Nga Artan Mullaj, 19 Janar 2012
Nuk kishte dyshim për askënd se Ilir Meta do të shpallej i pafajshëm nga gjykata e lartë! Finalja ishte kronikë e një gjykimi dhe vendimi të paralajmëruar. Para disa ditësh kryeministri drekoi me ministrin e akuzuar, të dy hëngrën mish, kruajtën dhëmbët me kunja aromatike dhe pinë verë “të mirë”, nga kushedi c’prodhues, dhe të dy i rranë, si dy priftërinj, po asaj këmbane që gjëmon këtu e shumë vjet: “Ne hamë, pimë, kruajmë dhëmbët edhe dhjesim në liri të plotë, sa kohë pushteti ynë, i betonuar dhe i pamposhtur, nuk mund të rrezikohet përfundimisht nga asgjë”.
U duk se dy liderët e mazhorancës, njëri në delir dhe tjetri në orgazëm, regjizuan një nga ato ngjarje që ndriçojnë vetë mjerimin që lenë pas. Pas këtij regjizimi u la të kuptohej shumë qartë se dinakëria e pushtetit është veçori e atyre që, sa kohë janë në pushtet, mësojnë të sundojnë. Të dish të sundosh do të thotë të dish t’u bësh presion institucioneve që kanë akses në ndjeshmërinë e një populli.
Një nga këto institucione është drejtësia, dhe u duk pikërisht kjo gjë, sikur, duke ngrënë, pirë verë, fërkuar barkun dhe gromësirë gjatë një dreke me të akuzuarin, sundimtari Berisha synoi të disiplinojë situatën, duke i bërë presion pikërisht drejtësisë, dhe konkretisht, duke i dhënë pushtet nga sundimi i tij, përsëri Ilir Metës..
Por do të mjaftonte një vëmendje e lehtë për t’u kuptuar që “dreka”nuk ishte thjesht një ngërdheshje cubash ndaj drejtësisë dhe as ndaj gjykatës së lartë. Po të sjellim ndërmend vendimet e kësaj gjykate gjatë vitit që shkoi, do kuptojmë se kjo ngërdheshje nuk do të ishte e nevojshme. Kryeministri nuk ka pse ti bëjë presion një institucioni që i kanë rënë të brendshmet në fund të këmbëve. Nuk ka pse t’i nxjerrë thonjtë një gjykate dhe një ekipi gjykatësish që i ka plotësisht në kontroll.
Gjykimi i zbehtë i Gërdecit, zvarritjet, mbyllja e syve përballë korrupsionit qeveritar, heshtja barbare ndaj manipulimit të rezultatit zgjedhor në Tiranë, vendimi i Tomës dhe i Sashenkës në Kolegjin Zgjedhor, gjykimet e mbetura në hava të ministrave të akuzuar për procedura, vrasjet e pazbuluara dhe të pagjykuara, të gjitha këto provojnë këtë gjë. Që Ilir Metës nuk do t’i hynte gjemb në këmbë, kjo nuk ish vështirë të kuptohej, aq sa, shumica e parandjenë këtë sinjal të “fakti të kryer”, si një vendim të parakohshëm qiellor.
(Vendimi i paradhënë i drejtësisë ishte dëshmuar ndërkaq edhe nga studioja e emisionit “Opinion”, ku ish zv.kryeministri, do të ishte i ftuar. Fajtor ose jo, a mund të ftohet në liri të plotë një i akuzuar për korrupsion ditën e gjyqit në një studio televizive, përveçse në rastin kur është e sigurt pafajësia e tij që para gjykimit?)
Pra qëllimi i Berishës, përkundrazi, nuk ishte t’i bënte presion gjykatës shqiptare, por opinionit publik dhe opozitës, në një spektakël pushteti të betonuar. Në këtë performancë duhej të spikaste patjetër legjenda se notari kampion i Dhërmiut është kampion në gjithçka; se ai di t’i ketë në kontroll kundërshtitë. Se ai di të rrënojë shpresën publike nëse kjo gjë është e nevojshme.
* * *
Ashtu si një vit më parë, Shqipëria nxiton të përballet me zemërimin e saj, pikërisht në 21 Janar. Valët e dëshpërimit, si fantazma shpagimesh e shpjegimesh, do të emetohen përmes atmosferës së ftohtë, të ndotur dhe të pafajshme. Shqiptarë të pafajshëm janë vrarë plot në tranzicionin barbar, por nuk kishte ndodhur më parë që krimi të ishte kaq i qartë sa ta shndërronte pafajësinë e tyre në një simbol. Në 21 Janarin e shkuar, ndërsa dhanë shpirt në trotuaret e pushtetit, ndodhi pikërisht ky gjë.
Krijimi i një simboli të dhimbjes për shkaqe të dhimbshme. Një nga këto shkaqe është shpërfillja e hapur e drejtësisë prej pushtetit. Si një nga fuqitë që provokon pesimizëm kolektiv një populli të tërë, padrejtësia sjell përherë stres e mosshpresë. Mallkimi që drejtësia shkelet gjithnjë e më hapur, deri në dhimbje dhe deri në zhgënjim, për shkak të pesimizmit, ndihet gjithandej këto ditë përkujtimesh të frikshme. Gjithçka është ndryshe sot, një vit pas krimit shtetëror të 21 janarit, me kriminelë të padukshëm dhe të pandëshkuar. Ilir Meta, edhe pse një personazh brilant i korrupsionit qeveritar, është shpallur i pafajshëm nga po ajo gjykatë fajtore që nuk ka nxjerrë ende fajtorë për vrasjet e 21-Janarit të shkuar.
Ilir Meta është i lirë të shkelë mbi plagët që kjo gjykatë hapi duke zvarritur Gërdecin dhe vulosur kusarinë e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Ky vend ka luftë të gjatë përpara, ndoshta të kotë por të vështirë për të bërë me vetveten. Një vit më pas, drejtësia shqiptare, më shumë se një institucion, është një terror psikologjik për njerëzit që duan të jetojnë të lire dhe shpirtrat që duan të largohen të lirë.. Prandaj themi se një vit më pas, gjykatësit tanë e kanë rritur peshën e kryqit në shpinë, po aq sa është rritur numri i atyre që besojnë se qeverisja nuk është më e tillë, por është një sundim.
Kur kundërshton vetëm, ndihesh vetëm. Diktatura e padukshme e rrënimit të shpresës, është njëra nga mjetet që sundimtarët përdorin me sukses për të fshirë kundërshtitë, duke shtuar vetmitë, njërën pas tjetrës. Brishtësia e shqiptarëve, ashtu si vetmia, është një dhuratë e përzotshme për kryezotët e tyre. Çfarë mrekullie të sundosh disa njerëz që nuk dinë të organizohen dhe kundërshtojnë dhe as grupohen për të drejtat e tyre.
Shkeli me këmbë, mohoji, mashtroi, poshtëroi, vraji në shesh dhe piju gjakun po deshe, ata do të të shohin që poshtë, nga përulja e tyre me sytë e pafajshëm të një viktime fajtore: “Këto gjallesa shpinën të kthejnë! Goditi! Bëju ç’të duash! Çfarë kënaqësie të fshish shkëndijat e shpresës nga ndërgjegja e tyre! Kush tha se pushtetarët kanë pushuar së kërkuari arritje në qëllimet e tyre. Përse të mos bëhemi zota, kur ka robër të tillë nën këmbët tona?
A nuk është ky një qëllim që nuk mbaron kurrë? Përse të mos kemi në kontroll edhe shkulmet e turmave, pasi kemi fituar nënshtrimin e tyre? Përse të mos vrasim shpresën që të dhunojmë ndërgjegjen e tyre, siç hyjnë kaubojsat në fshatrat rebele, për të fshirë e shkatërruar gjithçka. Njëlloj do të shkatërrojmë qëndresën e fundit, durimin dhe emocionet e tyre. I sundojmë, i vjedhim, i vrasim kaq lehtë! Këta njerëz e paskërkan psherëtimën dhe zvarritjen një performancë gjenetike të tyre, prandaj, përse pushteti që kemi, i betonuar kaq shumë, mos i skllavërojë përjetësisht deri në pikën e fundit, ku nuk do të kenë më fantazi, kundërshti dhe vullnet të shëndetshëm për t’u ankuar?”
* * *
Një vit më pas, shqiptarët kryeulur, shpirtrat e të vdekurve në sheshin kryeministror dhe të gjallët, nuk kanë humbur vetëm besimin. Sot ata kanë humbur guximin. Shumë kanë humbur. Më keq akoma, kanë humbur të drejtën të besojnë tek guximi i tyre…
Një vit më pas, qeveritarët vjedhin, shembin, shpenzojnë, vrasin, fitojnë, gëzojnë, ironizojnë, shtypin, shpërfillin, pasurohen dhe tjetërsohen njëlloj, gjithçka në kurriz të atyre që vështirë të fillojnë të shpresojnë nën çizmen e zezë të një pushteti që shkel gjithnjë e më shumë drejtësinë. Një vit më pas, shqiptarët, në 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, janë më kryeulur se kurrë.
Ata aq më pak trokasin në dyer institucionesh, se shteti ka rënë. Ju kërkohet të jenë të lumtur edhe pse ata aq më pak presin të gjallërohen mundësitë për drejtësi, punë e mirëqenie. Edhe pse krenaria për pavarësinë shekullore nuk mjafton për të zgjidhur problemet e mëdha, ju kërkohet të besojnë që nuk janë të uritur. Ju kërkohet të pranojnë që ky vend ka drejtësi, megjithëse kjo është një gjë me e rrallë se kometat.
Shteti ka rënë?
Athere rrofte Shteti!
Pooo , kush eshte shteti?
Per çfare sherben shteti?
Pse na duhet shteti?
Ç’rendesi ka ,megjithate prape le te themi:RROFTE SHTETI!
Comments are closed.