SI GJUETAR DERRASH TË EGËR

1
30

Kim Mehmeti

Kim Mehmeti

Religjionet janë si fole të ngrohta ku çel e rritet besimi i shumë njerëzve për atë që janë, atë që bëjnë dhe atë që dëshirojnë të arrijnë. Duke qenë nga shtyllat më të forta që gjatë shekujve kanë mbajtur në këmbë njeriun dhe njerëzimin, religjionet janë edhe strehimore, ku njeriu gjen prehje sa herë që ndien se barra e kësaj jete bëhet e papërballueshme për të, apo atëherë kur i nevojitet të përmbahet e të mos joshet nga veset e këqija të kësaj bote.

Religjionet janë njëfarë ndërmendje e asaj se kush je, janë si shenjë që tregon drejtimin e udhëtimit, shenjë që të shfaqet atëherë kur harron sa nga je nisur e ku duhet të arrish. Andaj, duke qenë fetë rrëfyes të rrugëve që të çojnë drejt botës tjetër, e rendet politike shoqërore tregues nga duhet ecur që t’i shijosh lumturitë e kësaj jete, ato dy sisteme vlerash dhe standardesh banojnë në të njëjtën shtëpi, por hyrjet i kanë të ndara.

Por, edhe ashtu të ndarë, është e pamundur të mos ketë një pikëtakim ku fetë dhe rendet politike shoqërore përballen me njëra-tjetrën dhe mbase edhe luftojnë mes tyre në emër të të njëjtit qëllim: për të mirën e individit, apo kolektivitetit. Me çka, gjatë zhvillimit të saj, gjinia njerëzore nuk ka arritur më larg se të ndihet e drejtuar nga feja, por e sunduar nga njeriu, apo si e përkushtuar ndaj Zotit, por në shërbim të sunduesve.

Jo njëherë gjatë historisë, religjionet e ndryshme, si dhe krahët rivalë brenda fesë së njëjtë – e gjithmonë në emër të Zotit – janë përgjakur mes tyre dhe jetën e besimtarëve e kanë shndërruar në ferr. Apo ka ndodhur që pas kapotës së shërbëtorit të Zotit, të fshihen shërbyes të djallit. Njësoj siç ka ndodhur që pas emblemës së institucioneve më të larta fetare që kanë për detyrë të mbrojnë normat dhe moralin fetar, të fshihen ata që nuk kanë njohur asnjë normë njerëzore.

Pra, ka ndodhur në të kaluarën ajo që ndodh edhe sot në shumë vende mbi këtë rruzull tokësor: që herë-herë ta kesh vështirë të përcaktosh se ku fillon e ku përfundon beteja që bëhet në emër të fesë dhe të Zotit, e ku nis e mbaron ajo që ka të bëjë me mbushjen e xhepit të atyre që besimtarëve u shpjegojnë për të mirat e asaj bote, e vetë duan t’i shijojnë të gjitha kënaqësitë që i ofron jeta mbi këtë tokë.

Mbase nga ky këndvështrim duhen shikuar edhe ngjarjet e fundit që ndodhin mes komunitetit mysliman në Maqedoni, e ku si gjithmonë, si protagoniste kryesore paraqitet Bashkësia Fetare Islame, e cila prej moti lë përshtypjen se udhëhiqet edhe nga njerëz të atillë që falen nëpër xhamia, por flenë në shtratin politik dhe atë policor. Me çka edhe ia dolën që suksesshëm të ecin në rrugën nga luftëtarë të denjë në mbrojtjen e socializmit prej rrezikut të “irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar”, e deri te kohët e sotme demokratike, kur Maqedoninë dhe shqiptarinë e mbrojnë nga “vehabistët”.

Pra, ia dolën që të mbahen në këmbë në mënyrën më të pahijshme dhe më perverse për ata që thonë se njohin vetëm Zotin dhe i përkulen vetëm atij: duke shëtitur nga prehri i njërës, në atë të tjetrës parti, por mbase duke mbetur gjithmonë të afërt me qarqet policore dhe madje duke u mbështetur edhe në tytat e kallashnikovit. Dhe duke qenë të tillë, disa nga ata, t’i rikujtojnë kohët e dikurshme socialiste kur kishte hoxhallarë që prinin në gjuetinë e derrave të egër, mbase duke e ditur se fati i tyre nuk varej nga përkushtimi ndaj fesë, por nga pesha e derrit të vrarë që ua dhuronin shokëve të tyre. Që ua dhuronin shefave policorë, e të cilët ia dolën që këtë institucion të rëndësishëm religjioz ta bëjnë t’i ngjajë një shërbimi që merret me kompletimin e listave të “bijve të spiunëve” dhe të “ekstremistëve myslimanë”….

Çka duhej qysh moti t’i çojë besimtarët e këtushëm myslimanë të shtrojnë pyetjen e logjikshme: vallë ky institucion qëndron mbi parime dhe rregulla fetare, apo u është nënshtruar atyre që nxisin dhe duan grindjen brendashqiptare. Si dhe të pyesin veten se me çka e merituan krerët e BFI-së të jenë shqiptarët e këtushëm më të mbrojtur nga policia maqedonase. Apo, me çka e merituan kryesuesit e bashkësive të këtushme fetare, të jenë nga të privilegjuarit që nuk i përfshin ligji për lustrim, ligj që ka të bëjë me të kaluarën socialiste të personave që mbajnë poste të larta nëpër institucionet e këtushme, e që ndoshta kanë qenë bashkëpunëtorë të dikurshëm të policisë?

Se krerët e BFI-së nuk mbështeten gjithaq në parimet e fesë dhe te besimtarët e vet, por forca e tyre buron nga qarqe jofetare, më së miri dëshmoi zënka e fundit në xhaminë e Isa Beut në Shkup, kur përfaqësuesit e këtij institucioni fetar tentuan dhunshëm të deligjitimonin imamin e kësaj xhamie, e pas cilës rrahje, BFI-ja nuk kërkoi përkrahjen e besimtarëve të vet, por mbështetjen e policisë maqedonase.

Edhe atë duke i akuzuar kundërshtarët e saj si “vehabistë”, me çka u dha shkas mediave në gjuhën maqedonase dhe gazetarisë që mirëmbahet me pomadën “pavlloviqiane” proserbe, t’i rikthehet temës për rrezikun që i kanoset Maqedonisë nga “fondamentalizmi islam”, nga një rrezik i trilluar prej qarqeve antishqiptare, rrezik që kurrë nuk mund të mbijë në arën shumëreligjioze arbënore.

Apo thënë ndryshe: pas kësaj zënke të pahijshme mes besimtarëve myslimanë në xhaminë e Shkupit, BFI-ja kërkoi ndihmë nga i vetmi institucion me të cilin mbase ajo edhe ka bashkëpunim më të mirë – nga Ministria e Punëve të Brendshme. Me çka mbase u jep të drejtë qëllimkëqijtë që thonë nëpër kafene se nëse disa “shërbëtorëve të Zotit” ua heq shallin dhe mbështetjen policore, nga ata do mbetej vetëm një gjuetarë i mirë i derrave të egër.

Siqo që të jetë, religjionet mbeten edhe më tej prehje, apo shtrat, të cilin çdonjëri e shtron me aq sa beson dhe sa i nënshtrohet Zotit, me aq sa dëshiron dhe sa ka mundësi t’i përkushtohet fesë. Kështu që në mesin e besimtarëve gjithmonë do të ketë fanatikë e liberalë, por çdo gjë do varet nga ajo kush ata i drejton dhe sa kanë hapësirë të veprojnë. Pra, sido që të jetë, fetë kanë qenë dhe do mbeten shtylla të rëndësishme për ta bërë jetën më të qëndrueshme dhe më kuptimplotë.

Pastaj, religjionet kanë qenë e do mbeten shenjë njohëse e individit, apo e një kolektiviteti, ato kanë qenë e do jenë nyje lidhëse mes njerëzve, popujve dhe hapësirave mbi këto tokë. Por, ato gjithashtu kanë shërbyer si shkak për mosmarrëveshje mes popujve, si dhe ka ndodhur që në emër të tyre të derdhet gjak mbi këtë tokë, edhe pse religjionet kurrë nuk kanë qenë në konflikt mes tyre, por njerëzit janë ata që i kanë keqpërdorur për të shfryrë destruktivitetin.

Dhe kjo nuk ka ndodhur atëherë kur është shtuar numri i jobesimtarëve, fondamentalistëve apo kundërshtarëve të religjioneve, por në kohën kur institucionet më të larta fetare kanë rënë në duart e njerëzve destruktivë dhe kur fetë janë bërë shërbëtore të politikë së ditës.

Me çka është dëshmuar se fetë dhe rendet shoqërore kanë hyrje të ndara në shtëpinë e përbashkët ku banojnë, por kur njëra nga ato nxit grindje, kur ato fillojnë të bashkëveprojnë, pëson e tërë godina. Andaj ka raste kur në emër të mbrojtjes së shtëpisë së përbashkët, duhet të gjithë të angazhohen në shfarosjen e dukurive negative që fshihen pas institucioneve religjioze, e të cilat janë më të rrezikshme se të gjitha të tjerat, ngaqë duke helmuar shpirtin e besimtarëve, qenien e tyre e zhvlerësojnë deri në ato përmasa, sa ajo të mos vlejë as sa një plumb.

1 COMMENT

  1. Patriotizmi, streha e fundit e kimave dhe merselav

    Të dy i kemi në skenë që 20 vjet demokraci shqiptare në Maqedoninë e pavarur dhe që të dy kanë qenë të kyçur në çdo lëvizje dhe veprimtari.
    I pari (Kimi), fillimisht si megafon i ideve kosmopolite promaqedonase, i dyti (Merseli) si varrmihës i protestave heroike të Gostivarit (1997). Nga kjo ku jemi sot mund të kuptojmë se falë “zotësisë dhe patriotizmit të tyre” shqiptarët përsëri kanë mbet të përçarë. Dhe nëse ka mbetur që stërnipat e sllavëve të bashkojnë shqiptarët, dhe nëse ka mbetur gazetarët që u ndaluan të ndjekin Kongresin e parë të PPD-së për shkak të bagazhit tradhtar, të mbledhin në një Front kombëtarë shqiptarët, atëherë mjerë populli që ju beson.

    E dëgjuat zbulimin me të ri. Njerëzit që punojnë në Bashkësinë Islame të Maqedonisë janë të manipuluar politikisht, nuk kanë moral dhe dinjitet për të udhëhequr një institucion shpirtëror. Dhe e dini kush e zbuloi këtë? “Librat” e lexuar si Kim Mehmeti dhe Mersel Bilalli. Këta të dy kanë dinjitet, moral dhe deri sot asnjëherë nuk kanë qenë të manipuluar politikisht. Thonë se nuk ka deficit të “patriotizmit” në jetën e tyre dhe, duke e thënë këtë, janë të kuptueshme edhe shumë gjëra të tjera.

    Tash ata, që të dy, kanë të drejtë të bëjë çfarë të dojnë (ose të mos bëjnë asgjë) dhe gjithçka do t’u falet, sepse ata janë patriot, sepse ata i do populli, që i bie të jemi edhe ne në BFI. Madje, për shkak tyre, prej sot do ta japim edhe njësinë e re të matjes së vlerave më të larta shpirtërore: dinjitetit dhe moralit. Njësia themelore matëse e këtyre vlerave , prej sot do të quhet Kimometër dhe Merselometër. Por kujdes një Kimometër plus një Merselometër gjithnjë do të japin një bashkëpunëtor të ngushtë të organeve sekrete të zbulimit që natë e ditë punojnë për të delegjitimuar çdo institucion që mban parashtesën dhe prapashtesën shqiptarë. Autori anglez i shekullit XVIII, Samuel Johnson, thotë: Patriotizmi është streha e fundit e të dobëtëve.

    Dhe duke parë që të dy janë duke “u krekosur” me këtë kartë, atëherë mund ta kuptojmë se deri në ç’shkallë ka arrit dobësia e tyre dhe duke shitur patriotizëm kiç mundohen që të mbushim vetëm xhepat e tyre. Që të dy u ngjajnë këngëtarëve me vlera të dyshimta që para, gjatë dhe pas luftës, i kanë rrjepur xhepat e bashkëvendësve të tyre duke shitur kiç me nga tri nota dhe dy-tri fjalë të tilla si nënë, liri, gjak, lot, hero . Kaq janë patriotike këto këngë, sa ndonjëri nga këngëtarët mund të arrijë vlerën prej dy Kimometri dhe një gjysmë Merselometri. Natyrisht, synimi i këtyre këngëve asnjëherë nuk ka qenë ushqimi i vlerave të kulturës shqiptare, por mbushja e xhepave këngëtarëve “patriotë”.

    Mirëpo ja tani i njëjti kiç, i pajetë, siç është kiçi më, e ka kapluar edhe skenën analitike shqiptare tash e sa vjet këtu në Maqedoni dhe nuk ka djall që do ta heqë që aty deri sa të përmbushin “amanetin” e kryeshefit të tyre. Të delegjitimojnë çdo lëvizje shqiptare. E tillë është edhe iniciativa e fundit e këtyre “njësive matëse të dinjitetit dhe moralit” me formimin e një gjoja Fronti të kombëtarë shqiptar, e që ka për qëllim deligjimitetin e partive politike shqiptare dhe OJQ-ve po ashtu shqiptare.

    Populli nuk thotë kot se dita shihet që në mëngjes . Dhe nëse analizoni mëngjesin e këtij Front kombëtarë shqiptar, atëherë do të shohësh se pa u formuar ende ai po vjell helm e vrer dhe anatemon jo vetëm partitë politike shqiptare dhe organizatat civile shqiptare por kohën e fundit gjithnjë e më tepër edhe institucionin BFI i cili shekuj të tërë ka qenë shtylla e ruajtjes dhe kultivimit të identitetit shqiptar dhe mbrojtja nga asimilimi që gjithmonë ka qenë ëndërr e pa realizuar e kryeshefave të kimometrave dhe merselometrave. Realiteti analitik shqiptarë për momentin është më grotesk dhe më qesharak se cilado parodi, sado e mirë qoftë ( ju lutëm bëni përjashtim disa emra që me të vërtet meritojnë respekt).Realiteti analitik shqiptar për momentin është i infektuar nga kimometërat dhe merselometërat që kanë shitur identitetin e tyre vetëm e vetëm për çmimin “ person publik” dhe do “qindarka” u thënçin.

    Mjafton të shikoni paraqitjen e tyre nëpër ekranet televizivë: herë fodullë e herë kinse shpërfillës, dëshmohen të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për lloj-lloj argumentesh e problematikash jashtë fushës së dijeve të tyre, madje kohën e fundit luajnë rolin e matësve të dinjitetit dhe moralit, jo vetëm për përfaqësuesit politik por edhe për udhëheqësit e BFI-së. Nuk do të na habisë nëse në ditët në vazhdim i shohim të krekosur në ndonjë media duke folur plot kompetencë edhe për avantazhet e centraleve atomikë. Tentimi i tyre për të kopjuar thirrjen e Abdyl Frashërit për një Lidhje të dytë të Prizrenit mes shqiptarësh, nuk është asgjë me shumë se një megalomani e neveritshme e të dyve, vetëmburrje e vetëvlerësime foshnjarake, mungesë e plotë etike, modestie e qytetarie. Mos flasim për patriotizëm se këtu s’ka vend. “Kur flet libri, autori duhet të heshtë”, thotë Niçe .

    Dhe “librat” e Kimit dhe Merselit tani më janë libra të lexuar për opinion shqiptarë. Të dy i kemi në skenë që 20 vjet demokraci shqiptare në Maqedoninë e pavarur dhe që të dy kanë qenë të kyçur në çdo lëvizje dhe veprimtari. I pari, fillimisht si megafon i ideve kosmopolite promaqedonase, i dyti si varrmihës i protestave heroitike të Gostivarit (1997). Nga kjo ku jemi ne sot mund të kuptojmë se falë “zotësisë dhe patriotizmit të tyre” shqiptarët përsëri kanë mbet të përçarë. Dhe nëse ka mbetur që stërnipat e sllavëve të bashkojnë shqiptarët, dhe nëse ka mbetur gazetarët që u ndaluan të ndjekin Kongresin e parë të PPD-së për shkak të bagazhit tradhtar, ( a ju kujtohet ai Halili i Gërçecit çka i pat thënë publikisht djalit të Memetit, nga foltorja e këtij Kongresi historik për shqiptarët, dhe si e pagoi me jetë diskreditimin që i bëri ai aletit të Akeksës?) të mbledhin në një Front kombëtarë shqiptarët, atëherë mjerë populli që ju beson. Të dy e dinë se sa BFI-ja mund të manipulophet politikisht. E kanë provuar edhe ata vetë në lëkurën e tyre se sa mund ta manipulojnë BFI-së.

    Institucioni i cili ka qenë , është dhe do jetë këtu shekuj të tërë, moti u ka thënë JO koketimeve të tyre dhe nëse për shkak të kësaj ndjehen të prekur në sedër dhe mundohen të etiketojnë BFI-në pse ua mbylli derën këtyre “patriotëve me bateri” atëherë Imsail Kadare pat të drejtë kur thotë se “ra ky mort dhe u pamë”.Në fund u kërkojmë ndjesë të gjithë besimtarëve që po futemi këtyre “llugave ala patriotçe të kimave dhe merselave” por jemi të detyruar të përplasemi me individë të pakontrolluar sa herë dëshirojnë që të mashtrojnë opinionin me “pallavrat” që shumë lirë shiten në Pazar por jo në një institucion serioz siç është Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni. Në kontekst të këtyre rreziqeve që i kanoset pjesëve të ndara të kombit shqiptar, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe me kundërvënien e organizuar të përpjekjeve shoveniste të okupatorëve sllav dhe shërbëtorëve të tyre si Kimat dhe Merselat, për realizimin e programeve të tyre kriminele albanofobe dhe islamofobe gjatë gjithë kohës, duhet të kuptohet ky reagim i BFI-së. “Njerëzit ndërtojnë shumë mure dhe jo aq ura”, thirrte dikur Isak Njuton ndërsa veprimtaria e BFI-së është të ndërtojë sa më shumë ura ndërsa muret ua ka lënë ti ndërtojnë kimometrat dhe merselometrat por sa herë që të ndërtojnë mure ndaras për pjesëtarët e institucionit që ne udhëheqim, aq herë do të ndeshen me ekskavatorin shkatërruar të BFI-së dhe gjithmonë, si përherë institucionin fetarë do ta mbajmë sa më larg vorbullës së politikës ditore, manipulimit, përzierjes apo diktatit nga ndonjë parti politike ose qeveri. Ashtu si kemi bërë përherë. Ngadalë por sigurt kemi filluar kohës ti japim emër.

    Sektori për informim pranë BFI-së në RM

Comments are closed.