Shuplakë e Freedom House për Berishën: Nuk arrin të distancohet nga të korruptuarit

0
24

Nga VOA, RFE

Liria në botë pësoi një rënie globale për të katërtin vit me radhë në vitin 2009, sipas raportit të fundit të organizatës Freedom House. Raporti vjetor, “Liria në Botë”, që u bë publik dje, përmend Amerikën Latine, Afrikën, ish-Bashkimin Sovjetik dhe Lindjen e Mesme si rajonet ku liria ka pësuar më shumë rënie. Ballkani është një nga rajonet me rezultate pozitive për vendet e tij, dhe Kosova është mes tyre. Por Shqipëria ka mbetur në të njëjtin pozicion me një vit më parë me gjithë anëtarësimin në NATO. Zëri i Amerikës intervistoi Drejtorin e Studimeve të Freedom House, Christopher Walker

Zoti Walker, raporti i këtij viti për gjendjen e lirisë në botë, është pesimist. A mund të bëni disa komente në përgjithësi për rezultatet kryesore të këtij raporti?

Ky vit ishte i katërti me radhë me rënie globale. Kishim gjithsej 40 raste të keqësimit të situatës, ndërsa vetëm 16 patën rritje, kështu që për katër vjet në shkallë globale është shënuar rënie. Në shumë nivele, kjo është arsye për shqetësim në rritje, pasi do të thotë më pak liri në përgjithësi dhe rënie në aspekte të lidhura me të, si për shembull më pak përgjegjësi dhe transparence në pjesë të konsiderueshme të botës.

Megjithëse gjendja për Ballkanin është përmirësuar në krahasim me pjesë të tjera të botës, gjendja në Shqipëri për sa i përket situatës politike ka mbetur e pandryshuar dhe përsëri në raportin e sivjetshëm flitet për korrupsion shumë të përhapur dhe për ineficiencë në institucionet e rendit dhe të drejtësisë. Cili do të ishte komenti juaj?

Është e vërtetë që Ballkani ishte një nga rajonet me rezultate pozitive këtë vit. Një numër vendesh shënuan përparim, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Kosova ishte një nga vendet që ndryshoi kategori, duke kaluar nga grupi i vendeve jo të lira tek ato me liri të pjesshme. Duke pasur parasysh rënien globale, përmirësimet në Ballkan janë të dukshme dhe kjo është në ndryshim nga prirja e përgjithshme. Për sa i përket Shqipërisë, është e vërtetë që ka mbetur në të njëjtin pozicion, sipas vlerësimeve tona, është vend pjesërisht i lirë, çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra, ka ende hapësirë për përmirësim. Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar te media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin, që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport.

Le të vazhdojmë pak të flasim lidhur me akuzat për korrupsion. Në raport thuhet se kryeministri Berisha nuk ka pranuar të distancohet nga aleatë të tij të përballur me akt-padi nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, dha dorëheqjen dhe iu hoq imuniteti pas shpërthimeve në Gërdec në vitin 2008. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi se rizgjedhja e tij si deputet ia riktheu imunitetin, dhe ai është përsëri ministër në qeverinë e re. A mund të na thoni më konkretisht se çfarë do të thotë kjo situatë për gjendjen e institucioneve në Shqipëri?

Mendoj se ju identifikuat një pikë shumë kritike, pra që çdo çështje paraqet sfidat dhe shqetësimet e veta, veçanërisht ato të niveleve më të larta të politikës në çdo vend. Prova është te përgjigjja e institucioneve dhe ato që kemi parë në disa vende në disa pjesë të Evropës Juglindore dhe Lindore, janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, çka do të thotë se ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për prokurorinë, kur është e nevojshme. Prandaj mendoj se rasti që ju përmendni kërkon një vigjilencë të madhe për të garantuar që drejtësia të kryhet hapur, me transparencë, në mënyrë që të sjellë rezultatet e duhura dhe të hapura gjyqësore.

Një situatë e tillë tregon se ka pasur përparime politike, po ta shohësh nga jashtë, për shembull tani, Shqipëria është anëtare e NATO-s, por, nga ana tjetër, ka disa probleme që janë të brendshme të institucioneve dhe gjendjes së demokracisë në vend. Çfarë do të sugjeronit ju si zgjidhje për një gjendje të tillë?

Mendoj se është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se në të gjitha shoqëritë, si kur bëhet fjalë për demokraci më të konsoliduara, që kanë vështirësitë e veta për përmirësimin e institucioneve të tyre, po ashtu edhe për vende në tranzicion, aty ku ka më pak burime në dispozicion për të bërë të mundur reforma më energjike. Një nga sfidat kryesore është, nëse mund të ndërmerren reforma më të thella dhe më të pjekura institucionale dhe nuk ka një zgjidhje të shpejtë, nuk ka ndonjë metodë magjike. Është thelbësore të kesh një pjesëmarrje më të qenësishme publike, është kritike që shoqëria civile të angazhohet në këto diskutime për të nxitur reformat, që qeveria të jetë e ndershme dhe e përgjegjshme. Parimet që ne kemi vlerësuar në raportet tona janë kritike dhe ne do të sugjeronim përmirësime në medie, rritje të kapacitetit të shoqërisë civile. Nëse ka përmirësime në këto fusha, është e arsyeshme të presësh përmirësime, qoftë edhe graduale, por do të ndodhin. Është një nga sfidat më të vështira për t’u kapërcyer në fushën e drejtësisë, për shumë vende që ne analizojmë, në mënyrë që transparenca të kthehet në normë dhe të mos jetë përjashtim.

Një nga problemet kryesore në politikën e Shqipërisë sot është se opozita mbeti jashtë parlamentit, që kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet vitin e kaluar. A keni ndonjë sugjerim ose koment për zbutjen e situatës politike dhe për tejkalimin e këtyre problemeve që kanë efekt negativ në forcimin dhe zhvillimin e institucioneve në vend?

Kjo gjithashtu është një dukuri që po ndodh në shumë vende, ku opozita, ose nuk gjen një rol të kënaqshëm, ose rrugën efektive për të luajtur rolin e vet në politikën e vendit. Nuk mendoj se kjo është diçka e pazakontë, por mendoj se përgjigjja mund të gjendet në mënyra më inovative për të angazhuar publikun në diskutime publike dhe në hartimin e mënyrave më efektive për të komunikuar alternativat politike si pjesë e platformave politike të partive. Kjo gjithashtu është një nga sfidat kryesore, me të cilat përballen vendet në tranzicion, për normalizimin dhe shtimin e efektivitetit të politikës dhe dialogut politik.

Një nga çështjet që ju përmendët në fillim është situata e medies dhe në fakt gjendja e gazetarëve në Shqipëri është shpesh shqetësuese. Ata frikësohen, nuk kanë sigurinë e punës dhe një nga incidentet më të rënda të vitit të kaluar ishte ai, kur drejtori i gazetës “TemA”, Mero Baze, u rrah para një restoranti nga një manjat i naftës në Shqipëri. Çfarë mendoni se duhet bërë që media të marrë rolin e saj në Shqipëri për të çuar përpara demokracinë?

Rasti që ju përmendni ose edhe të tjerë të ngjashëm, ku qeveria mban një qëndrim armiqësor ndaj medies apo ku nuk lejon një diskutim të hapur dhe të sinqertë të çështjeve, është shumë shqetësues dhe është nga ato raste që ne kemi parë në Shqipëri prej disa vjetësh. Objektivi është pakësimi i këtyre rasteve abuzimi dhe frikësimi, pasi media është absolutisht thelbësore për avancimin e reformave të tjera, jo vetëm për të luftuar korrupsionin, por, nëse një medie e hapur dhe e pavarur nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike, çështje të sigurisë, do të ketë rezultate negative për sa u takon këtyre politikave. Do të ketë më pak informacion në diskutimin publik, më pak shanse për diskutime të qenësishme të këtyre çështjeve që janë gjithmonë të vështira në çdo rrethanë, por, nëse medies i vihen kufizime për të luajtur rolin e vet për këto çështje, është diçka shumë negative për shoqërinë shqiptare. Kjo është diçka që ne e ndjekim nga afër, jo vetëm në raportin tonë për gjendjen politike në përgjithësi, por do ta trajtojmë edhe më në hollësi këtë çështje, kur të nxjerrim raportin për lirinë e shtypit në fund të prillit.

Kosova avancon – nga jo e lirë në pjesërisht e lirë

Statusi i shtetit të ri të pavarur të Kosovës ka avancuar nga “jo i lirë” në “pjesërisht i lirë”, në sajë të forcimit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe organizimit të zgjedhjeve të nëntorit, që ishin të parat prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, që në përgjithësi janë konsideruar se janë në harmoni me standardet ndërkombëtare, tha Christopher Walker nga organizata Freedom House dhe njëri nga autorët e raportit të fundit për liritë demokratike në shtetet në mbarë botën.

Raporti vlerëson se Ballkani Perëndimor ka shënuar përparime në liri gjatë vitit, ndërsa përmirësimet në Kosovë ishin më të dukshmet.

Vendet e tjera në Ballkan, ku janë shënuar përmirësime, janë: Kroacia, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, që lëvizi nga kategoria “pjesërisht i lirë” në atë i “lirë”.

Në raportin e fundit të organizatës Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, theksohet se të drejtat politike dhe liritë civile, gjatë vitit 2009, kanë shënuar më tepër pengesa sesa përmirësime.

Ky vit është shënuar me represion të shtuar kundër mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe veprimtarëve civile. Rënie e të drejtave janë regjistruar në 40 vende, në Afrikë, në Amerikën Latine, në Lindjen e Mesme dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, që përfaqësojnë 20 për qind të popullatës totale botërore.

Sipas raportit, shtetet autoritare, përfshirë Iranin, Rusinë, Venezuelën dhe Vietnamin, janë bërë më represive. Rënie në liri kanë ndodhur edhe në vendet që kishin regjistruar trende pozitive në vitet e mëparshme, siç janë rastet me Bahrejnin, Jordaninë, Kenian dhe Kirgizinë.

Rusia e ka vazhduar trendin e gjatë në goditjen në llogaridhënie dhe transparencë, thotë Christopher Walker nga Freedom House, përkundër premtimeve nga presidenti rus, Dmitry Medvedev për ripërtëritjen e debatit publik dhe për më tepër atmosferë liberale politike në Rusi, pas tetë vjetësh nën udhëheqjen e Vladimir Putinit.

“Marrë në tërësi, ajo që ne shohim, është vazhdim i asaj që ka ndodhur gjatë disa viteve të fundit. Ky cikël i fundit është ai për të cilin presidenti Medvedev ishte në kontroll dhe nuk ka asgjë që sugjeron se politikat që ai i ka zhvilluar, e kanë modifikuar ose ndryshuar kornizën themelore të qeverisjes, që ishte vendosur para tij”, – tha Christopher Walker.

Rënia e trendeve në Rusi përfshin abuzimet me vota në zgjedhjet lokale, rritjen e manipulimit shtetëror në prezantimin akademik të historisë dhe përdorimin aktual të presionit politik për t’i keqtrajtuar aktivistët për të drejta të njeriut dhe gazetarët.

Rusia ka rënë në radhitjen e organizatës Freedom House, gjatë dekadës së fundit, prej “pjesërisht e lirë” në “jo të lirë”.

Arch Puddington, drejtor i hulumtimeve në Freedom House dhe njëri nga autorët e raportit, thotë se erozioni i të drejtave politike dhe lirive civile në Rusi, është pasojë e asaj që ai e quan “efekt i Putinit”.

“Një pjesë e rëndësishme e axhendës së Putinit ishte që të konsolidohet centralizimi shtetëror ndaj shoqërisë ruse sa më shumë që të jetë e mundur. Çështja e dytë e ‘efektit Putin’ është ajo që ndodhi në fqinjësi. Ne shohim rënie në kushtet politike në një numër të vendeve në fqinjësi të Rusisë dhe shohim se kjo ndodh pjesërisht edhe për shkak të diplomacisë së udhëhequr nga Putini”, – tha Arch Puddington.