Arben Rrozhani, 24.11.2009
Rreth 20 vite pas shembjes së Murit të Berlinit, shqiptarëve u duhet të riprovojnë edhe një herë atë lëvizje që çoi në mbyllje të shout tragjik me jetët e shqiptarëve pas 45 viteve të dhimbshme në diktaturën komuniste. Nuk ka asnjë komb tjetër në hapësirën e ish-vendeve komuniste të Lindjes që duhet të ribëjë revolucionin paqësor, si në kohën kur efekti zinxhir i rënies së murit që ndante dy pjesët e ndara të Evropës.
Shumë prej vendeve që vuajtën nën thundrën e komunizmit prej vitesh janë pjesë e BE-së dhe përfitojnë e japin për mirëqenien e Bllokut euroatlantik. Vendet më të prapambetura, kryesisht prej luftërave të përgjakshme në Ballkan, duhet të fitojnë këtë fundviti një biletë hyrjeje në BE, duke u dhënë shansin qytetarëve të tyre të lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen dhe kanë bërë hapa domethënës përpara në mirëqenie dhe konsolidimin e shteteve demokratike.
Për fat të keq, Shqipëria është në bisht të tyre dhe thirrjet e 19 viteve më parë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, janë sërish aktuale. Nuk ishte e pazakontë dhe as demagogji e partive që janë kundër qeverisë së instaluar në Shqipërisë prej maskaradës së zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit 2009-të, që ndër parullat e hedhura në protestën 3-ditore populli të rikërkojë si dy dekada më parë, rrëzimin e një pushteti që qëndron në këmbë vetëm për fasadë, rrëzimin nga pushteti të disa autokratëve që janë mbledhur grusht bashkuar rreth kryetarit të partisë më antidemokratike në vend, PD, e cila ngjan aq shumë me PPSH-në e fundviteve ’90.
Është po ajo lojë si e PPSH-së në grahmat e fundit asokohe, që premtonte të nxirrte vendin nga mizerabiliteti ku e kishte zhytur prej dekadash, duke udhëhequr ajo, me kolltukofagët e vet, kursin e ri demokratik dhe reformat popullore që kërkonte sistemi i ri. Një rol që ajo nuk mund ta kryente edhe po të donte, sepse ai sistem ishte ngritur për të shkatërruar njeriun dhe vlerat e një kombi.
Tani 19 vite më vonë nga ai regjim kanë mbetur ca të vdekur të pakallur, që rrëfejnë se sa monstruoz ishte sistemi totalitar, që veç ligjërimeve delirante nuk kanë se çfarë të sjellin tjetër për shqiptarin e vitit 2009-të.
Ata janë të parrezikshëm, sepse e shkuara e tyre është një kujtim i dhimbshëm për një Shqipëri që u dhemb të gjithëve dhe kaq. Janë aq të parrezikshëm, sa ç’janë të rrezikshëm për fatet e vendit, trashëgimtarët e filozofisë të tyre të partisë-shtet, që për fatin e keq të Shqipërisë janë sërish padronë të një pushteti të vjedhur me dhunën qeveritare.
Sërish, si dy dekada më parë, pushteti që mbahet ende në këmbë, nuk është ngritur mbi votën popullore, por mbi vjedhjen e votave, manipulimin, terrorizimin e administratës shtetërore, sistemit gjyqësor, përpjekjes për të manipuluar median e lirë dhe shoqërinë civile. Ai erdhi mbi krye të shqiptarëve më se katër vite më parë, duke u premtuar atyre shpejtimin e kursit të reformave drejt integrimit, mirëqenies dhe prosperitetit.
Por degradoi në një sistem antinjerëzor, që varfëroi shtetasit e vet, i vrau ata në korrupsionin qeveritar, nuk u dha zgjidhje shqetësimeve dhe dramave që rëndojnë jetët e tyre, por mbi varfërinë e shtuar të tyre, grumbulloi pasuritë publike dhe private për një grusht bllokmenësh të rinj.
Nuk ka asnjë kabinet tjetër qeveritar në botën demokratike, që të ketë ende si ministra pushtetarë që kanë dhënë urdhra për të vrarë njerëz, për të vjedhur fondet kolosale publike. Nuk ka kryeministër që të jetë sërish në pushtet, pasi ka dirigjuar këtë pushtet ekzekutiv vrasës dhe abuzues.
Dhe nuk është aty me votën e shqiptarëve, të cilët në 28 Qershor vendosën ta mbyllin tranzicionin e stërzgjatur, me qeveri të drejtuara nga pinjollët e ish-sistemit monist, por ka rrëmbyer një pushtet të pamerituar për ta zgjatur pa fund dhimbjen e një vendi.
Dy javë më vonë për të 19-in vit radhazi, Shqipëria i ofrohet një date simbolike. 8 dhjetori ishte dita kur regjimi-kufomë, simbolikisht u flak nga skena politike. Por, sot, në atë skenë për fat të keq të shqiptarëve, sot janë ithtarët e tij, që me çdo çmim duan të mbajnë pushtetin edhe pse kanë popullin kundër.
Ky përvjetor do të kishte shansin të hynte në analet e historisë, si viti i rrëzimit të murit të fundit që ka mbetur mes shqiptarëve, ai që ndan një grusht kolltukofagësh për mbledhur për pushtet dhe një populli të tërë që kërkon fundin real të partisë-shtet dhe sistemit degradues. Një shans që mund t’i takojë po atij brezi 20-vjeçarësh të 19 viteve më parë, që rrëzoi një prej regjimeve më gjakatare, por i duhet t’i japë të shtyrën e fundit mbetjeve të tij në pushtet.