Si e njoha Tomë Mrijaj?

0
24

Prof. Dr. Riza Sadiku

Për studiuesin Tomë Mrijaj, kisha mësuar përmes shkrimeve të tij, dhe prej shokut tim të ngushtë asokohe, tani i ndjeri Mrsc. Jetish Kadishani. Ai me fliste shpesh për Tomën, i cili, jo vetëm e kishte ndihmuar financiarisht, për botimin e disa librave. Ndihmë të konsiderueshme i kishte dhënë në sigurimin e dokumenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, për kompletimin e librave.

Në atë kohë, për këtë person qysh në fillim krijova një respekt dhe simpati pa e njohur nga afër, duke thënë me vete: Çfarë fati të mirë ka Jetish Kadishani, që po bashkëpunon me një personalitet dhe figurë atdhetare, me zemër kaq të madhe!? Si nuk pata edhe unë një fat të tillë, që të njoh ndonjë Tomë si Jetishi!?

Vitet kalojnë dhe një ditë prilli të vitit 2004, papritmas troket në derën e zyrës time të punës një djali ri. Mbasi e hapa derën, shoh para meje, një djalosh, i cili, ndër të tjera me pyet: A jeni ju Prof. Riza Sadiku!? Me buzëqeshje fisnike dhe me pak habi iu përgjigja pozitivisht. I porsaardhuri, me ofroi një ftesë, ku ndër të tjera më tha: “I nderuari Profesor Sadiku! Për ju kemi një garancion për vize, për të udhëtuar ne Gjermani. Është fjala, se në muajin Qershor, do të mbahet në Hamburg Simpoziumi Shkencor, kushtuar të Djathtës Shqiptare, me të cilin rast do të përkujtohen me nderime e respekt edhe përvjetorët e nacionalistëve të shquar, si: Ing. Xhaferr Devës, Kapedanit të Mirditës Dr. Markë Gjomarkut dhe shumë figurave të tjera të lënë me qëllim, në pluhurin e harresës…”

Ai kërkoj nga unë, që brenda 10 ditëve të përgatis temën e referatit, për të marrë pjesë në Simpoziumin në fjalë. Djaloshi i ri, kishte qenë njeri ndër organizatorët e Simpoziumit. Ai quhet Besim Morina. Pasi e mora ftesën, lajmërova mikun tim Jetish Kadishanin, i cili, kishte marrë të njëjtën ftesë sikurse unë. Nga kolegu im mësova, se në Simpozium do të marrin pjesë shumë veprimtarë të dalluar nga mërgata shqiptare e Evropës dhe Amerikës, në mesin e të cilëve është edhe studiuesi T. Mrijaj nga Nju Jorku. U gëzova, që do të marrë pjesë edhe J. Kadishani dhe do të kem rastin të njoh nga afër edhe Tomë Mrijajn.

Pas të gjitha përgatitjeve, udhëtimi u realizua në fillim të qershorit, kurse Simpoziumi u mbajt me 10-11 qershor 2004, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trojet etnike shqiptare, pra edhe nga Çamëria, si dhe shumë intelektual dhe veprimtarë të dalluar nga mërgata shqiptare, në mesin e të cilëve edhe publicisti Mrijaj.

Para se të filloj Simpoziumi, si zakonisht, pjesëmarrësit mblidhen në hollin afër sallës, ku do të mbahet Simpoziumi, aty shoh një person të veshur në mënyrë solemne dhe të kompletuar, sipas normave bashkëkohore, duke u takuar me shume njerëz. Takimet ishin shumë të përzemërta dhe të sinqerta. Në një moment pash edhe J. Kadishanin, duke u përqafuar me atë personalitet, i cili, i takonte me modesti të gjithë pjesëmarrësit. Atëherë mendova se ai person do të jetë Tomë Mrijaj i “Jetishit”. Pa u hamendur, unë u afrova afër Jetishit, me të cilin rast me njoftoi me Tomën. Ishte një takim shumë i ngrohtë, i përzemërt dhe i sinqertë.

Gjatë qëndrimit 4-5 ditor në Hamburg, me Tomën patëm edhe disa takime shumë të përzemërta dhe miqësore, gjatë të cilave këmbyem disa libra në mes veti, adresat dhe numrat e telefonave. Ndarja me Tomën në Hamburg, ishte shumë e ngrohtë dhe miqësore. Ai, gjithnjë ndaj Jetishit dhe meje tregoj një kujdes të veçantë.

Në vitin 2005, udhëtova zyrtarisht për SHBA, për mbledhjen e materialeve të ndryshme, nga veprimtarët e dalluar të mërgatës shqiptare, lidhur me realizimin e ekspozitës tematike; “Amerika për Kosovën”, në kuadër të së cilës me fakte dhe argumente ishte parapa prezantimi i veprimtarisë kombëtare të mërgatës shqiptare në administratën amerikane, lidhur me zgjedhjen e çështjes mbarëkombëtare, në veçanti asaj të Kosovës.

Për qëllimet e lartcekura, përveç Çikagos vizitova edhe Detroitin, bazë e fortë e nacionalizmës shqiptare, në të cilin qytetet ka shumë veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Ne Detroit, përveç personaliteteve të njohura kombëtare, rol të rëndësishëm në afirmimin e çështjes mbarëkombëtare, kanë luajt edhe institucionet fetare shqiptare: si ai bektashian, mysliman, dhe në veçanti ai katolik i udhëhequr nga Dom Anton Kçira.

Pasi i vizitova disa personalitete kombëtare dhe institucione fetare shqiptare, Teqenë Bektashiane e cila në atë kohë udhëhiqej nga Baba Arshiu, Xhaminë Myslimane e udhëhequr nga themeluesi i saj, Imam Vehbi Ismaili, iu drejtova Tomë Mrijajt, për të vendosur kontakte me Kishën Katolike Shqiptare Shën Pali, të cilën e drejtonte në atë kohë Dom Anton Kçira. Kërkesës time studiuesi Mrijaj, iu përgjigj pozitivisht. Kështu duke iu falënderuar atij, unë me Hafëz Jusuf Azemin dhe Ajet Rushitin (të cilit me shoqëronin), vizituam Kishën, përfaqësuesit e të cilës na pritën si delegacion zyrtar, me të cilin rast na dhuruan disa materiale të vlefshme për nevojat e ekspozitës.

Pas Detroitit, vizitova Nju Jorkun, me të cilin rast përsëri e angazhova Tomë Mrijajn, për të më përgatitur dhe koordinuar vizitat në Arkivin e Organizatës Politike të Lidhjes se Tretë të Prizrenit në mërgim, Sekretar i Përgjithshëm i të cilës është aktivisti i palodhur Tomë Mërijaj, Arkivin e redaksisë së gazetës “Dielli” dhe Arkivin e redaksisë së gazetës“Illyria”, i cili, përsëri kërkesave të mia iu përgjigj, pa përtesë dhe me vullnet.

Toma, duke sakrifikuar, përveç kohës së lirë, ai për t’i bërë shërbime muzeut dhe kombit, bëri edhe shpenzime financiare, për me i vizitua vendcaktimet, të cilat njëra me tjetrës kishin distanca të mëdha hapësinore, por duke e falënderuar këtë aktivist zemërbujar, arrita të realizoj hulumtimet në ato institucione, për të mbledh shumë materiale dhe foto interesante, për nevojat e ekspozitës: “Amerika për Kosovën”.

Në vitin 2007, përsëri shkova në Nju Jork, për me vazhduar hulumtimet, nëpër organizata tjera politike dhe personalitete të veçanta, të cilët janë marrë me çështjen e afirmimit dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare të Kosovës.

Këtë vit mjerisht në Nju Jork përjetova një infarkt të rëndë kardiologjik (por falë kushëririt tim Feti Sadiku, i cili menjëherë ndërhyri, duke me dërguar në një spital kardiologjie), unë sot jam në mesin e të gjallëve. Kur miku im Tomë Mrijaj dëgjon këtë lajm, ka ardhur të më vizitoj në spital, në ditët më të vështira, që përjetova. Ai gjithnjë më ka dhënë përkrahje morale dhe materiale. Pra, në këtë rast tek unë u vërtetua më së miri fjala popullore: ”Shoku i mirë në ditë të vështira”. Pra, ky shok dhe mik për mua është Tomë Mrijaj.

Në vitin 2010, përsëri me përfaqësuesin e Muzeut dhe të Ministrisë të Mërgatës (Diasporës), me qëllim, grumbullimin e marrjen e disa eksponateve origjinale nga Batalioni “Atlantiku”, kemi vizituar Nju Jorkun. Edhe kësaj radhe publicisti i palodhur Mrijaj, u angazhua për mbledhjen e eksponateve për nevojat e Muzeut. Gjithashtu miku i Tomë Mrijajt, anëtari i Organizatës Balli Kombëtar me qendër në Nju Jork, zotëri Tomë Jakaj, me këtë rast i dhuroi Muzeut të Kosovës, një numër të eksponateve origjinale, të rëndësishme për ekspozitën e lartcekur.

Përmes Tomë Mrijajt, munda të siguroj në vijim kontakte pune me disa veprimtarë të dalluar të mërgatës shqiptare. Ai aktivizoj edhe lidhjet zyrtare shtetërore, përmes bashkëshortes së tij Liza Mrijaj, e cila asokohe punonte si Shefe e Stafit në Zyrën e Bashkisë së Yonkers-it në Nju Jork. Aty pata rastin dhe fatin e madh të takohem me Kryetarin e Bashkisë së Yornkes-it Philip Amicone dhe stafin e tij, i cili na priti ngrohtësisht. Kryetari i Bashkisë, në saj të ndërhyrjes direkte të Shefes së Stafit Liza Mrijaj, na krijoi mundësinë që ekspozitën: “Amerika për Kosovën”, ta hapim falas në ambientet e Muzeut të Qytetit Yonkers, për hapjen e te ciles u shpërndan edhe ftesat, por ekspozita nuk u hap, për shkak te mos financimit nga Ministria e Kulturës te Kosovës.

Vlen te theksohet se ekspozitën tematike “Amerika për Kosovën”, Muzeu i Kosovës për ta përmirrua gabimin e sipërpërmendur, ne prill te vitit 2012, e nisi me anije (kontejner special) për ne Nju Jork qe ta hapi ne qendrën kulturore “Nena Terezë” e cila gjendej ne kuadër te Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodëres” , për hapjen e te cilës, terrenin me herët e kishte përgatit veprimtari i devotshëm i ceshjtjes shqiptare ne mërgim, Zotëri Tome Merijaj, me disa veprimtar tjerë, te cilit kishin biseduar me përfaqësuesit e Kishës Katolike ne krye me Dom Pjeter Popajn, te cilët pa dilema dhe pa hamendje e përkrahin propozimin e Tome Mrijajt, për hapjen e ekspozitës ne fjale, për te cilën gjë e lajmërojnë zyrtarisht me shkrim Muzeun e Kosovës, duke deklaruar se e mirëpresin hapjen e ekspozitës pa kushte, gartis dhe pa caktuar kohen e qëndrimit.

Përfaqësuesit e Muzeut te Kosovës, drejtori Arbër Hadri dhe autori i ekspozitës Riza Sadiku, menduan, se, përmes hapjes te ekspozitës, “Amerika për Kosovën” e cila pasqyronte me fakte dhe argumente kontributin e Mërgatës Shqiptare dhe përfaqësueseve te Administratës Amerikane, tu shprehin falënderimin me modest, për kontributin qe dhanë gjate një shekulli, si për themelimin e Shtetit Shqiptare Londinez, ashtu edhe te Pavarësinë se Kosovës, pikërisht, qe at vite shënohej 100 vjetori i “Vatrës” dhe Shtetit Shqiptare.

Ekspozita, ne limanin e Nju Jorkut arrin ne muajin maj, qëndron ne kontejner me eksponate shume te vlefshme dhe unikate gati tre muaj, edhe pse ishte salla e rezervuar falas nga Kisha Katolike Shqiptare “Z. e Shkodres”, për shkak te kapricizitetit te Ministrit te Kulturës ne atë kohe, Memli Krasniqi ndaj A. Hadrit, ekspozita nuk u hap, e kthyen prapë ne Prishtine, edhe pse për rrugën kthyese dhe ndejën e ekspozitës ne limanin Nju Jorkut u paguan mbi 20. 000, oo (Njëzetë mije) Euro, nga parat e taksambledhëseve te Kosovës, deri me sot, për ketë pa përgjegjësi, nuk u morr askush ne pyetje, për dëmin qe ju shkaktua ekspozitës dhe koston e pagesës.

Tomë Mrijaj, kujdes të tillë nuk ka treguar vetme ndaj meje, por ndaj të gjithë atyre që i ka pas shokë dhe miq. Ai këtë zemërbujari e ka treguar edhe me studiuesin dhe mikun e tij të ngushtë Mrsc. Jetish Kadishanin, i cili dy here e ka vizituar Nju Jorkun, për të hulumtuar mbi historinë dhe kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë dhe çështjen kombëtare në tërësi.

Me siguri ka pas edhe shumë “Jetisha e Riza”, tjerë, për të cilët me zemërgjerësi është kujdes Tomë Mrijaj, deri sa ata kanë qëndruar ne SHBA. Një mikpritje të tillë dhe kujdes të veçantë, Tome Mrijaj, ka treguar ndaj, delegacionit të Kosovës i udhëhequr nga Prof. Dr. Muhamet Shatri, Ramë Manaj dhe Ruzhdi Panxha, gjatë qëndrimit te tyre dy javor në Nju Jork, me rastin e marrjes të Arkivit të Lidhjes së Tretë të Prizrenit në mërgim, lidhur me prurjen e materialeve të Lidhjes se Prizrenit, nga Nju Jorku, në Prishtinë, në fondet e Arkivit të Kosovës, për të cilin ka shkruar gjerësisht mediat.

Tomë Mrijaj, është treguar i kujdesshëm dhe gjithmonë bujar e i gatshëm për të financuar botime me përmbajtje kombëtare ndaj miqve dhe shokëve, si në SHBA dhe në vendlindje. Studiuesi dhe publicisti Mrijaj si intelektual bashkëkohorë për çështjen kombëtare, ka dhenë e jep kontribute të veçantë me botimin e disa veprave nga fusha e historisë, ku spikasin tematikat e persekutimit komunist të figurave të shquara të nacionalizmit në SHBA dhe vendlindje, të cilët nuk janë studiuar dhe botuar deri me tani.

Kushdo që i ka lexuar me kujdes serinë e veprave të tij origjinale, sheh se ato përmbajnë në vetvete jetëshkrime interesante, të personaliteteve të nacionalizmës shqiptare, të anatemuara nga regjimi komunist, të cilat figura e pasurojnë historinë tonë kombëtare.

Gjithashtu publicisti i mirënjohur Mrijaj, ka shkruar edhe një numër të madh artikujsh për veprimtarët e dalluar të çështjes kombëtare, si: Kapedanët e Mirditës ndër shekuj, Themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë Mons. Dr. Zef Oroshin (1912-1989), Dom Anton Kçirën, Kapiten Gjon Destanishen, Marie Shllaku, Prof. Rexhep Krasniqin, Kolonel Abaz Kupin, Prof. Zef Neken, Ndue Perlleshin, Ukë e Shaban Sadikun, Sadik Ramë Gjurgjevikun, Alush Leshanakun, vëllezërit Ndue dhe Pjetër Jakun, Prof. Luan Gashin, e shumë personalitete të tjera (Për më gjerësisht mund të shikoni biografin e Tomë Mrijajt)…

Aktivisti i palodhur i çështjes kombëtare shqiptare Tomë Mrijaj, në bazë të shënimeve dhe materialeve që posedoj, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë të Prizrenit në mërgim (1962), ka përgatit dhe kanë dërguar, në emër të Lidhjes së Prizrenit së bashku me Kryetarin e saj, zotin Ismet Berishën shumë rezoluta, shkresa dhe telegrame, të personaliteteve të ndryshme të administratës amerikane dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, për gjendjen e popullit shqiptar nën regjimet komuniste, sidomos për gjendjen e popullit shqiptare të Kosovës, ka marrë pjesë në shumë takime, me përfaqësues të administratës amerikane, në të cilat objekt i bisedave ka qenë çështje shqiptare në përgjithësi dhe ajo e Kosovës në veçanti.

Ai ka marre pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat, të organizuara në Nju Jork, Uashington, Detroit, etj., kundër dhunës serbe në Kosovë, dhe gjithashtu ka dhënë kontribute të veçanta financiare familjeve të ndryshme në Kosovë gjatë viteve 1990-1999. Aktivisti Mrijaj, ka dhënë kontribute të veçanta edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UCPMB-n dhe Ushtrinë Kombëtare, për çlirimin e trojeve etnike, e shumë kontribute tjera, që unë nuk jam në dijeni.

Vlen të theksohet, sipas asaj që më ka treguar i ndjeri Jetish Kadishani, se studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj, gati në të gjitha veprat e botuara të Jetish Kadishanit, ka dhënë kontribute të konsiderueshme financiare, për të dalë në dritë veprimtaria botuese e tij.

Këtë zemërgjerësi, zoti Mrijaj e tregoj së bashku me Tomë Jakajn, kur i informova se dua të botoj librin kushtuar mërgatës shqiptare të Amerikës: “Amerika për Kosovën”. Menjëherë të dy bashkatdhetarët, dhanë kontribut të konsiderueshëm financiarë, për botimin e librit. Me siguri miku im Mrijaj, falë bujarisë karakteristike, kontribute të tilla ka dhënë edhe për shumë autor të librave, për të cilët unë nuk jam në dijeni, mbasi Toma si modest, asnjëherë nuk përmend veprat e bamirësisë…

Publicisti bashkëkohorë Mrijaj, është njeri ndër ideatorët dhe organizatoret kryesor të Simpoziumeve të së Djathtës Shqiptare, të cilat mbahen çdo vit, prej vitit 2004, nëpër qendrat e ndryshme të territoreve etnike shqiptare dhe diasporë, në të cilat marrin pjesë me kumtesa, përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, duke përfshi këtu edhe Çamërinë.

Kujtojmë, se deri me tani janë botuar 12 vëllime me kumtesa te mbajtura në çdo simpozium, ku një volum i shtypur përmban 800-1000 faqe. Në çdo botim, ai ka dhënë kontribute të veçanta financiare, të cilat sipas tij do të vijojnë edhe në të ardhmen, deri në realizmin e ëndrrës së çdo shqiptari bashkimin e të gjithë trojeve shqiptare në një Shqipëri Etnike Demokratike. Kjo ishte edhe fjala e mbylljes së z. Mrijaj, në Simpoziumin e XII të radhës, të mbajtur në qytetin historik të Gjakovës, në muajin gusht të vitit 2014.

Nga i gjithë ky përshkim i shkurtër, që ceka më lart, për mendimin tim, prej kur e njoh studiuesin Mrijaj, shihet se është një personalitet me prejardhje prej familjes me tradita kombëtare, gjatë tërë jetës, me gjithë qenien e tij shpirtërore, morale dhe intelektuale, është angazhuar për afirmimin, sensibilizimin, ndërkombëtarizimin dhe zgjidhjen e çështjes mbare kombëtare në tërësi, dhe në veçanti të Kosovës. Për këto arsye, ai ka qenë i ndjekur edhe nga regjimi komunist i kohës, duke qenë i detyruar ta lëshojë edhe vendlindjen.

Qysh nga koha, kur ka dalë në mërgim, Toma kurrë nuk e harroi jo vetëm familjen, por as çështjen kombëtare, për të cilën u angazhua në të gjitha mënyrat dhe format, pa kursyer dijen, kohën dhe mjetet financiare. Gjithashtu ai, ka kontribuar për daljen në dritë të disa dhjeta veprave te autoreve te ndryshëm, ka kontribuar në ndërtimin e institucioneve fetare te gjitha konfesioneve. Mendoj, se kontribute të tilla kanë ndikuar në afrimin edhe më të madh të tolerancës ndërfetare me shqiptarëve.

Personalitetet të tilla universale, janë të rralla në mesin e popullit shqiptare, te cilët punojnë për idealet kombëtare e jo për interesa personale, si Tomë Mrijaj, andaj si i tillë meriton të zej vendin e merituar, në mesin e personaliteteve më të shquara kombëtare, në historinë më të re të popullit shqiptare.

23 Shkurt, 2015, Prishtinë