‘Shumë sinqerisht: ju po dëmtoni veten tuaj’

0
51

INTERVISTË me Ambasadorin e Danimarkës, 23.12.2009

Karsten Ankjaer Jensen

SHENIM I REDAKSISE SE SHEKULLIT:
Me poshte eshte nje interviste e Ambasadorit te Danimarkes ne Tirane, Karsten Ankjaer Jensen.
Ky version i intervistes eshte versioni i saj i plote. Diten e hene, intervista e z.Jensen u botua ne gazeten Panorama, por disa pjese te saj ishin censuruar.

Z.Ambasador, sa e rëndë ju duket situata politike aktuale?
Rregullat e funksionimit të BE-së përfshijnë shtetin e së drejtës, dialogun e qytetëruar, dhe jo më pak se ato, kompromisin. Pa to, bashkimi i 27 vendeve me pikëpamje gjerësisht të ndryshme, thjesht nuk do të mundej të funksiononte.

Shqipëria dëshiron të anëtarësohet. Dhe çdokush dëshiron që Shqipëria të anëtarësohet. Por,vitet e fundit në këto tre fusha, Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm prapa. Dhe në javët e fundit, padyshim.

Shumë sinqerisht, zhvillimet nuk janë në përputhje me vlerat, që qëndrojnë në thelb të Bashkimit, dhe po ashtu të anëtarësimit në BE. Sikurse tha përpara disa ditësh, Ministri i Jashtëm i Presidencës së BE-së, Bildt, partitë duhet të ulen, të flasin me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një zgjidhje.

Sigurisht që është e vështirë. Tensionet janë në rritje. Por mendoni për një moment: nëse klasa politike shqiptare nuk është në gjendje t’i gjejë zgjidhje një krize politike të krijuar nga vetë ajo, si mundet të japë një kontribut pozitiv në Europë? Me rastin e fundit, si mundet Shqipëria të shpresojë të bëhet anëtar?

Kur juve ju shkon në mend të drejtoni pyetje të tilla, gjendja duket se është serioze.

Po përsa i përket bojkotit?

Parlamenti është një institucion themelor në një demokraci moderne. Bojkotimi i parlamentit nuk është mënyra e reagimit në një demokraci, në kuptimin e saj të vërtetë.

Megjithatë, bojkotin e shoh më shumë si një simptomë se sa si sëmundjen vetë.

Dhe sëmundja është shtimi i mungesës së besimit tek institucionet e qeverisë dhe të shoqërisë. Jo, pa arsye, më vjen keq ta them.

Institucionet publike janë shtyllat e demokracisë. Nëse ato nuk lejohen të ushtrojnë forcën dhe paanshmërinë e nevojshme, për të siguruar rregulla të njëjta për të gjithë, atëherë demokracia vuan. Kjo duhet të preokupojë të gjithë shqiptarët, edhe nëse ata nuk janë të interesuar në politikë. Pse? Sepse kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shumën e lekëve që ata do të kenë në xhepat e tyre.

Investitorët, ndërkombëtarë apo vendas, pa dyshim mendohen mirë për investimin e pasurive të tyre në një vend ku nuk mund të jenë të bindur se trajtohen me drejtësi dhe sipas ligjit: në një vend ku paratë dhe jetesa juaj nuk është e sigurtë. E njëjta gjë vlen dhe për BE-në dhe për anëtarësimin në të.

Kështu keqpërdorimi I politikës dhe korrupsioni janë jo vetëm moralisht të gabuara. Sepse, ka një çmim të madh me të cilin duhet paguar, kur bëhet fjalë për begatinë e kombit, mirëqenien e shqiptarëve të thjeshtë dhe të ardhmen e brezave.

Mungesa e institucioneve mirëfunksionuese dhe e shtetit të së drejtës, për këdo, pavarësisht partisë politike që i përkisni, çfarë pozicioni keni, me kë jeni të lidhur, çfarë makine ngisni apo sa para fitoni- është për mendimin tim pengesa më e madhe për një të ardhme të begatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Përse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët?

Nuk mund ta bëjmë këtë. Shqipëria i ka të gjitha institucionet e një demokracie. Është në dorë të popullit shqiptar për t’i bërë ato funksionuese. Ne nuk mund t’i detyrojmë shqiptarët apo klasën tuaj politike të bëjnë zgjedhjet e duhura. Sikurse vepron ndonjë prej nesh, herë pas here, ajo ç’ka ne mund të bëjmë, është t’ju informojmë rreth pasojave të veprimeve tuaja. Megjithatë, zgjedhjet janë në dorë të shqiptarëve.

Po ku, në cilat fusha, është injoruar këshilla e komunitetit ndërkombëtar?

Më lejoni të jap disa shembuj:

Shembulli i parë: Unë dhe shumë kolegë, shumë herë, kemi paralajmëruar për pasojat e korrupsionit në aftësinë e Shqipërisë për t’u zhvilluar dhe hyrë në BE. Megjithatë, raporti i fundit nga “Transperancy International, i cili është edhe pikë e njohur referimi në nivel ndërkombëtar, tregoi një rënie të madhe në renditjen ndërkombëtare të Shqipërisë. Ky është lajm i keq për Shqipërinë, jo vetëm në lidhje me anëtarësimin e saj në BE. Është një frenim i madh i përpjekjeve për ta paraqitur Shqipërinë si një mundësi tërheqëse investimi për kompanitë ndërkombëtare. Pra edhe për shpresën e shqiptarëve për begati.

Pra, nuk është bërë shumë për ta ulur në mënyrë efektive korrupsionin. Disa individë në nivele të ulta janë goditur. Gjithsesi, për segmente të caktuara të shoqërisë, korrupsioni duket të jetë pa rreziqe reale.

Shembulli i dytë: Ndërkombëtarët, shumë herë, janë lutur që Shqipëria të heqë dorë nga zakoni i pushimit të njerëzve nga puna në sektorin publik, sa herë që ka ndonjë ndryshim në udhëheqje. Përse?

Së pari, sepse ne nuk na pëlqen të shikojmë paratë, që taksapaguesit tanë kanë investuar tek shumë nga ata njerëz, të shkojnë kot.Pasoja nuk duhet të na habisë. Më e vështirë do bëhet, marrja e financimeve ndërkombëtare, për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët. Megjithatë, zakoni vazhdon dhe për më tepër duket se është shtuar.

Së dyti, për shkak se kjo tregon një mungesë themelore të të kuptuarit të demokracisë, dhe rolit dhe përkatësisë së institucioneve publike. Këto institucione nuk janë çmimi i madh i llotarisë për këdo që fiton zgjedhjet apo një pozitë pushteti. Institucionet financohen nga të gjithë shqiptarët. Ato duhet të jenë njëlloj për të gjithë.

Së treti, dhe unë nuk di se si ta theksoj sa duhet këtë: për të arritur një liberalizim të vizave dhe për të hyrë në BE, Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Praktika e heqjes nga puna e personave të kualifikuar, cilado qoftë arsyeja, padyshim, siguron se anëtarësimi në BE dhe liberalizimi i vizave do të shtyhen edhe më tej në të ardhmen. Shumë sinqerisht: ju po dëmtoni veten tuaj.

Është e rëndësishme që shqiptarët ta kuptojnë se nuk ka hyrje të lehtë e të shpejtë. Duhet të bëni detyrat tuaja. As anëtarësimi në BE, as liberalizimi i vizave nuk do të vijnë si dhurata në pako. Është një shpërblim për një punë të kryer më së miri. Dhe ju keni nevojë për çdo njeri të aftë për të arritur këtë.

Kështu që koha dhe vendi është me të vërtetë në dorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj po presin vetëm që Shqipëria të jetë gati. Fati i të ardhmes tuaj është me të vërtetë në duart tuaja.

Shembulli i tretë: Dy herë në vit, Komisioni i BE-së kryen një vlerësim për përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat që kanë lidhje me anëtarësimin në BE.

Raportet, gjithashtu, përmbajnë rekomandime rreth detyrave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur këtë synim. Megjithatë, nëse i lexoni raportet, nuk gjeni asnjë rast ku vlerësimi i përparimit është “i shkëlqyer”,”shumë i mirë” etj. Shprehja më e përdorur në raportin e fundit të BE-së ishte “pak progres”, nëse e kujtoj mirë.

Duke qenë i jashtëm, kjo është më shumë se vetëm e çuditshme: Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe anëtarësimi në BE do të ndryshonte në mënyrë dramatike kushtet e jetesës të të gjithë shqiptarëve, dhe jo më pak të atyre që ende jetojnë në kushte ekstremisht të ashpra.

Dikush mund të mendojë se Shqipëria si komb, shqiptarët si popull, dhe klasa juaj politike, jo më pak, mund të përqëndrohen dhe të vendosin të gjithë kapacitetet për bërë që anëtarësimi në BE dhe liberalizimi i vizave të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në politikën shqiptare, duket të jetë një përshtypje e zakonshme, se nëse keni disa miq të mirë brenda BE-së, atëherë jeni të sigurtë se do të bëheni anëtar. Miqtë tuaj do të kujdesen për ju.
Fatkeqësisht, nuk është kjo mënyra e funksionimit të BE-së.

Anëtarësimi kërkon që të gjithë vendet anëtare të bien dakort. Pa përmbushur kërkesat, Shqipëria do ta ketë të vështirë arritjen e një konsensusi të të 27 vendeve.

Po e them këtë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë, sepse dëshiroj që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë funksionimin e BE-së.

Në fund të fundit, votuesit dhe taksapaguesit europianë janë ata që do të vendosin. Kështu, ju nuk duhet të prisni marrjen e mbështetjes së tyre përpara se Shqipëria të ketë vullnetin dhe aftësinë e përmbushjes së kërkesave dhe t’u përmbahet rregullave të BE-së.

Ju, me të vërtetë, duhet të tregoni, se jeni gati të kontribuoni pozitivisht në Bashkim, çdo vend dhe çdo parlament i Bashkimit duhet të bindet që Shqipëria do të jetë një shtesë pozitive dhe jo një barrë, në familjen europiane. Ky është thelbi.

Europa dhe shtetet anëtare të saj, i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një perspektivë për anëtarësim në një nga familjet më të begata në botë. Duke vepruar në këtë mënyrë, të gjithë Europianët, pa mëdyshje, kanë treguar besimin te Shqipëria dhe shqiptarët. E kemi treguar atë besim me veprat tona, si kombe të veçanta dhe si BE. Kemi bërë ç’është e mundur dhe kemi bërë patur shpenzime të mëdha për t’ju ndihmuar në arritjen e synimit tuaj. Dhe vendet apo organizatat e tjera ndërkombëtare kanë vepruar kështu.

Megjithatë, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve me të vërtetë është në duart tuaja. Veprat tuaja, vetëm veprat tuaja, janë ato që i realizojnë apo i thyejnë shpresat për të ardhmen.

Po tregoheni, jo si zakonisht, i drejtpërdrejt, si ambasador.

Zakonisht diplomatët flasin në ato mënyra, ku edhe kritika më e ashpër paraqitet si një përgëzim. Kjo i shërben një qëllimi të mirë, sepse ul tensionet. Megjithatë nëse dëgjuesi nuk e kupton mesazhin, apo e dëgjon atë në mënyrë të gabuar, atëherë duhet ndryshuar mënyra e të komunikuarit. Ne nuk mund ta ndihmojmë Shqipërinë të ndihmojë veten, nëse nuk e themi të vërtetën në atë mënyrë që njerëzit ta kuptojnë. Ndryshe, ju nuk do të mund të merrni vendimet e duhura.

Po flas hapur, sepse me të vërtetë besoj se Shqipëria, që nga zgjedhjet, dhe veçanërisht gjatë dy javëve të fundit, e ka shtyrë në drejtimin e gabuar, datën në të cilën ne do të mund t’i uronim Shqipërisë dhe shqiptarëve mirëseardhjen në familjen europiane.

Dhe kjo duhet parë në kontekstin e asaj që thashë më lart, pikërisht që Shqipëria nuk ka lëvizur drejt Europës aq shpejt sa ajo është në gjendje.

Nuk është kjo, ajo ç’ka BE dëshiron, dhe sigurisht nuk është kjo, ç’ka vendi im Danimarka po shpreson. Unë e ndjej, që kjo nuk është ajo ç’ka shqiptarët e thjesht duan apo dëshirojnë.

Duke jetuar këtu për një vit e gjysëm, kam besim të madh tek shqiptarët dhe tek potenciali i tyre për të kontribuar pozitivisht në të ardhmen e BE-së. Shumica e shqiptarëve janë miqësorë, të zellshëm dhe punëtorë të palodhur. Niveli i shkollimit është i lartë. Mentaliteti është pozitiv dhe largpamës. Politika e jashtme dhe toleranca fetare e Shqipërisë janë të pashoqe, dhe shumë nga ne brenda BE-së mund të mësojnë nga kjo. Në fakt, për mendimin tim, jeni të nivelit botëror në ato fusha. Unë i përjetova zgjedhjet personalisht dhe mënyra se si u sollën shqiptarët e thjeshtë ishte një shenjë mbresëlënëse për të ardhmen. Dhe kujtoni që edhe ODIHR-i dhe BE-ja e dhanë vlerësimin përkatës. Raporti i ODIHR-it dhe deklarata e BE-së pas zgjedhjeve ishin deklarime realiste të besimit ndaj shqiptarëve të thjeshtë. (ku thuhet, çfarë ndodhi përpara dhe çfarë erdhi më pas, sinqerisht, nuk është për t’u mburrur.)

Shqipëria dhe shqiptarët, që ne ftuam të bashkohen në NATO dhe që synojnë anëtarësimin në BE, ishin ata individë që përfaqësojnë anët më të mira të vendit dhe kombit tuaj, dhe një të ardhme të ndritur e të begatë. Ne nuk ftuam anën e errët: Ne nuk ftuam Shqipërinë e gjymtuar nga korrupsioni, institucionet e shtrembërruara dhe të bllokuara politikisht.

Por edhe njëherë: nuk është Danimarka apo BE-ja që kontrollon të ardhmen e Shqipërisë. Ajo është në dorë të shqiptarëve dhe të klasës tuaj politike. Ajo çfarë ka bërë pjesa tjetër e Europës, është drejtimi i një ftese për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe ne sigurisht që do të bëjmë ç’është e mundur për të ndihmuar, por vetëm nëse ndihma do të vlerësohet dhe nëse ajo ka kuptim për taksapaguesit tanë.

Kështu, shqiptarët duhet me të vërtetë ta kuptojnë, se në fund, ata vendosin për fatin e tyre. Është zgjedhja juaj, nëse do ta pranoni ftesën tonë duke bërë atë çka duhet. Për disa ky mund të duket një mesazh i zymtë, por mendoni pak: Sa herë në histori, shqiptarët kanë qenë në gjendje të vendosin për veten e tyre se ku duhet të shkojnë? Tani e keni një zgjedhje.

Tradicionalisht, pushimet e fundvitit janë për t’u gëzuar, për të mbyllur konfliktin dhe për të ulur armët. Gjithashtu është një kohë ku shumica prej nesh reflektojnë rreth të kaluarës dhe të ardhmes. E gjithë kjo duket se është urgjentisht e nevojshme.