Si e ndryshoi politika e Berishes imazhin e intelektualit Zhani Ciko

0
34

Nga Astrit Vorpsi, 6 Tetor 2011

Në kohën e grevës së PS-së me çadrat para Kryeministrisë, me burie të forta mediatike u tha se 41 artistë dhe intelektualë i bëjnë thirrje Ramës për ndërprerjen e grevës së urisë.

Vërehet qartë se këta intelektualë e artiste ishin nëpunës të shtetit. Në situata të tilla çdonjëri ka të drejtën e mbajtjes së një qëndrimi në varësi nga formimi i tij botëkuptimor, kultura e përgjithëshme dhe qëndrueshmëria e karakterit.

Shumicën e asaj liste intelektualësh dhe artistësh (PSEUDO) që u paraqit në media me ate rast e njohim mirë se deri në çfarë mase relative i kanë vlerat për të cilat pompohen në media.

Nga gjithë ajo listë do veçoja së pari Zhani Cikon. Maestroja Ciko kishte ndërtuar në opinionin e shqiptarëve figurën e një personaliteti që e justifikon plotësisht titullin Mjeshtër i Madh.

Edhe përpjekjet meskine të para pak viteve që kërkonin t’a hiqnin si drejtor i TOB në shumicën e njerëzve të kulturës u konsideruan të neveritëshme pasi Zhani Ciko ishte në atë vend pune më i argumentuari dhe më i motivuari për kohën.

Krahas të tjerash konsiderohej si personalitet me integritet moral të pacënuar. Kjo deri në momentin kur i shkoi letra e kërkuar nga kryeministri Berisha për të firmosur si i “41njëjti” në radhë me “dyzet shenjtët e tjerë të demokracisë shqiptare”.

Nuk dyshoj aspak, nuk e diskutoj fare, kur atë moment me letrën përpara në tavolinë Zhani Ciko ka kafshuar buzën për këtë poshtërim në integritetin e tij. Ndokush mund të thotë se mbase jam gabim dhe ai t’a ketë pritur me zell këtë letër për t’a firmosur, a ndoshta mund të ketë qënë ideatori i saj.

Ndoshta, me një pikëpyetje të madhe. Ideator nuk e besoj se ide të tilla mbarten në njerëz që janë shumë difektoz në karakterin e tyre, me doza të theksuara xhelozie, ambicjeje të sëmurë deri në psikopati si pasojë e mungesës së aftësive profesionale, etj, etj.

Ndoshta, ndoshta, një farë zelli për t’a nënshkruar mund ta ketë pasur sepse ndoshta mezi priste rastin që t’i kthente një mirënjohje Kryeministrit Berisha për ndonjë nder të bërë më përpara. Përse personalitete të këtij niveli si Zhani Ciko radhiten në këtë mënyrë njësoj si modelet propagandistike që përdorte Partia Komuniste në vitet e diktaturës?

Zhani Ciko është aq inteligjent sa metoda të tilla drejtimi të shtetit të aplikuara nga Berisha jo vetëm i ka ironizuar në ambjentet shoqërore ku është protagonist, por ka bërë humor të zi edhe me listën e kolegëve të tij që në vitin 1996 u paraqitën në mbështetje të Berishës president dhe nëpër gazeta u paraqitën me numrat përkatës në gjoks.

Një vend pune pa përdhosje Maestroja Zhani Ciko do e kishte të siguruar pavarësisht nga pushtetet, por egoja e të qënurit Drejtor i përhershëm dhe detyrimi shtrëngues si nën nofullat e morsës së Berishës e katandisën në një nënshkrues të asaj letre për të cilën, edhe ai vet është i ndërgjegjshëm sesa, moral demokratik ka brenda.

Me të tjerët nuk po merrem sepse nuk janë nga ajo lloj stofe që përafrohet me Zhani Cikon.

Qëndrimi i Maestro Zhanit më kujton një histori italiane, të cilën maestroja e njeh mirë. Qëndrimin e gazetarit Curzio Malaparte i cili u vu në shërbim të Musolinit dhe me shkrimet e tij e mbështeti fuqishëm në metodat e tij diktatoriale. Aq sa të nesërmen e gjyqit të famshëm Matteoti u radhit në mbështetje të masave repressive të ndërmarra nga Musolini dhe më pas u bë drejtues i bordit të një grupi gazetash. Tjetër histori ishte kapërcimi pastaj në Partinë Komuniste italiane, xhonglimi me forcat angloamerikane etj, etj. Italianët ia njohin mirë këto probleme prandaj dhe i kujtojnë jo rrallë në përcaktimin e personalitetit të tij.

Ne shqiptarët kemi vuajtur shumë nga mungesa e kulturës për vlerësimin e nocionit të së Vërtetës. Të shkosh drejt kërkimit të së vërtetës përbën vlerë civilizuese, e kundërta, fshehja e saj të shpie në primitivizëm.

Verbëria fillon e përparon nga jeta mundane që të ofron Politika. Kështu iu pakësua mprehtësia e arsyetimit Zhani Cikos i cili u ndje shumë i fuqishëm e i sigurtë nga mbështetja e Berishës deri aq sa pranoi që t’i vihej emri një shkolle në Patos duke mos pasur asnjë kontribut të jashtëzakonshëm në atë shkollë të humbur province.

Për fat shume të keq, tani që vlerat janë vendosur në peshoren e kohës, Maestroja Zhani Ciko e shiti shumë lirë mallin vetjak pronar i të cilit është ai vet, integritetin e tij moral.