Shtetit që udhëhiqet nga një femër “i ndodh kiameti”…

0
40

ResPublica.al, 20 gusht 2012

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e para udhëheqëse femër e një vendi ballkanik, gjatë një darke në Varshavë (maj 2011) me presidentin amerikan, Barack Obama, lidhjen e kosovarëve me fenë e ka sqaruar si “lidhje individuale me Zotin, aty ku shteti nuk përzihet”. Por në shtetin e Jahjagës, Kosovë, ekziston një grup i njerëzve që thonë se shteti që udhëhiqet prej një femre, aq më tepër të pambuluar me shami, rrezikohet prej “kiametit”, – shkruan e përditshmja kosovare “Koha Ditore” në një artikull të gjatë ku citohet një raport i “Qendrës Kosovare për Gazetari”.

Thuhet në këtë raport: “Rreziku për të cilin flet një raport i Policisë së Kosovës për radikalizimin e Islamit në Kosovë nuk është vështirë të verifikohet në ligjëratat që mbajnë në xhami apo predikimet që i bëjnë në kanalet e tyre në youtube disa imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Njëri prej tyre mendon që shtetit që e udhëheq një femër “i ndodh kiameti”.

Shprehja për Jahjagën është thënë nga imami i një xhamie në Prishtinë, Fadil Sogojeva. Por në shkrimin e “Kohës Ditore” renditen edhe deklarime të tjera të atyre që në opinionin kosovar njihen si “vahabistë” (janë imamë me mjekra të gjata dhe pantallona deri te neni i këmbës që i ka acaruar tej mase miratimi i Ligjit për arsim që nuk lejon futjen në shkollat publike të vajzave të mbuluara – detajon KD).

Ja disa shprehje të tjera të tyre nxjerr nga artikulli i gjatë botuar dje dhe sot në të përditshmen e Prishtinës:

– Hoxha i xhamisë më të madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, gjatë një interviste në Klan Kosova ka sugjeruar që flamuri kombëtar i shqiptarëve të ketë të shkruar edhe në arabisht fjalën “La Ilahe Il Allah” (S’ka Zot tjetër përpos Allahut).

– Në youtube, hoxha i Bashkësisë Islame të Kosovës nga Prizreni, Mazllam Mazllami kërkon që “shqiptarët të mos shkojnë në det së bashku meshkuj e femra për t’u cullakuar”.

– Të rinj kosovarë marrin pjesë rregullisht në ligjëratat e këtyre imamëve. Njëri pyet nëse ka të drejtë që të dalë me bashkëshorten e tij dorë për dore, tjetri pyet nëse është haram të pihet “Coca-Cola”…etj.
A.N.

Në foto: Ushtarakë të NATO-s ndihmojnë presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga të zbresë nga helikopteri gjatë një vizite në Gjermani (AFP)