Shteti pa inventar

0
89

Afrim Krasniqi

Nga: AFRIM KRASNIQI

Kur flitet për një shtet, për sistemin politik, marrëdhëniet ndërkombëtare apo ndarjen e funksionimin e institucioneve presupozohet se ky shtet ka tejkaluar fazën e identifikimit me simbolet e tij formale, siç janë flamuri, shtrirja gjeografike, numri i popullsisë etj. Vlera simbolike është e njëjtë me një familje. Kur gjykohet mbi një familje, diskutohet mbi vlerat dhe tiparet e saj, mënyrën e sjelljes dhe ndikimin tej të tjerët, jo për të dhëna që paraprakisht duhet të ekzistojnë dhe të pranohen të padiskutueshme, siç janë numri i banorëve të familjes, emrat e tyre apo banesa ku jetojnë. Në këtë mënyrë, koncepti i inventarit shtetëror vjen si koncepti themelor, parakusht për funksionimin dhe identifikimin e shtetit. Shumica e
shteteve evropiane e kanë kaluar prej dy e më shumë shekujsh fazën e vetorganizimit si njësi, inventarizimit të të mirave dhe potencialeve të tyre. Gjatë shekujve e dekadave ato kanë rifreskuar të dhënat, duke e pasur më të lehtë të programojnë projekte e qëllime konkrete për të ardhmen e tyre.

Koncepti i inventarizimit të shtetit, si shumë koncepte që kanë të bëjnë me shtetformimin dhe mirëfunksionimin, ka pak histori në Shqipëri. Gjatë pushtimit otoman ai ishte monopol i pushtuesit, kurse gjatë periudhës së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri, gjendja politike dhe sociale e bëri të pamundur realizimin e tij. Për pasojë shifrat e para të detajuara zyrtare mbi ekonominë, popullsinë, arsimimin, treguesit socialë, etj, erdhën vetëm më 1927 për të vijuar pa ndërprerje deri më 1939. Praktika e regjimit presidencial dhe monarkist të Zog në këtë drejtim meriton vlerësimet më pozitive. Sipas kësaj praktike, çdo vit qeveria dhe institucionet zyrtare raportonin për gjendjen e vendit, treguesit socialë, ekonomikë, kulturorë, etj, duke na lënë një model të referueshëm e të krahasueshëm më vendet e tjera evropiane.

Kjo praktikë, megjithëse në një formë tjetër, jo si raport i gjendjes së kombit, por si tregues statistikor, vijoi të ruhej edhe në periudhën e diktaturës, sidomos pas viteve 70. Pas ndryshimit të sistemit dhe probleme të shumta që shoqëruan tranzicionin (emigracioni masiv, migrimi i brendshëm, ndryshimet e pronësisë, prishjen apo dëmtimin e rrjetit të regjistrimit etj), u bë gjithnjë e më e vështirë identifikimi i gjendjes reale të shtetit dhe sidomos, inventarit njerëzor, të pronësisë apo të shpërndarjes së të mirave materiale. Sipas vetë institucioneve zyrtare gjatë këtyre viteve kemi pasur shfaqje masive të rasteve të mbivendosjes së pronave, krijimin e identiteteve fiktive (pronësisë mbi tokën, banesat në procesin e legalizimit, migrimit dhe emigrimit etj) apo deformimin e të dhënave identifikuese (vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2000/2003 rezultuan rreth 500 mijë zgjedhës të zhvendosur, fiktivë apo me identitet të dyfishtë).

Zhvillime të tilla janë tipike për vende në tranzicion, por ajo që e bën realitetin shqiptar shumë më shqetësues është mungesa e politikave, mekanizmave dhe institucioneve profesionale dhe të përgjegjshme që duhet të kryejnë inventarizimin real e shumëplanësh të shtetit. Le të shohim një aspekt, atë më të rëndësishmin, që ka të bëjë me numrin zyrtar të qytetarëve në Republikën e Shqipërisë. Përgjegjësia për re
gjistrimin e popullsisë i ngarkohet me ligj disa institucioneve siç janë INSTAT, Drejtoria e Gjendjes Civile, Ministria e Punës dhe Emigracionit, Ministria e Brendshme, Pushteti Vendor, etj. Në fakt, mjafton një hetim dhe analizë e të dhënave zyrtare mbi popullsinë për të kuptuar situatën kaotike zyrtare dhe mungesën totale të inventarit njerëzor të shtetit shqiptar.

Konkretisht, burimi më i rëndësishëm shtetëror është Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Në të dhënat publike në faqen zyrtare në internet, këto dy institucione vlerësojnë se popullsia e Shqipërisë është regjistruar për herë të fundit më 1999 dhe se numri i banorëve është 3,364,571 banorë. Asnjëri institucion nuk jep burimin e të dhënave, por duke menduar se bazë e të dhënave ka qenë Instituti i Statistikave (INSTAT) mund të bëjmë një krahasim me të dhënat e këtij të fundit. INSTAT në tabelën e popullsisë në vite informon se më 1999, popullsia e Shqipërisë nuk ishte 3.3 milionë, por 3.04 milionë, pra rreth 300 mijë më pak banorë sesa shpall zyrtarisht Këshilli i Ministrave.

Më problematika paraqitet situate e të dhënave të popullsisë nëse analizohen dhe krahasohen të dhënat e publikuara nga ministritë dhe institucionet e tjera zyrtare shtetërore. Kështu, Ministria e Integrimit, Banka e Shqipërisë, Agjencia e Turizmit etj, në faqet e tyre zyrtare në internet raportojnë se popullsia e Shqipërisë më 2007 ishte 3,600,523 banorë. Nga ana tjetër INSTAT raporton se më 2007 popullsia e Shqipërisë ishte 3,152,600 banorë, pra rreth 500 mijë më pak sesa raporti i MIE, BSH dhe institucionet e tjera. Vetë Këshilli i Ministrave në faqen e internetit me emërtimin “Portali qeveritar i Republikës së Shqipërisë (ëëë.e-albania.al), raporton se më 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë ishte 3,170,048 banorë.
Nëse kjo e dhënë e KM dhe e MIE besohet, atëherë na rezulton se brenda një viti (2007-2008) popullsia e Shqipërisë është ulur me rreth 430,475 banorë.

INSTAT, në një deklarim për median me 10.3.2009 thekson se në regjistrimin prej tij të popullsisë përjashtohen të gjithë personat që kanë emigruar, ndaj shifra zyrtare e tij prej 3.170.048 banorë (2008) nuk merr për bazë emigrantët. Kurse në shkurt 2009 drejtori i Drejtorisë së Gjendjes Civile në MB raportoi se numri zyrtar total i popullsisë së Shqipërisë është 4,249,942 shtetas dhe numri total i zgjedhësve është 3,133,248. Katër muaj më vonë KQZ raportoi zyrtarisht se numri total i popullsisë me të drejtë vote ishte 3.084.946 banorë, shifër e përafërt me atë të DGJC. Pra, duke marrë të dhënën zyrtare (DGJC) mbi numrin total të popullsisë (4.2 milionë), praktikisht kemi një shifër prej 1.1 milionë banorë më shumë sesa raportohet në portalin zyrtar të qeverisë shqiptare. Kjo ndodh kur vetë qeveria amerikane përmes Agjencisë Qendrore e Inteligjencës (CIA) raporton se më 2009 popullsia e Shqipërisë është 3,639,453 banorë, 500 mijë më shumë sesa raporton qeveria shqiptare dhe 600 mijë banorë më pak sesa raporton Ministria e Brendshme përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile.

Mjafton kjo analizë e të dhënave mbi popullsinë, diferencën e madhe midis të dhënave të vetë enteve më të larta zyrtare në shtetin shqiptar, për të kuptuar problemet e mëdha që ekzistojnë në identifikimin dhe inventarizimin e potencialeve njerëzore dhe materiale të shtetit. Mund të vlejnë disa argumente mbi vendimin e BE-së për mosliberalizimin e vizave për shqiptarët më 1 janar 2010, por mjaftojnë të dhënat e mësipërme për të kuptuar se përgjegjësia nuk ndodhet në Bruksel, por në Tiranë. Sepse çdo politikë dhe vendimmarrje politike, strategji dhe projekt që ngrihet mbi të dhëna të pasakta dhe të diskutueshme përveçse jo efektive dhe të besueshme, fushë me lule për spekulantët, abuzuesit dhe ekonominë informale, mund të jenë edhe kundërproduktive, ireale dhe me pasoja në vetë mekanizmin funksionues të shtetit.

Kjo gjendje kaotike shprehet më tej edhe në diskordancat e mëdha midis institucioneve shqiptare dhe
ndërkombëtare në raportimet për nivelin e varfërisë dhe papunësisë (18 – 32%), për nivelin e rritjes ekonomike (1.8 – 8%), të punës së zezë (12-28%), të pagesave informave në tregun e shërbimeve (11 – 35%), etj. Kur të dhënat zyrtare të popullsisë kanë diferencë 300-600 mijë banorë, imagjinohet sa probleme dhe çfarë diference krijohet në evidentimin e aseteve të tjera, siç janë çështjet e pronës, të arsimit, të shpërndarjes së të mirave materiale, të sistemit të taksave, të përfitimit të ndihmës sociale, të treguesve të papunësisë, të listave të zgjedhësve, etj.

Regjimi i ri i pajisjes me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike është një hap serioz në ndihmën për
zgjidhjen e këtij problemi, por jo gjithçka. Është mëse e nevojshme që sistemi shtetëror informative (INSTAT, pushteti vendor, rrjeti i gjendjes civile dhe punësimit, pikat e kalimit kufitar, sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, sistemi i pronësisë mbi tokën, i biznesit, hipotekave, emigracionit, etj) të modernizohen dhe të bashkërendojnë të dhënat për një regjistër unik të potencialeve njerëzore dhe materiale. Është gjithashtu koha që Shqipëria të kthejë kokën pas për të mësuar nga praktika e viteve 30 kur qeveria e asaj kohe çdo fundviti paraqiste në publik, në botime, në parlament dhe në kanale diplomatike gjendjen reale të shtetit për një vit, problemet, të dhënat, potencialet dhe sfidat e tij.

Kjo praktikë vijon të jetë efektive në shtete të mëdha si SHBA, Britani, Francë, Gjermani apo edhe në vende më të vogla si Kroacia, Sllovenia e republikat baltike. Parlamenti dhe qeveria kanë mundësinë dhe përgjegjësinë të krijojnë mekanizmat ligjore dhe administrativë për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi, pa të cilin shteti e qytetarët e tij do të vijojnë të ndjehen jetim, pa identitet të qartë dhe me dyshime në raportet me shtetet e tjera dhe institucionet ndërkombëtare.