Nga: ILIR DHIMA
Kohët e fundit kanë tërhequr vëmendjen debatet dhe miratimet e plot ligjeve mjaft të kontestueshëm, jo vetëm nga opozita, por edhe nga një masë e madhe e popullsisë si për shembull, ndryshimet në ligjin për buxhetin e këtij viti dhe në atë për Shërbimin Informativ të Shtetit, për të cilat maxhoranca parlamentare, veçanërisht qeveria, duhet të mbajnë përgjegjësi të veçantë.
Por, gjithashtu, miratimi me urgjencë dhe vetëm me votat e koalicionit maxhoritar, në mesnatën e seancës parlamentare të parafundit të sesionit të parë të kësaj Legjislature, i ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9235, dt.29.7.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar”, të shtyn të thuash pa rezerva që, pushteti aktual vijon përherë e më me insistim që të kërkojë ta verë nën këmbët e tij gjithë shtetin dhe të luajë me të sipas një taktike shumë të rrezikshme të triblimeve. Si u zhvillua kjo lojë në rastin konkret?
Le të shpjegohemi sa më shkurt. Kundër një ligji të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ishin Gjykata e Lartë dhe Avokati i Popullit, të cilët i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të vendosë shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të dy neneve të atij ligji. Dhe, në bazë të kësaj kërkese, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk mund të marrë në shqyrtim, mbi ndonjë ankim administrativ apo edhe kryesisht, vendimet e ish-komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, aq më tepër pa asnjë kufi kohor; ai nuk mund të marrë në shqyrtim kryesisht vendimet e zyrave rajonale të Agjencisë që drejton, çka është atribut vetëm i pushtetit gjyqësor.
Sikurse, subjektet e shpronësuara nga Avokati i Shtetit nuk mund t’i kundërshtojnë vendimet e KKKP-së pa asnjë afat kohor. Kështu pra, dispozitat e kundërshtuara të ligjit përkatës, të ndryshuar disa muaj më parë, cenojnë rëndë parimin e sigurisë juridike. Ndërkohë, do të ishte plotësisht e palejueshme që drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si organ monokratik, administrativ në varësi të Këshillit të Ministrave, të mund të vishet me funksionet e një gjykate, duke shfuqizuar vendime quasi gjyqësore, të konsideruara të tilla prej Gjykatës Europiane me qendër në Strasburg.
Këto dhe të tjera arsyetime, të bazuara në nocionin e shtetit të së drejtës, e detyruan Gjykatën tonë Kushtetuese që të marrë në shqyrtim në seancë plenare me dyer të hapura kërkesë–ankesat drejtuar asaj dhe, më së fundi, më 26 maj 2010, të vendosë me shumicë votash shfuqizimin e nenit 15, pika 1, gërmat c, ç, d, dh, si edhe të nenit 16 të ligjit nr.9235, dt.29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar me ligjin nr.10207, dt.23.12.2009.
Mirëpo, meqë vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë në përgjithësi përfundimtare dhe të formës së prerë, ashtu si edhe ky i mësipërmi, atëherë maxhoranca futi në lojë, vetëm pak ditë më vonë, një deputet të saj, me profesion jurist, që të hartonte dhe të paraqiste menjëherë një projektligj tjetër për ndryshimet në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, që të plotësonte kërkesat e veta, duke miratuar këtë ligj me shumicë të thjeshtë, në injorim të plotë dhe këmbëngulës të nenit 41 të Kushtetutës dhe disa parimeve e dispozitave të tjera të saj, si edhe të mënyrave klasike të parashikuara në Kodin Civil.
Ndërkohë që dihet fare mirë se, e drejta administrative nuk mund të rregullojë me akte detyruese interesa të privatëve, kur nuk ekziston një interes publik. Dhe, pikërisht kështu ndodhi: projektligji i paraqitur, përveç nenit 16/1 (‘vendimet që mund të rishikohen’) mund të konsiderohet pa mëdyshje, se përbën në përmbajtje analogjinë e ligjit të miratuar vitin e kaluar, i cili u shfuqizua me vendimin nr.27 të Gjykatës Kushtetuese. Por, me një ndryshim në formë: dispozitat e kontestuara dhe të shfuqizuara u shtrinë në tekstin e projektligjit të ri aty–këtu te 10–15 të tilla.
Ndodhi gjithashtu, që gjatë shqyrtimit të këtij akti në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve, të mos u vihej veshi aspak opinioneve të përfaqësuesve të institucioneve të ftuara në këtë mbledhje, që i kishin drejtuar vitin e kaluar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për shfuqizim të dispozitave të ligjit që përmendëm pak më sipër. E vetmja rrugë që ndoqi maxhoranca për të plotësuar synimin e vet antikushtetues ishte që të miratonte projektin e ri me përmbajtje të vjetër, fillimisht në komisionin e Ligjeve dhe, pak ditë më vonë, siç thamë, në mesnatën e një seance plenare, pas ‘vulosjes’ së një togu aktesh shumë të diskutueshme dhe të kundërshtueshme nga disa drejtime dhe në disa nivele.
Mirëpo, të eliminosh veprimtarinë e pushtetit gjyqësor dhe të drejtën e çdo individi për t’iu drejtuar tek e fundit gjykatave për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, kur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut i njohin dhe i garantojnë çdo shtetasi edhe të drejtën për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, apo të një procesi të drejtë gjyqësor, kjo do të thotë (pavarësisht përbetimeve dhe premtimeve të qeverisjes aktuale) të flakësh tutje parimet bazë të ndërtimit të një shteti modern, të shtetit të së drejtës. Pra, të krijosh një precedent shumë të rrezikshëm, që nuk ndeshet kurrsesi në asnjë vend të Europës dhe më gjerë.