Si anëtar i Partisë Demokratike

0
28

BESNIK MUSTAFAJ, 19.08.2011

Më 1996-n, kur ua besoi partinë nëpunësve, na bënë gjëmën

Edhe pak javë kanë mbetur nga çelja e stinës së re parlamentare. Të gjitha gja
sat paralajmërojnë një stinë parlamentare të ngarkuar. Për arsye se nuk do të isha i qetë me ndërgjegjen time po të hiqesha si i pavarur, po them se preokupimin e vërtetë e kam kryesisht për aftësinë dhe pjekurinë që do t’i duhet Grupit Parlamentar demokrat për t’u përballur me sfidat që e presin. Gjysma e dytë e mandatit është thyer tashmë. Është krejt e natyrshme që partitë politike të fillojnë të shohin nga zgjedhjet e reja. Këtij rregulli universal për demokracinë i nënshtrohet, doemos, edhe Partia Demokratike.

Para gati një muaji u mblodh Këshilli Kombëtar i PD-së. Kjo ishte mbledhja e tij e dytë në gati dy vjet. Pavarësisht se u zgjodh më në fund Kryesia e re, kjo mbledhje, me mënyrën aspak serioze si u zhvillua, tregoi qartë nën dritën e nxehtë të korrikut se Partia Demokratike pothuajse nuk funksionon si organizatë politike. Them “pothuajse” pasi e vetmja strukturë e saj statutore, e ngritur e që mblidhet rregullisht, është Grupi Parlamentar.

Për t’iu përgjigjur mijërave mesazheve që kam marrë nëpërmjet takimeve të drejtpërdrejta, por sidomos në Facebook, në e-mail e në telefon, e ndiej për detyrë si demokrat të përmend shpejt e shpejt disa nga detyrimet thelbësore që nuk i kreu kjo mbledhje e shumëpritur e Këshillit Kombëtar, të cilat jo vetëm ia ngarkon në mënyrë të detyrueshme statuti, por edhe vetë kryetari i partisë, zoti Berisha, ishte zotuar faqe ne të gjithëve në mbledhjen e parë, në fillim të shkurtit, se do t’i përmbushte.

* * *

Përsëri nuk u përmbyll zinxhiri i zgjedhjeve dhe konstituimit të strukturave drejtuese të partisë. Ende sot kjo parti nuk ka të ligjëruar asnjë nga sekretarët e saj. Ka të ligjëruar vetëm njërin nga nënkryetarët, zotin Patozi, i cili e gëzon këtë funksion me cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar. Sidomos e ndjeshme do të duhej të ishte mungesa e sekretarit të Përgjithshëm, i cili, me statut, renditet i dyti në hierarkinë e partisë. Partia Demokratike nuk ka sot një sekretar të Përgjithshëm legjitim.

Kjo do të thotë se as për punë e as për protokoll, Partia Demokratike, e cila është edhe partia qeverisëse e vendit, nuk e ka figurën e vet të dytë drejtuese. Një boshllëk i tillë është, pa dyshim, me pasoja shumë të rënda për jetën e brendshme të një force politike. Akoma më të mëdha janë dëmet në rastin e një force politike shumë të madhe e me përgjegjësi historike në jetën e vendit, siç është Partia Demokratike.

Por, një boshllëk i tillë flet shumë dhe flet vetëm për keq për mentalitetin e kryetarit, në këtë rast zoti Sali Berisha. Unë, që kam bërë rrugë me këtë parti qysh ditën e saj të parë, nuk e kuptoj sinqerisht gjithë këtë shpërfillje të zotit Berisha ndaj statutit të partisë. Kurrë më parë nuk ka qenë ai kaq nëpërkëmbës ndaj normave të organizimit të partisë.

Në këto rrethana kaq specifike dhe të paprecedente në historinë e Partisë Demokratike, Grupit Parlamentar demokrat i bie barra e jashtëzakonshme të kryejë edhe shumë punë të tjera politike, punë që në demokraci janë zakonisht jashtë fokusit të përditshëm të një ligjvënësi. Me dëshpërim të thellë e pohoj se nuk shoh rrugë tjetër që Partia Demokratike të mbijetojë si forcë politike dhe të shkojë në zgjedhjet e pranverës 2013 më njëfarë dinjiteti politik. Berisha ndoshta i beson autoritetit të tij të natyrshëm si Kryeministër për të mobilizuar energjitë e nevojshme për një fushatë elektorale. Gabohet!

Asnjë fushatë elektorale kombëtare nuk përballohet, e aq më pak të fitohet mbështetur në armatën e punonjësve të shtetit. Në demokraci, por vetëm në demokraci ama, një fushatë elektorale përballohet e madje edhe fitohet vetëm në sajë të mobilizimit të armatës së militantëve, qoftë kjo armatë edhe shumë më e vogël numerikisht se gjysma e qytetarëve që do të shkojnë në kutitë e votimit. Militantët janë zonja e zotërinj me vetëdije të lartë politike, të cilët i lidh me njëri–tjetrin në atë që quhet parti pikërisht ideja e përbashkët politike dhe besimi i fortë se ideja e tyre, e shndërruar në program, është alternativa më e dobishme për zhvillimin e vendit.

Militantët i shërbejnë kësaj ideje vullnetarisht dhe pa kushte. Dhe, si të tillë, nuk lodhen e as përtojnë ta përhapin këtë ide dhe ta rrënjosin te sa më shumë pjesëtarë të shoqërisë. Drejtuesit e Partisë Demokratike, midis të cilëve kam qenë edhe unë vetë për shumë vite, e kemi provuar dhe gëzuar fuqinë promovuese e rrezatuese të militantëve, sidomos në mars 1992 e në qershor 2005, kohë kur, edhe të donim, nuk kishim nëpunës për t’i “përdorur”.

Ndërsa armata e nëpunësve del më së shumti nga shtëpia vetëm me motivin për të ruajtur vendin e punës. Ky motiv nuk ka asgjë të përbashkët me devocionin që kërkon përhapja e një ideje apo programi politik. Kjo është një e vërtetë e provuar ku më shumë e ku më pak në të gjitha realitetet demokratike. Sali Berisha duhet ta dijë kaq gjë nga leximet. Por jo vetëm nga leximet. Zelli i nëpunësit gjatë fushatës elektorale dhe sidomos te kutia e votimit përmban në vetvete rrezikun e teprimit, që do të thotë kërcënim serioz për themelin e demokracisë.

Partia Demokratike e ka një përvojë shumë të hidhur kur fushatën ua besoi nëpunësve, të cilët, brenda natyrës së tyre, donin rezultatin, pa pak rëndësi kishte si arrihej ai dhe na bënë gjëmën e majit 1996. Ishte një gjëmë tejet e dhimbshme për Partinë Demokratike më së pari, por edhe për mbarë Shqipërinë. Si anëtar i kësaj partie unë i përgjërohem publikisht Sali Berishës të mos e shndërrojë edhe një herë Partinë Demokratike në parti rrogëtarësh!

Ai duhet ta mbajë mend mirë me sa mundim e ringjallëm këtë parti pas ngjarjeve të pranverës 1997. Përgjërimi im është për më tepër i sinqertë ngaqë mua me këtë parti nuk më lidh më asnjë interes karriere. Unë e kam mbyllur jetën time politike. Nuk ka më rrezik t’i zë vendin askujt. Jam krejt në paqe me veten duke shkruar librat e mi. Por nuk jam aspak në paqe me avancimin e idesë time politike.

* * *

Sipas statutit, Këshilli Kombëtar është organi ku përpunohen politikat e partisë midis dy kongreseve, politika që duhet të miratohen në mënyrë demokratike nga ky Këshill, për t’u shndërruar pastaj në programe për t’iu paraqitur mbarë shoqërisë. Pa hyrë në një shqyrtim përgjithësues mbi përmbushjen e kësaj detyre gjatë dy vjetëve të fundit nga ky Këshill, ku edhe unë vetë jam anëtar, po ndalem vetëm te mbledhja e fundit dhe madje vetëm te një çështje, e cila nuk duhej mënjanuar kurrsesi në këtë rast. Fjalën e kam për zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor.

Këshilli ynë Kombëtar duhej t’i analizonte këto zgjedhje me seriozitetin më të madh. Kur mblidhemi midis nesh, për më keq pa media, duke ndjekur shembullin e shëmtuar të Edi Ramës me Partinë Socialiste, është e domosdoshme që të flasim sinqerisht me njëri-tjetrin e ta shohim të vërtetën në sy. Ka marrë koalicioni ynë numër votash më të madh se koalicioni kundërshtar? Po, ka marrë. Statistikat janë kokëforta, dhe shyqyr! Por vetë Partia Demokratike, sipas të njëjtave statistika, është tkurrur ndjeshëm dhe, në një ballafaqim shifrash me Partinë Socialiste, ne jemi shumë larg saj.

A ka një arsye kjo rënie? Një parti e pjekur do të duhej t’i jepte një përgjigje analitike kësaj pyetjeje dhe të përcaktonte fushat e veprimit të vet në të ardhmen e afërt e më tej. Nuk u bë kjo gjë. Ne nuk mund të shkojmë larg duke u fshehur pas flamurit të kuq të LSI-së e të disa partive të tjera të vogla, plotësisht të majta, me të cilat ishim në koalicion. Kujt i shërbeu të gënjejnë veten? Pjesëmarrja e tyre në koalicion me ne dëshmoi një taktikë të suksesshme nga ana e lidershipit tonë. Por, Partia Demokratike ka nevojë të ketë në krye strategë që ta përmbushë misionin e vet historik ndaj kombit. Me tekticienë cic-micesh nuk mund të shkojë larg.

Këto zgjedhje thelluan dukshëm një ndryshim cilësor të vërejtur si simptomë qysh në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin vendor, në përbërjen e elektoratit që i beson Partia Demokratike. Po të lëmë mënjanë Tiranën, ku zgjedhësit u ndanë aritmetikisht në dy gjysma të barabarta, dhe Shkodrën, Partia Demokratike humbi kësaj here në të gjitha qytetet me peshë mesatare dhe të madhe në jetën ekonomike dhe intelektuale të vendit. Ky është një fakt i rëndë, shumë i rëndë madje, e që do të duhej të analizohej në thellësi me vëmendje të plotë e kompetencë politike në Këshillin Kombëtar.

Ne demokratëve nuk na besojnë më mjaftueshëm, na besojnë gjithnjë e më pak nga viti në vit atje ku është ekonomia, domethënë tregu i lirë dhe universitetet, domethënë ajka e rinisë që do të marrë në dorë fatin e Shqipërisë nesër. Por na beson ende pak më shumë popullsia rurale. Për të mos u zgjatur, po kujtoj kalimthi se në zgjedhjet e para, kur u shfaq para shqiptarëve Partia Demokratike si alternativë pushteti, ato të marsit 1991, ne kemi fituar, dhe kemi fituar thellë në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pa asnjë përjashtim.

Çfarë ka ndodhur, pra, me identitetin e Partisë Demokratike? Kjo do të duhej të ishte një pyetje torturuese të paktën që nga 9 maji e këndej për kokën e një politikani me përvojën dhe staturën e Sali Berishës. Unë për veten time kështu i mendoj vramendjet e një lideri.

Dhe çuditem e hutohem kur e shoh kryetarin tim aq të qetë e të lumtur të flasë për objektivat e tij, të cilat do menduar se janë edhe të Partisë Demokratike, për vitin 2017. Si do t’i mbërrijë këto objektiva? Petulla me ujë nuk bëhen, kanë thënë të parët në Tropojë, që është vendlindja e zotit Berisha, por edhe e imja. Duhet pak yndyrë. Ata e kanë ditur përse ishte fjala.

besnik@afalc.org