SI BERISHA “MBRON” KUSHTETUTËN DUKE E PËRDHUNUAR

0
35

Andrea Stefani, 30.12.2010

Kjo që sapo ka ndodhur është absolutisht groteske! Shumica parlamentare ka dhunuar të drejtën kushtetuese të pakicës për të ngritur një komision për hetimin e materialeve zgjedhore ndërkohë që Kryeministri Berisha deklaron se një gjë e tillë është bërë për të mbrojtur Kushtetutën. Por as deklaratat demagogjike të Berishës dhe as sajesat “ligjore” të juristëve të tij, nuk e fshehin dot një tjetër fakt të shëmtuar të ushtrimit të tiranisë së shumicës mbi opozitën politike në Kuvendin e Shqipërisë.

Një tirani që duke penguar hetimin e materialeve zgjedhore, përpiqet jo vetëm të fshehë grabitjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar por, ç’është më e rrezikshmja, të ruajë të paprekur makinerinë e vjedhjes së votës në funksion të zgjedhjeve lokale që po afrojnë. Është një tirani që po e largon Shqipërinë nga projekti i integrimit europian.

* * *

Mjafton të lexosh nenin 77 të Kushtetutës së Republikës se Shqipërisë për të kuptuar dhunimin që i është bërë opozitës në të drejtën e saj, si dhe Kushtetutës vetë. Në këtë nen shkruhet e zezë mbi të bardhë se: “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”. Kemi nënvizuar jo më kot pjesën ku shkruhet se Kuvendi “është i detyruar” të ngrejë komisionin hetimor kur këtë e kërkon një pakicë sa një e katërta e tij. Për rastin në fjalë komisionin për hetimin e zgjedhjeve e kërkon jo një e katërta, por thuajse gjysma e Kuvendit. Atëherë përse nuk u ngrit komisioni. Sepse në këtë shtet nuk qeveriset me Kushtetutë dhe ligj, por sipas vullnetit të kreut të shumicës parlamentare që është njëherazi edhe Kryeministër.

Ai nuk do që të ngrihet ky komision hetimor dhe ai nuk ngrihet pavarësisht se është Kushtetuta që e detyron Kuvendin pra edhe shumicën ta ngrejë këtë komision me kërkesë të një pakice. Dhe të vendosësh mbi Kushtetutën përçartjet e një Kryeministri mbi gjoja pamundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor në mungesë të fakteve dhe grupfakteve, është ta përmbysësh Kushtetutën dhe bashkë me të edhe gjithë sistemin. Sepse sikundër ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese: “E drejta e hetimit parlamentar është zhvilluar në kuptimin e së drejtës së pakicave në Parlament…me qëllim që t’u japë atyre një pushtet të fortë…

Kjo e drejtë shërben njëkohësisht edhe si mjet në duart e pakicës parlamentare për të ushtruar kontroll kryesisht kundrejt ekzekutivit dhe për të kërkuar vënien para përgjegjësisë të mbajtësve të pushtetit…Në një sistem parlamentar, duke qenë se qeveria formohet nga shumica parlamentare e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore, e drejta e kontrollit hetimor i është njohur sidomos pakicës, që duke i pasur të kufizuara mjetet e saj, ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”. Kjo është logjika e Kushtetutës, logjika e vullnetit të sovranit të plazmuar në të. Por ç’ndodhi në Kuvend seancën e fundit të këtij viti që po mbyllet? Krejt e kundërta.

Në fakt, një puç mbi vullnetin e sovranit dhe Kushtetutën. E drejta e pakicës për hetim parlamentar u dhunua nga shumica. Tashmë në Shqipëri nuk është pakica ajo që vendos të ngrejë një hetim parlamentar për të vënë para përgjegjësisë mbajtësit e pushtetit, por përkundrazi janë mbajtësit e pushtetit ata që i tregojnë pakicës nëse duhet ta ngrejë apo jo një komision hetimor. Duke pohuar këtë fakt, ke thënë njëherazi se sistemi parlamentar në Shqipëri është goditur në zemër të tij duke degjeneruar në një sistem tiranik. Sapo kemi parë një tjetër zhvillim i cili u bën sfidë kritikave të Komisionit Europian (EC) lidhur me keqfunksionimin e Parlamentit në Shqipëri.

Në opinionin e tij të nëntorit të këtij viti, EC nënvizonte me shqetësim se “…Parlamenti nuk ushtron mbikëqyrje dhe kontroll efektiv mbi qeverinë…”. Tashmë shihet qartë se qeveria Berisha është e vendosur të mos lejojë që Parlamenti, të ushtrojë mbikëqyrje dhe kontroll efektiv mbi qeverinë nëpërmjet hetimeve parlamentare të nismuara nga pakica. Madje, Kryeministri Berisha deklaron publikisht se kontrolli qenka një sakrilegj! Natyrisht që është i tillë për çdo tiran që është mësuar vetëm të kontrollojë, por të mos kontrollohet, që është mësuar të kërkojë llogari, por të mos japë kurrë llogari.

* * *

Me vendimin për të mos i njohur pakicës të drejtën e komisionit hetimor, pushteti berishist po ecën në drejtim të kundërt me piketat e vendosura nga Komisioni Europian. Është një drejtim që nuk çon në fuqizimin e demokracisë kushtetuese, por të tiranisë. Është një kahje që e largon Shqipërinë nga Europa. Por mos vallë e drejta e pakicës për hetim parlamentar është e pakufizuar. Aspak! Por kufijtë e kësaj të drejte janë përcaktuar me Kushtetutë dhe nuk është vullneti i asnjë Kryeministri që i përcakton ato.

E drejta e pakicës shtrihet deri aty ku nuk cenohet e drejta e pushteteve të tjera. Komisioni hetimor nuk ka të drejtë të hetojë, për shembull, drejtësinë e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Komisioni hetimor i drejtuar nga pakica nuk duhet të bëjë pikërisht atë që bëri dikur komisioni parlamentar në rastin e kryeprokurorit, Theodhori Sollaku. Ai komision i drejtuar nga berishianët, hetoi vendimmarrjen e prokurorisë, gjë që është një dhunim i parimit të ndarjes së pushteteve.

Sot janë po të njëjtët politikanë që ngjiren se po “mbrojnë” Kushtetutën në një kohë që po e dhunojnë përsëri atë. Është po i njëjti Berishë që ka të regjistruar në karrierën e tij si Kryeministër, me dhjetëra tentativa për të mpiksur aspiratat e tij antikushtetuese në projektligje. Këtij klani tiranik, Kushtetuta nuk i njeh asnjë të drejtë për të vendosur me shumicë se kur dhe si ngrihet një komision i kërkuar nga pakica. Ajo i urdhëron ata ta ngrenë komisionin duke iu bindur pakicës. Por te bindja ndaj Kushtetutës Berisha, sikundër çdo tiran, sheh fundin e sundimit të tij. Prandaj është detyrë e opozitës që ta detyrojë Berishën t’i bindet Kushtetutës. Me se? Me të gjithë arsenalin e mbetur demokratik për liri dhe demokraci!