Si e shkatërroi Berisha PD-në

1
68


Blerim Çela, 06.02.2011

PD-ja në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 doli baraz me votat e PS-së. Partia Demokratike nuk mundi të kapë 71 deputetë, por doli 70 me 70 me të majtën dhe vetëm aleanca me LSI-në mundi t’i japë asaj qeverisjen e vendit. Kjo u quajt fitore e PDsë, në vazhdën e demagogjisë së Berishës. Asnjë analizë nuk është bërë në PD për këtë rezultat kaq të dobët, përballë një pune aq të madhe. Mendoj se kjo është shqetësuese dhe duhen nxjerrë shkaqet. Po të bëhej analiza
në PD do të kërkohej përgjegjësia e Berishës, e kryesisë së vogël si dhe rezultatet e dobëta
të kryetarëve të deleguar nga kryesia në qarqe, disa prej të cilëve dolën keq fare.

Shkaku kryesor i dështimit është eliminimi i demokracisë së brendshme në PD, përqendrimi i saj në pak duar, përzgjedhja e gabuar e kandidatëve për deputetë pa u pyetur degët dhe pa u miratuar në Këshillin Kombëtar, tarafet dhe miqësitë e sëmura klienteliste në emërime zyrtarësh, spostimi
i pjesës së djathtë me shumë ithtarë pas vetes, moskthimi i pronave, dëmshpërblimi i ngadaltë i ish të persekutuarve politikë, politika përulëse e Berishës ndaj Greqisë, pakënaqësitë e demokratëve të thjeshtë që nuk i ka sajdisur njeri, që lidhet me shkëputjen seksion-degë, organizimi i drejtimit partiak me pushtet të përqendruar në dorë të të deleguarve si kryetarë qarqesh, nepotizmi i theksuar sidomos te ministrat e zyrtarët e lartë, kalimi i posteve politike kryesisht te njerëz me prejardhje e kontribute të majta, akuzat ndaj Berishës për korrupsion e mospaditja prej tij e akuzatorëve në prokurori, ndërtimi e frekuentimi i zyrtarëve të lartë të PD-së në vila pushimi në mal e në bregdet, të cilat populli i sheh dhe i komenton sipas oreksit, shërbimi i
keq ndaj popullit nga administrata shtetërore që kërkon të paguhet nën dorë për çdo shërbim, korrupsioni i fshehtë dhe lufta kundër tij shpesh e gabuar duke u liruar të arrestuarit si të pafajshëm, humbja e besimit të popullit te drejtësia, problemet me biznesin e vogël, mospagimi i detyrimeve të shtetit ndaj biznesit të madh, kryesisht në ndërtim për punime të kryera e të pafinancuara që kanë çuar në pagimin e vonuar të rrogave të punëtorëve duke bërë fajtore qeverinë, shërbimi shumë i keq nga elektriku në faturime të larta të padrejta e pa fatura, çmimi i lartë i shërbimit celular dhe karburanteve e cilësia e dobët e tyre etj… etj… etj…

* * *

Bëj pyetjen: Kush e fitoi pushtetin dhe qeverisjen e vendit?
Partia Demokratike me anëtarët e saj apo ata që morën postet në qeveri, parlament, institucione qendrore e lokale. Le të pyesin se ku gjenden militantët dhe pjesa më e madhe e drejtuesve të
seksioneve e kryesive e degëve në rrethe. Kemi thënë që marrja e pushtetit nuk është
qëllim në vetvete, po zhvillim i demokracisë. Së pari, demokracia fillon brenda partisë e që aty rrezaton në qeverisje. Qeverisja nuk duhet të kalojë vetëm në disa duar, pushteti nuk duhet të përqendrohet, por të shpërndahet dhe të delegohet. Qëllimi kryesor i pushtetit është realizimi i
programit të partisë fituese nëpërmjet qeverisjes. Kur demokratët nuk marrin pjesë
në qeverisje që nga nëpunësia më e vogël e deri te më e madhja, kush do ta mbrojë
qeverisjen? Ata kanë premtuar në fushatën elektorale të kaluar (2005) sipas programit
të partisë, dhe pas fitores (2005-2009) është e drejta e tyre të ushtrojnë pushtetin që ato
të përmbushen. Por kur ata nuk pranohen në qeverisje nga baza e deri në majë sipas
shkallës së arsimimit, meritave e kontributeve në parti, nuk mund të mbajnë premtimet
e dhëna gjatë fushatës. Pra, pjesëmarrja në pushtet nuk është ndarje torte e
postesh, por detyrim e solidaritet partiak, që angazhon anëtarët e partisë në realizimin e
programit që ata kanë lançuar në publik. Kur ata e shohin veten jashtë këtij angazhimi,
e sidomos kur në vend të tyre në poste e detyra shtetërore shohin farefis, krushqi e
miq të ministrave e deputetëve, njerëz që paguajnë vendin e punës, kundërshtarë
politikë e njerëz më pak të shkolluar se veten e tyre, mbeten tërësisht të zhgënjyer.

Udhëheqja i di këto, prandaj nuk bën analiza në degët e PD-së dhe në Këshillin
Kombëtar, se do të gjendet përballë një rrebeshi kritikash të rrepta, të cilat nuk i
pëlqejnë. Ky është shkaku që Partia Demokratike tkurret. Kjo i shqetëson të
gjithë militantët e PD-së, por ata nuk përfillen. Për sa më sipër, shkak tjetër është
shuarja përfundimtare e demokracisë së brendshme në PD, shkëputja e saj nga baza
demokrate e lënë pas dore, largimi i elektoratit të djathtë, të cilit nuk iu zgjidhën
problemet e pronësisë, punësimit, strehimit etj… largimi i drejtuesve kryesorë nga PDja.
Partia u la në dorë të Flamur Nokës, një person pa përvojë, i emëruar në kundërshtim me
statutin nga Berisha, si sekretar organizativ që nuk e justifikoi veten në lidhje me kontaktet
e ankesat e demokratëve. Sigurisht që forcat kryesore të partisë shkojnë në qeverisje, por partia duhet ruajtur, duhet forcuar, duhet zmadhuar e kontaktuar me bazën.

Pas zgjedhjeve të 2009, filloi të merrte takime e të organizonte seksionet e PD-së në Tiranë zoti Aldo Bumçi, por edhe ai ka nevoje për krahë se është vetëm dhe nuk ka as mbështetjen e kryesisë së PD-së se
kjo akoma nuk është zgjedhur. Pra, krerët e partisë ranë pas posteve shtetërore, duke lënë jetime PD-në. Është tjetër të shkosh një herë në muaj apo dy herë në muaj në PD sa për të parë godinën e saj, dhe tjetër, të marrësh detyra konkrete për të gjallëruar jetën e saj. Astrit Patozi shkon pothuajse përditë në PD në zyrën e nënkryetarit, por nuk takon dhe pret ndonjëherë ndonjë
hallexhi. Ai është person i pazgjedhur për vete. E mban padrejtësisht edhe zyrën e n/kryetarit, dhe nuk ka atributet e këtij posti.
***
Lufta për pushtet ka qenë gjithë problematika e degëve në rrethe, luftë për drejtorë, për kryetarë komunash e bashkish, luftë për poste në dikasteret e institucionet qendrore, mundësisht aty ku kish para. Së dyti, pushteti partiak u grumbullua në duart e të deleguarve të qarqeve, të cilët duke qenë kryesisht ministra, kishin detyra më të rëndësishme ato të shtetit sesa të partisë.
Pra, takimet e tyre me qarqet dhe problematikën, që ata kujtojnë se e njohin, janë të
zbehta, jo të thella dhe vendimet e tyre shpesh janë të gabuara në drejtim të vendosjes
së drejtorëve, nëpunësve etj… Për takime partiake me bazën as që bëhet fjale. Kjo metodë që u fut pas viti 2004, për mendimin tim nuk rezultoi efikase. Më parë një kryetar grupi mbulonte një degë rrethi, tani kryetari i grupit mbulon disa degë të një qarku duke e zgjeruar dhe vështirësuar
punën e tij në njohjen e njerëzve, të problemeve dhe të takimeve partiake. Kryetari i
grupit të qarkut ka edhe njerëz të tjerë në grup, por ata jo vetëm që nuk duken se rrallë i lajmërojnë të shkojnë pas kryetarit të grupit, por është trashëguar zakoni që problemet nuk i zgjidh asnjë anëtar i grupit përveç kryetarit. Pra, kryetari i qarkut është një Sali Berishë i vogël,
jo në kuptimin e keq të fjalës, se atij vërtet i takon të marrë vendimet në atë qark, por një njeri i vetëm më të paktën disa kryetarë degësh e sekretarë, dhe disa dhjetëra grupseksione në komuna që kanë nga një kryetar e sekretar, që ngrenë probleme nga më të ndryshmet, secili për vete,
nuk mund të përballohen. Mbingarkesa sjell gabime, pa përmendur thashethemet e intrigat që është e vështirë t’i ndash nga e vërteta. Mendoj që pikërisht kjo mënyrë e organizimit të PD-së ka qenë një faktor qe çoi në përzgjedhjen jo të mirë të kandidatëve për deputetë me pasojë rezultatin e dobët të PD-së. Për mua ishte më mirë një kryetar grupi për çdo rreth. Kështu situata mbahet
më mirë në kontroll dhe takimet me bazën e partisë janë më të shpeshta dhe efikase.
Arsye tjetër ka qenë së ka munguar lidhja e degëve me seksionet dhe e qendrës me
degët. Jo me kryetarët, por me bazën.

14 DHJETORI 2009, DITA E ZEZË E PD-SË
Më 14 dhjetor u mbajt Kuvendi IX i Partisë Demokratike, një kuvend si kurrë ndonjëherë tjetër në
historinë e PD-së. E hapi znj. Topalli, e vazhdoi z. Bode e Patozi dhe pastaj erdhi zoti Berisha që kur doli e u largua nga tribuna, u përshëndet me zjarrin e fishekzjarreve dhe muzikës me tone të larta bumbum- bum, që të shurdhonte veshët, a thua se nuk erdhi të flasë kryetari para delegatëve të partisë së tij, por jepte shfaqje një yll i skenës së popit apo rokut. Me një pompozitet që vetëm e turpëronte, mbajti fjalimin e tij “historik” dhe u largua menjëherë. As pyetje, as diskutime, vetëm një miratim i ndryshimeve statusore pa asnjë vërejtje. Pra, statuti u bë si deshi kryetari me rrethin e vogël, i cili hoqi nenin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar çdo tre muaj. Sa më pak kolegjialitet, aq më shumë përqendrim pushteti te kryetari. Këshilli Kombëtar deri tani pas një viti nuk është mbledhur, të paktën për të zgjedhur kryesinë e tij. Lista e Këshillit Kombëtar është bërë para se të votohej. Nëse donin të na hiqnin ta bënin me mirëkuptim, të na thërritnin e të na e komunikonin qe do vënë njerëz të rinj, së për parime demokratike ka kohë që nuk flitet në PD. Turp për Berishën! Por ai nuk e njeh turpin. Kush e beson këtë rrenë? Askush. Nuk të heqin dot me votë dhe fap të heqin me manipulim. Ne punuam për PD-në dhe nuk kemi asgjë me të, por me Berishën që i kurdis këto poshtërsi. Njerëzit që mban pas vetes zbatojnë urdhrat e tij me sy mbyllur, pa menduar që një ditë do t’u vijë edhe atyre radha të largohen po me këto metoda antidemokratike. Kjo nuk është
më parti që funksionon me një udhëheqje të zgjedhur ndershmërisht, por me një klan sundues
që zgjidhet sa herë të dojë, kur të dojë dhe me sa vota të dojë. Unë u plaka në PD, dhe
përveç informacioneve që kam nga miqtë e mi demokratë, e di si kanë funksionuar e funksionojnë
sot procedurat e votimit. Pa votim të ndershëm nuk ka udhëheqje të ndershme. Ai me etjen
e tij të pashtershme për pushtet është kthyer në një rrezik real për demokracinë shqiptare.

Pa Berishën, Shqipëria do të ishte në BE në 2010
Me shënimet që kam mbajtur në mbledhjet e Kryesisë së Partisë Demokratike,
të Këshillit Kombëtar, mbledhjet e Grupit Parlamentar e takimet në rrethe me popullin e simpatizantë të PD-së, jam munduar të sjell ngjarjet kryesore të Partisë Demokratike, punën dhe sakrificat, kontributet dhe luftën në mitingje e Parlament të aktivistëve, deputetëve dhe
të udhëheqësve të PD-së, bashkëpunimin e saj me partitë aleate shqiptare dhe
faktorin ndërkombëtar, sidomos atë evropian dhe të SHBA-së, që na kanë
ndihmuar për fitoren e PD-së në zgjedhjet e 22 marsit 1992 e më pas. Pushtimi i Partisë
Demokratike filloi me ndryshimin e statutit të saj në 1993, që i hapi rrugë përjetësimit të
kryetarit nga kandidimi i tij jo më shumë se dy herë radhazi, në kandidim të përhershëm,
me të gjitha pasojat negative të tij. Betejat për demokracinë e brendshme në parti filluan me
mocionin antiberisha në 1992, shuarjen e diversitetit të mendimit me manovrat e
referendumit në 1994 që çoi në largimin e kryetarit të PDsë, Eduard Selami, në 1995,
promemoria e 14 anëtarëve të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar e Deputetë në 1997, kritikat e
vazhdueshme të demokratëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar e Kryesisë për centralizimin,
mbytjen e fjalës së lirë, shkeljet e statutit, manipulimin e votës në parti, anashkalimin e
forumeve të saj e deformimin e programit të Partisë Demokratike nga kahu i majtë.
Tendenca e kryetarit Berisha për të vendosur mbi gjithçka, spostoi udhëheqësit e tjerë me
qëllim rritjen e figurës së tij si i vetmi udhëheqës i pazëvendësueshëm i Partisë
Demokratike. Kontributet e të tjerëve si dhe ato të anëtarësisë së gjerë të partisë u zvogëluan
deri në shuarje. Ky libër jep me vërtetësi punën e sakrificat e udhëheqësve të tjerë të PD-së
ndër vite, ngjarjet më të rëndësishme në jetën e kësaj partie dhe qindra emra demokratësh që punuan për demokracinë. Miqtë e mi, e së bashku me ta, edhe unë, nuk kemi ndryshuar nga qëndrimi ynë i qendrës së djathtë, i fjalës së lirë, i kolegjialitetit, i respektimit të forumeve, votimit
të ndershëm në parti e kudo, i kthimit të pronave, integrimit të përndjekurve politikë, komunikimit njerëzor me anëtarësinë, i mbrojtjes së çështjes kombëtare etj… Ai që ka ndryshuar është
Berisha që u kthye nga një udhëheqës karizmatik i demokracisë, në një despot partiak me tendenca të majta. Ky është thelbi i librit. Themeluesit e Partisë Demokratike kryesisht me nje prejardhje të majtë familjare e personale, me kulturë e mendje të hapur, të interesuar për
zhvillimin e vendit sipas modelit perëndimor, mbështetën lëvizjen studentore të dhjetorit 1990 duke e kthyer atë në një parti politike në qendër të së cilës ishin idetë e lartpërmendura. Në se ata do të krijonin një parti neokomuniste, nuk do të mbështeteshin nga populli, por as nga
faktori ndërkombëtar i cili do ta identifikonte si PPSH me emër të ri, për faktin se vetë partitë komuniste evropiane kishin ndërruar emrat e programet tyre komuniste. Meqenëse kam qenë 19
vjet me radhë në forumet drejtuese të kësaj partie, me kontribute të sinqerta e mbështetës i Berishës, përse e shkruaj këtë libër dhe e kritikoj Berishën? A mos vallë se Berisha më largoi nga
Këshilli Kombëtar e nga pushteti? Edhe kjo është një arsye. Nuk mund të kapërdihen 19 vjet punë, luftë e sakrifica në këtë parti me një largim pa asnjë arsye e pa asnjë shpjegim sikur të mos
kisha ekzistuar fare. Këtë libër e shkruaj jo vetëm për veten time, por në radhë të parë për mijëra demokratë të zhgënjyer, e qindra drejtues të saj në qendër e në bazë që u flakën si qenie pa vlerë nga Berisha. Drama e tyre shpirtërore kërkonte një arsye përse u dëbuan. Shpjegimi
jepet nëpërmjet autopsisë së Partisë Demokratike e cila u tradhtua nga Berisha për faj të
të gjithë ne demokratëve që nuk mundëm të kuptonim në kohë, t’i çirrnim maskën e
bashkoheshim për ta larguar komunistin nga drejtimi i një partie të djathtë. Ai qe më i
zoti se ne. Me dinakëri na mbajti afër, na mashtroi me frazeologji antikomuniste,
fuqizoi pushtetin e tij nëpërmjet nesh dhe na largoi pjesë-pjesë. Ai nuk qëndron
natyrshëm në këtë parti, prandaj dhe tronditjet e herëpashershme jo vetëm në parti, por edhe në shtet kanë ardhur prej këtij politikani që vërtitet në një bosht me gunga pa një politikë konseguente të djathtë. Populli për këto lloj lëvizjesh thotë:-‘Ecën si në jerm”, që do të
thotë se nuk e di ku shkon, ecën kuturu pa strategji, me intuitë e veprime të pa studiuara, pa forume legale e konsultë partiake. Tjetërkund konsultohet. Iniciativat e tij informale, PD-ja i merr vesh nëpërmjet mediave. Nga një njeri i tillë pa bosht, mund të presësh gjithçka.

1 COMMENT

  1. Interesante,e çuditshme,e pabesueshme,duket sikur jemi ne nje tragjedi te Shekspirit.
    Edhe ti o Brut,biri im!
    “Turp per Berishen! Por ai nuk e njeh Turpin. Kush e beson kete rrene? Askush.”
    Thika,thika, njera pas tjetres;nuk arrij qe ta besoj,nuk arrij qe ta kuptoj!
    Si eshte e mundur? E ndjej veten shume keq.Si eshte e mundur qe asnjeri nuk ka pasur kurajon t’ja thote te verteten ne sy!
    Si eshte e mundur qe asnjeri nuk ka pasur guximin t’i thote ne sy mjaft!
    Cfare lloj rrace paskemi qene ne shqiptaret!
    Dhe thone pastaj:Enver Hoxha………………………………………………………
    Ti thua turp per Berishen,por une them turp per mua dhe gjithe shqiptaret qe kane mundesine qe te lexojne keto rrjeshta ne kete faqe interneti!
    Kadareja flet dhe shkruan si Ciceroni ne greqishte,Qosja thote :Mosbindja eshte akti i lirise sot;dhe per te gjitha faji eshte i demokracise,sipas tyre.
    Cakuli deklaron :Jam une organizatori i puçit,vetakuze:Prokuroria nuk vepron.
    Kushtetuta thote:……………………
    C’na çave koken edhe ti me kushtetuten!
    “Avere sempre ragione,farsi sempre strada,calpestare tutto,non avere mai dubbi:
    Non sono forse queste le grandi qualita con le quali la stoltezza governa il mondo? William Makepeace Thackeray.
    Ktheje respektin me respekt,perballoji me gjakftohtesi provokimet dhe dhuroji hipokrizise indiferencen tende.

Comments are closed.