Shteti si “plaçkë lufte”

0
44

Dritan Hila

Sa herë mbahen zgjedhjet në Shqipëri, mbarimi i tyre do shënojë përcaktimin e fituesit dhe humbësit, por është edhe starti për një ankth të ri për gati 100 mijë nëpunësit që janë në marrëdhënie me shtetin në ministri, prefektura, institute dhe ndërmarrje me pronësi shtetërore, të cilët marrëdhëniet me punëdhënësin i kanë të rregulluara me “statusin e nëpunësit civil”, ose me paragrafët e përgjithshëm e rrallë të zbatueshëm të Kodit të Punës.

Nëse do ketë rotacion politik, ata që janë penalizuar para katër vjetësh për arsye të presupozuara bindjesh politike, presin me kënaqësi rikthimin në vendin e punës; por edhe nëse do ketë vazhdimësi të qeverisjes, njerëz të formacionit politik qeverisës do kërkojnë vende pune të preferuara për vete ose fëmijët e tyre, megjithëse nuk kanë kompetencat e nevojshme profesionale.

Duket sikur administrata publike shqiptare nuk do shpëtojë kurrë nga ky ankth postzgjedhor, megjithëse ata që punësohen me meritën kryesore se janë pjesë e forcës fituese, e dinë se ky mentalitet, pas 4 vjetësh ka shumë gjasa që t’i shndërrojë nga fitimtarë në viktima dhe klientë të dyerve të gjykatave.

Megjithatë, kështu nuk mund të vazhdojë në pafundësi, pasi pa një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale, asnjë arritje nuk ka për të qenë afatgjatë.

E ka përvetësuar këtë mësim Europa në vitin e largët 1848.
Në ato mote, kur harta e kontinentit ishte ende e përbërë nga ca pak perandori dhe një grusht shtetesh, qendrat kryesore të saj u tronditën nga revolucione të karakterit nacional ose ekonomik si në Paris, Pragë, Vjenë, Berlin, Palermo e me më pak intensitet në shumë qytete të tjera. Monarkët e qeverisësit lokalë lanë në panik zyrat e tyre, për t’u kthyer pas një viti, kur zjarri ishte fashitur, por edhe me një mësim të madh, se popullsia duhej qeverisur ndryshe dhe më mirë, ndërsa shteti duhej strukturuar dhe forcuar nëpërmjet njerëzve profesionistë, që jetën do ia kushtonin shërbimit ndaj tij.

Është ky vit fillesa e formimit të administratave publike profesionale dhe të qëndrueshme nga Franca deri në Japoninë e largët, dhe e trupëzimit të korpuseve profesionale që do ishin si edhe deri më sot, kolonat e shteteve: ushtria me profesionalizmin dhe hierarkinë e saj, por tashmë në bazë të aftësisë dhe etapave të mirëpërcaktuara të gradave, dhe jo të prejardhjes; policia si organ i qetësisë publike në shërbim të komunitetit dhe jo një detashment ushtarak i destinuar vetëm për represion; diplomacia si trupë profesionale në shërbim të interesave shtetërore dhe jo për qëllime të ngushta dhe e ushtruar nga një elitë fisnikësh, e cila kishte në dorë gjithçka, dhe vetëm për interesat e tyre të ngushta; financat si organizëm dhe instrument ekonomik nxitës i zhvillimit, dhe jo një detashment që mblidhte taksat; dhe së fundmi administrata publike në gjithë kompleksitetin dhe kapilaritetin e saj nga kryeqendra, deri në fshatin më të humbur.

Gjithë kjo trupë njerëzish u rekrutua dhe trajnua me detyrën e besnikërisë ndaj shtetit dhe institucionit ku militonin dhe ata që ishin pjesë e këtyre organizmave, kishin krenarinë dhe luajalitetin ndaj kolonës që përfaqësonin, të sigurt se kështu kishin siguruar nevojat utilitare për jetesën dhe sigurinë e karrierës. Është ky faktor që në të ardhmen do garantonte vazhdimësinë e institucioneve.

Se sa e nevojshme është një administratë publike e pavarur, e kemi vetëm 80 kilometra në perëndimin tonë, ku Italia fqinje ka ndërruar në gjysmën e dytë të shekullit XX rreth 50 qeveri, por kjo nuk e pengoi që për shkak të një administrate publike dhe burokracie të kanonizuar, të dilte nga prapambetja ku e gjeti mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe të bëhej fuqia e gjashtë ekonomike në botë. Ndërsa në kufijtë tanë jugorë, grekët, dhe në ata veriorë, serbët e kroatët, pavarësisht të metave të karakterit ballkanik, kanë ditur të krijojnë administrata profesionale dhe elita drejtuese, të cilat lozin një rol vendimtar në emancipimin dhe përparimin e popujve të tyre.

Shembujt për t’u marrë janë të shumtë dhe nuk ka asnjë përjashtim që të vërtetojë të kundërtën.
Pa një punonjës publik të sigurt në karrierën e vet e vendin e punës, krenar për trupën ku militon, dhe të mirëpaguar, nuk do ketë zhvillim të qëndrueshëm. Nuk lypset që ky të jetë një gjeni. Thjesht duhet të bëjë punën që i takon, të trajnohet për të, t’i ketë të qarta shkallët e karrierës dhe mënyrat e zënies së posteve dhe t’i jepet siguria se vetëm nëse i vë flakën institucionit ku punon, ose nuk bën atë detyrë që i është caktuar, mund ta pushojnë nga puna. Ndërsa etapat e karrierës të përcaktohen po me konkurs, dhe rezultati i tyre të jetë i detyrueshëm për titullarët e institucioneve për zbatim.

Mungesa e kritereve të tilla ka shkaktuar që profesionistë të arrirë të specialiteteve të tyre të drejtohen nga personazhe që të vetmen meritë kanë militimin në një forcë politike. Dhe deri sa prejardhja në post, qëndrimi në të dhe mbijetesa i dedikohet partisë, nuk është çudi që devocioni dhe besnikëria do t’i dedikohen po asaj. Ndërsa shteti nuk është ai mekanizëm dhe pakt social shoqëror që njerëzimi ka krijuar, përsosur e lëmuar në shekuj, por vetëm një plaçkë lufte, ku ai që e ka zaptuar e konsideron një kështjellë të pushtuar që duhet ta bastisë një orë e më parë.

Shembulli shqiptar i tranzicionit, ku të sapodalë nga bankat e shkollës, pa asnjë karrierë publike, u bënë përfaqësues të shtetit në funksionet më të larta, ka sjellë prishjen e rregullave të pashkruara mbi të cilat funksionon një shtet dhe ti mëson vetëm praktika, por mbi të gjitha ka krijuar subkulturën urbane, se “mjaft të jesh i gatshëm të përdoresh, dhe mund të kapërcesh çdo kriter dhe rregull”, që bota e civilizuar e ka kanonizuar me shekuj. Këta parveny janë akoma më të dëmshëm, pasi nuk përgjigjen as para ligjit dhe as para votës, por vetëm para mentorit të tyre.

Dita që administrata shqiptare do ketë një trupë të ardhur nga universitete me emër dhe fakultete solidë dhe jo nga fakultetet e Shkencave Sociale, siç është gjysma e saj deri më sot, të pranuar me konkurse serioze dhe jo farsa; kur posti dhe grada do merren vetëm nëpërmjet konkursit dhe viteve në karrierë dhe jo si benefic politik; do jetë dita kur mund të besojmë se jemi pjesë e kombeve të civilizuara.

Ditën që shtetasi aspirant për nëpunës do ta ketë të qartë rrugën që duhet të ndjekë për t’u pranuar në administratën publike, do të jetë i vetëdijshëm në seriozitetin e kritereve dhe do t’i zbatojë ato, pasi shmangia ndaj rregullave, e favorizuar nga një konjukturë politike e momentit, do ta bëjë subjekt që do ndëshkohet nga ligji në planin afatgjatë. Vetëm atëherë mund të themi se kemi krijuar një administratë, e cila do na bëjë pjesë të Europës dhe përfaqësojë e mbrojë denjësisht.

Në të kundërt, do vazhdojmë të jemi vendi ku tribuja quhet parti; puna, vend për të përfituar e bërë një dorë pare sa je në kohë; e ç’është më e keqja, vendi ynë, një tokë e djegur nga ku të mençurit duhet të ikin nga sytë këmbët.