—-Nga Anisa Ymeri—- 12 prill 2013
Tiranë – I gjendur në kryeqytetin e shqiptarëve, një ndër albanologët më të zëshëm arbëreshë, Matteo Mandalà nuk kursen shuplakën ndaj Tiranës zyrtare dhe botës akademike për mos reagimin ndaj Neo-Otomanizmit. Me ashpërsi dhe pa doreza, Profesor Mandalà tha prerazi: ‘Ky është vizion politik që po kërkon terren, por ama duhet ta themi se nuk është problem i Ankarasë por i Tiranës, i vendeve ballkanike’.
Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, albanologu që është edhe një ndër nxitësit e peticionit të intelektualëve kundër kërkesës së Ankarasë për zbutjen e termave të përdorura nga historiografia, që Perandoria Otomane nuk ka qenë pushtuese por administratore, Matteo Mandalà tha: ‘Nëse Ankaraja kërkon zbutje termash, duhet kundërshtuar, duhet reaguar me ashpërsi. Neo-Otomanizmi është prirje legjitime nga Ankaraja, dhe kështu duhet të jetë reagimi ynë, këtu në Tiranë, në Kosovë por edhe vende të tjera të Ballkanit që preken nga ky vizion. Duhet të ketë reagim shkencor dhe këtu nuk ka’-reagon me ashpërsi albanologu.
Sipas profesor Mandalà-s, ky është një problem më shumë se sa shqetësues sepse cenon identitetin kombëtar të shqiptarëve, historinë.
Në vijim të kësaj logjike, albanologu Matteo Mandalà thotë se ende sot, Shqipëria është në udhëkalimin e famshëm, mes Lindjes dhe Perëndimit. Por nga ana tjetër Shqipëria duhet të dijë të pozicionohet, nuk mund të mbetet me një këmbë andej e një këndej. Unë e kam të qartë se nga është udha e Shqipërisë, por kjo nuk mjafton sepse ne duhet të pozicionohemi ndaj këtyre çështjeve që kanë peshë tejet specifike siç është kjo përballje, debati për çështjet identitare dhe debati për standardin e shqipes.
Matteo Mandalà gjendet në Tiranë për paraqitjen e librit më të fundit studimor, një vepër themelor e qasje e re që na çon një shekull më parë sa i takon datimit të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Kjo qasje e re edhe metodologjike është “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”.