
Nga Gjergj Thanasi
Një histori tjetër trafiku me protagonist Fatmir Mediun e Ylli Pinarin. Koreja e Veriut na shiste armë për të cilat nuk kishim nevojë, e në më pas këto armë i drejtonim për organizata terroriste. Shqipëria njollosej duke u përdorur si vend tranzit, Mediu e Pinari pasuroheshin
Gjatë tetë vjeçarit të pushtetit të së majtës, u bë kujdes i madh për të mos pasur kontakte ushtarake me shtetet komuniste si: Koreja e Veriut, Vietnami, Kuba, Kina etj. Madje edhe kontaktet me shtetet bataktçinj, apo Serbinë e pas Milosheviçit, ishin rudimentare, të bëra me kujdes dhe të maskuara maksimalisht. Të majtët i druheshin reagimeve të ashpra të opozitës, të PD-së dhe partive nacionaliste si PLL-ja apo Balli Kombëtar. Me ardhjen e PD-së në pushtet, tregtia, ose më mirë të themi kontrabanda e armëve, u pa si një burim i madh të ardhurash, jo për shtetin, por për xhepin. Pikërisht për këtë arsye u intensifikua bashkëpunimi me Serbinë, shtetet batakçinj dhe vendet komuniste. Më poshtë do të trajtohet përmbledhtazi vetëm kontrabanda e armëve me Lindjen e Largët, përkatesisht Korenë e Veriut.
***
Pak ditë pasi u bë Ministër Mbrojtje Fatmir Mediu, Kryetari i Partisë Republikane, d.m.th të djathtës më djathtas se PD-ja, me porosi të udhëheqjes politike të Ministrisë së Mbrojtjes u vendosën kontakte pune me Korenë e Veriut. Këto kontakte u vendosën midis drejtorit Pinari, aktualisht i paraburgosur, dhe atasheut ushtarak të Koresë së Veriut në Sofje, kolonelit Ho Chol Guk. Takimi i parë midis Pinarit dhe kolonelit komunist u bë afër Sofjes në fund të shtatorit 2005. Me atasheun komunist u diskutua rifillimi i marëdhënieve ushtarake me Korenë e Veriut. Këto marrëdhënie konsideroheshin të rëndësishme dhe me mjaft interes nga kabineti shqiptar, që sapo kishte bërë betimin.
Në datë 25.10.2005 kontaktet midis Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe ushtarakëve koreano- veriorë u përqendruan në kërkesa për blerje armatimesh të shumëllojshme si psh. automatikë, mitralozë të llojeve të ndryshme, bazuka etj.
Në pamje të parë kërkesa dukej legjitime, në shërbim të modernizimit të ushtrisë shqiptare. Në fakt vetëm dy artikuj, përkatësisht 1000 copë automatikë AKM me granatahedhës të inkorporuar dhe 400 copë bazuka tip GP25/30 (ndonëse patenta ishte 30 vjeçare sovjetike), mund të konsideroheshin një hap para në rritjen e fuqisë së zjarrit të skuadrës së këmbësorisë. Artikujt e tjerë si mitralozë të tipeve të ndryshëm, automatikë AKMS, etj janë armë që ushtria shqiptare i ka prej gati 50 vjetësh në arsenalet e veta. Për më tepër të tilla armë po eksportohen dhe po demontohen si të tepërta nga shteti shqiptar që nga pranvera e vitit ‘91 dhe në vazhdim.
Në planet e mobilizimit të ushtrisë shqiptare, ushtria aktive dhe forcat rezerviste nuk shkojnë kurrë më shumë se 60.000 trupa, atëherë pse importohen 100.000 copë automatikë kur të ngjashëm me to i demontojmë e i eksportojmë si të tepërt? Theksojmë se këto automatikë AKMS janë patentë sovjetike e vitit 1961, shumë të ngjashëm me homologët e tyre kinezë apo klonet e prodhuara në uzinën tonë të Gramshit.
Përgjigja logjike e pyetjes është: për tu rishitur. Skema e trafikut është ajo e përdorur edhe në mjaft trafiqe të tjera armatimi. Skema është: Koreja e Veriut- Shqipëri- firmë fantazmë. Ndër firmat fantazmë përmendim Rex, Panorama LTD, Monston Engineering, Viviane LTD, B&T, filial i firmës zvicerane me të njëjtën emër. D.m.th blerësi fundor është ai blerës që e ka ligjërisht të pamundur të lëshojë certifikatë EUC, pra, ose vend nën embargo armësh, ose organizatë terroriste.
Më datë 19.4.2006 pala shqiptare bëri kërkesat e para për raketa SAM MANPAD (raketa kundërajrore supi), gjoja për modernizimin e ushtrisë shqiptare, por në fakt për t’i trafikuar drejt destinacioneve të treta si në rastin e raketave ukrainase që përfunduan në duart e Hezbollahut libanez. Kjo kërkesë për blerje raketash përbënte një intensifikim të marrëdhënieve me Korenë komuniste, gjithnjë në emër të plotësimit të standarteve të NATO-s për modernizimin e forcave të armatosura. Logjikë e bukur kjo, për të hyrë në NATO kërkoheshin te bliheshin raketa nga arsenalet e diktatorit komunist Kim Jong.
Më datë 12.5.2006 Ministria e Mbrojtjes shqiptare kërkonte të furnizohej nga Korea e Veriut me pajisje elektronike për zhurmimin e aparaturave GPS të armikut në fushën e betejës si dhe për qëllime policore. Të tilla aparatura me të dhënë tekniko- taktike, të ngjashme me sistemet iraniane GOOYA 300 dhe GOOY 600, ishin të domosdoshme për të plotësuar dispozitivin elektronik (ndërlidhje- luftë elektronike-rikonjicion Sigint) të Hezbollahut për betejën e pritshme me ushtrinë izraelite në gusht të vitit 2006. Shkatërrimi i një pjese të konsiderueshme të arsenaleve të Hezbollahut gjatë luftës së gushtit 2006 i detyroi njerëzit e Nasrallahut të kërkonin burime të reja furnizimi ku të mundnin. Si burim furnizimi ishin Irani, Siria, Koreja e Veriut dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik. Për disa nga këto vende mbetej problem transporti deri në Liban, pa u interceptuar nga agjencitë ligjzbatuese izraelite. Në këtë kontekst roli i Shqipërisë si vend tranzit ishte mjaft i rëndësishëm për bashkëpunimin ushtarak Hezbullah- Kore e Veriut. Për më tepër që pala shqiptare ishte e gatshme të bënte gjithçka për të lehtësuar këtë kontrabandë armësh midis këtyre dy entiteteve.
Më datë 12.2.2008, një delegacion i madh (8-9 persona, përfshirë shoqëruesin) korean viziton z. Mediu në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo vizitë i dha një impuls të ri marëdhënieve ushtarake midis Shqipërisë demokratike dhe Koresë komuniste. Nuk jemi të informuar për temat me interes reciprok, që u trajtuan në takimin me ministrin republikan Mediu me oficerët komunistë koreano veriorë, gjithsesi sinjifikativ është fakti që ky takim iu mbajt sekret Louis Boros, ish- kolonel amerikan, aktualisht punonjës i firmës Coubic Defence Applications Group Inc., i cili këshillonte ministrin Mediu për modernizimin e forcave tona të armatosura për të arritur standardet e NATO-s. Për koincidence, pas këtij takimi u ndërprenë eksportet e skrapeve ushtarake të tunxhit me përmbajtje floriri për në portet e Koresë së Jugut si në Pousan dhe në Itchon.
Mbas takimit me ushtarakët koreano- veriorë, ministri Mediu pati një takim pune me gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Blendi Fevziu, siç shihet edhe në faksimilen e dokumentit. I gjithë ky idil ushtarak qeveri e djathtë- Kore komuniste është një provë ngjethëse e tahmasë pa kufi për para. Kjo tahma, që dëmtoi rëndë prestigjin dhe interesat e Shqipërisë në sytë e aleatit tonë strategjik SHBA-së, është edhe një nga shkaqet e kasaphanës së Gërdecit.
Historia e marrëdhënieve ushtarake Shqipëri-Kore komuniste është njëkohësisht edhe dëshmi ulëritëse e defiçencës mendore të kontrabandistëve shqiptarë. Të komunikosh me fakse apo me takime kokë më kokë me atasheun ushtarak koreano- verior në Sofie dhe pastaj të pretendosh që të mos biesh në sy, që veprimet e tua të mos dokumentohen nga shërbimi sekret bullgar, është me të vërtet idiotizëm. Kuptohet, Bullgaria si vend anëtar i Nato-s të tilla informacione i ndan me aleatin e saj strategjik në NATO. Kristofer Hill, shef i ekipit amerikan për problemet e armëve të Koresë të Veriut është njëkohësisht njohës i shkëlqyer i skenës politike shqiptare, edhe për shkak të eksperiencës së tij personale në Ballkan. Ai nuk e ka të vështirë t’i lidhë bashkë faktet për të nxjerrë një konkluzion të arsyeshëm nga takimet kolonel koreano-verior-drejtori Pinari, delegacion i zgjeruar ushtarak korean- ministri Mediu si edhe nga miqësia e zotit Mediu me një djalosh rreth 30 vjeçar, i cili Mediun dhe ministra të tjerë të kabineteve Berisha i ka zënë miq, që kur merrnin pjesë së bashku në mitingjet e opozitës në vitet 2001-2005. Pasojat e këtij trafiku armatimesh për protagonistët e tij dhe për të gjithë shqiptarët, njëlloj si me historinë e qemanes së Nastradin Hoxhës, që avazi do i dëgjohej sabajle.
* Shënim: Të gjitha faksimilet që provojnë këtë trafik të rëndë në emër të Shqipërisë, disponohen nga gazeta Tema, por për arsye teknike nuk mund të vendosen në internet. Në versionin print do ishin të gjitha të vendosura përkrah shkrimit. Ky investigim është në vazhdën e disa të tjerave, të bërë më parë nga gazeta në lidhje me pokëtë çështje: trafikun e armëve drejt terroristëve duke përdorur emrin e Shqipërisë







