit krijues të Ramiz Alisë kishin shpikur mendimin ndryshe. Apo si të thuash, shfaqjen e mendimit të lirë, pa pasoja. Seminaret e orëve të filozofisë ishin liberalizuar në një farë mase dhe në njërën prej tyre, unë po i përgjigjesha një pyetjeje kreative të znj. Bufi: “Cila filozofi është më e përshtatshme për popullin tonë?”. Kjo ishte pak a shumë pyetja, ndërsa përgjigjja ime ishte e atillë: “Ne, teorikisht jemi marksistë-leninistë, realisht jemi ekzistencialistë, pasi po jetojmë në kushtet e mbijetesës ekonomike.
Ndërsa sipas mendimit tim, duhet të jemi pragmatistë, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha burimet e mundshme për të pasur një mirëqenie më të lartë”. Edhe pse pjesës teorike në libër i isha përgjigjur relativisht mirë, përgjigjja ime u ndëshkua me notën katër. Një tjetër episod ka të bëjë me pedagogun Stefan Koçollari, të birin e Sotir Koçollarit, që në atë kohë ishte kryetar i Bashkimeve Profesionale. Profesor Stefi na jepte lëndën e Socializmit, por ishte natyrë njerëzore dhe liberale. Thërriste shpesh dikë nga ne dhe i thoshte që ta bënim mësimin te Korpusi, se “nuk e merr kush vesh që nuk e kemi zhvilluar orën e mësimit”. Ka ndodhur të ma thotë edhe mua që “socializmi ka dështuar si filozofi, por meqë është në program mësimor dhe duhet ta bëjmë, le të bëjmë sikur e bëjmë”. Ka qenë pranvera e vitit 1990.
Në fund, na mblodhi në klasë dhe na pyeti se çfarë notash dëshironim që të na vinte. Lekët e para në arkën e PD-së Partia ishte themeluar, selia e saj ishte ende te godina nr.15. Partisë sonë i mungonte gjithçka, përveç idealizmit shpresës, vullnetarizmit dhe dëshirës pa kufi për të bërë gjithçka legale, që ditët në pushtet të Partisë së Punës të merrnin fund. PPSH-ja edhe pse qeveriste, e kishte humbur plotësisht pushtetin moral. Ne ishim të parët, ne respektoheshim dhe shiheshim me adhurim dhe admirim pa kufi nga qytetarët, njerëzit e thjeshtë, por edhe nga pedagogët dhe shefat e fakultetit. Edhe më konservatorët ishin strukur dhe shndërruar në lëtyra servile. Partia Demokratike kishte nevojë për gjithçka, por më së shumti për mjetet financiare.
Ishte ditë rrogash në Institutin e Lartë Bujqësor dhe së bashku me Evis Havarin, me një fletore me katrorë, kishim zënë pritë ngjitur me zyrën e llogarisë, ku pedagogët dhe stafi ndihmës i Fakultetit të Veterinarisë merrte rrogat. Listës i printe emri i Evis Havarit, pastaj vinte emri im. Ne të dy kishim vënë nga 250 lekë, deri në orën 12:00. Fletorja jonë shënonte 76 emra dhe shuma e mbledhur ishte 17.500 lekë. U ngjitëm në Qytetin Studenti, në qytetin tonë të shenjtë. Merita Zaloshnja ishte financiere, llogaritarja, arkëtarja dhe gjithçka që lidhej me financat e Partisë Demokratike. I kemi dorëzuar paratë. Ajo shumë prej 17.500 lekësh hapi arkën e Partisë Demokratike! Morëm edhe një mandat pagese, të cilën ia besova Evisit. Për fat të keq, nuk e pashë më as fletoren dhe as mandatin. Koha, pakujdesia…! Radha për të dhënë donacione po shtohej.
Ata ishin tre… Në librin e Bislim Ahmetajt me titull “Dhjetor ‘90″ bien në sy edhe tre emra, si dëshmitarë të asaj kohe, Azem Hajdari, Arben Broci dhe Avdyl Matoshi. Teksa i lexon në kopertinë, duket e çuditshme pjesëmarrja e tyre në një libër me kujtime dhe refleksione, pasi siç dihet, kanë ndërruar jetë. E megjithatë, ata janë përfshirë në libër, në mënyrë shumë origjinale. Me nga një foto dhe citat, të thënë prej tyre. Janë të parët në faqet e këtij libri, siç qe edhe roli i tyre në ato ngjarje historike.
Nuk më hiqet kurrë nga mendja një çift i moshuar. Përmes emocionesh shumë të bukura dhe të thella dhanë 500 lekë. Qenë prindërit e Dorian Nepravishtës, i cili shkruante për gazetën “Studenti”. Regjistrimi i anëtarësisë në fletore 4-lekëshe Ilir Dema, pedagog informatike, jepte mësim te Fakulteti i Shkencave dhe i Veterinarisë. Në të njëjtën kohë ishte dhe informaticien i ndërmarrjes bujqësore “17 Nëntori”. Kompjuterët në atë kohë ishin të rrallë. Që Gramoz Pashko kishte një kompjuter dhe që me atë ishte shkruar dhe shtypur programi minimal i Partisë Demokratike, e kishte marrë vesh gjithë Tirana. Por edhe NB “17 Nëntori” kishte një kompjuter të fuqishëm dhe po të tillë e kishte dhe printerin. Përgjatë gjithë natës kemi printuar programe të PD-së, plot 300 copë, me nga 4 faqe.
I printonim, i lidhnim. Të nesërmen në mëngjes kemi shkuar te selia e PD-së, e vendosur në rrugën “Fortuzi”, në një vilë. Në hollin e madh të katit të parë gjetëm Arben Imamin. I lamë programet dhe shkuam për të krijuar seksionin e PD-së te “serrat”, aty ku sot është mbikalimi i madh në hyrje të Tiranës. Iliri më prezantoi me një udhëheqës të madh të partisë. Shumëkush në ato ditë të para është pajisur me një dokument nga Azem Hajdari, që autorizonte propagandimin e programit dhe krijimin e PD-së. Unë kisha privilegjin të isha i pajisur me këtë autorizim. Na prisnin të paktën 100 punëtorë. Për fat të keq, kohët rrodhën rrëmujshëm dhe gati asnjëherë nuk na u dha rasti të ritakoheshim me ata njerëz. Ata më pyesnin, unë jepja përgjigje. Sa shumë është sofistikuar dhe sa shumë i është larguar qytetarit politika e sotshme!
Atëherë hynim në debate, flisnim me pasion, mbronim programin tonë. Në fund të fundit, u thoshim njerëzve që edhe ne nuk dinim ende shumë gjëra, që koha do të na i mësonte në rrugën tonë të përbashkët. Por për një gjë ne i garantonim: se kurrë nuk do t’i persekutonim , të dënonim njerëzit për arsye politike, apo që nuk do t’i linim njerëzit të lirë që të gjenin atë që ishte më e arsyeshme dhe më e favorshme që ata të bënin jetën e tyre. T’u thoshe njerëzve në atë kohë që të dielave nuk do të kishte më aksione, por do të pushonin në shtëpi me familjen, dukej e pabesueshme. Nejse, u dhashë përgjigje sa munda atyre pak pyetjeve që m’u bënë për programin minimal të PD-së që prezantuam. Ende nuk kishte dokumente partie, ndaj regjistrimin e anëtarëve e bëmë në një fletore 4-lekëshe, me katrorë.
Nga të paktën 100 pjesëmarrës, në atë takim u regjistruan si anëtarë të PD-së 35 veta. Duke u larguar, dëgjuam një punëtor që po tallej me një shokun e vet: “Ti pa ikur akoma nga partia e vjetër, u rrase në të renë…!”. Fenomen që ndodhte shpesh në atë kohë. Në darkë, listën ia dorëzova Azem Hajdarit në zyrën e tij, në katin e dytë të selisë në rrugën “Fortuzi”. Më pas, nga këto lista kemi dorëzuar përditë. Si njeri i aksionit politik në terren, unë nuk merrja vesh se çfarë bëhej me to, ku përfundonin, ai i regjistronte njeri, ai i ruanin diku apo jo. Mbledhja e parë te “serrat” më ka mbetur në mendje si një ngjarje që më mbush plot emocione dhe nostalgji për atë dhjetor të ngrohtë, të cilit i dhuruam gjithë forcën, dijen dhe energjinë tonë. Ai ua ktheu me bujari shqiptarëve: na shndërroi në njerëz të lirë!