Shteti i rrumpallës dhe shteti modern i Ramës

0
21

Nga Mentor Kikia

Ndërprerja e energjisë elektrike familjeve të varfra, lënia në terr e njerëzve që nuk kanë asnjë mundësi financiare të paguajnë,  apo shoqërimi i shumëdebatuar i një gruaje së bashku me vajzën 5 vjeçe në komisariat sepse kishte vjedhur energji, shkaktuan reagime të forta te kundërshtarët e kryeministrit, duke e cilësuar atë të pashpirt, mizor deri në kriminalizëm. Por shumë të tjerë menduan se para ligjit dhe shtetit janë të gjithë njësoj, të gjithë të barabartë. Shteti ka forcën si mjet për të zbatuar ligjin kur qytetarët nuk e respektojnë atë në mënyrë të vullnetshme, ndaj dhe dhuna është pjesë shtet-veprimit.

Edi Rama, duke iu referuar disa sukseseve që kanë ardhur si pasojë e veprimit të strukturave të shtetit me dorë të fortë, tha në një konferencë kundër korrupsionit pak ditë më parë, duke përsëritur shpesh se ne jemi duke hedhur themelet e shtetit modern. Edhe pse opozita kujtoi se shtetin e ka themeluar një herë Ismail Qemali dhe s’ka çfarë themelon më Rama, kryeministri referoi shembuj për të treguar se shteti që po themelon ai tani është ndryshe edhe nga ai i Ismail Qemalit, edhe nga ai i Sali Berishës. Na fakt, çfarë është shteti modern dhe a jemi aktualisht ne, dmth. Rama në këtë rast, duke hedhur themelet e shtetit modern?  Kishte ca fodullëk në deklaratat e Ramës, por kishte ama edhe ca të vërteta. Për pesë vjet me radhë qeveria e mëparshme dështoi në zbatimin e ligjit për ndalimin e duhanit dhe në pamundësi për ta zbatuar, vetëm e forconte atë në letër. Prej disa muajsh duhani nuk lejohet më në mjediset publike.

U desh një vullnet i fortë që ligji të zbatohet tashmë edhe në kafenetë e fshatrave. Prej një muaji në zyrat e OSHEE njerëzit mbajnë radhë si dikur për të futur dhe marrë paratë tek Sudja apo VEFA. Kishin vite pa paguar, duke e konsideruar shtyllën elektrike si burimin e Perëndisë dhe kishin lidhur aty telat pa menduar se duhej të paguanin. Kur shteti kërciti dhëmbët, të gjithë u vunë në radhë. Rama paralajmëroi se tashmë do të nisë e njëjta gjë edhe me debitorët e ujit. Por zullumet, një fjalë kjo e përdorur shumë në fjalorin e politikës tonë zullumqare, janë pafund në këtë vend. Në të njëjtën mënyrë duhet ndaluar prerja e pyjeve, shfrytëzimi i lumenjve, peshkimi me tritol…

Njerëzit e ndjeshëm që shikojnë se u vidhen e u shkatërrohen pasuritë dhe vendi i tyre, ndërsa of-shajnë, thonë se “këtu nuk ka shtet”. Në fakt, ne kemi shtet. Kemi gjykatë kushtetuese, gjykatë me tri shkallë, edhe civile, edhe penale, edhe administrative, edhe për krimet e rënda, kemi prokurori, kemi polici, me drejtori të madhe dhe komisariate, kemi ushtri… Por problemi ka qenë dhe është se ky shtet nuk ka funksionuar, ose ka funksionuar jo njësoj për të gjithë, e për pasojë nuk janë ndaluar as hajdutët e dritave, ata që djegin e presin pyjet për tregti, as duhani, as droga e Lazaratit etj., etj.

Ndaj, përtej megalomanisë së kryeministrit që thotë se “ne po hedhim themelit e shtetit modern”, ka një të vërtetë që në mos duhet besuar plotësisht, duhet shpresuar se do të ndodhë derisa ka shenja që po ndodh. Ne nuk dimë të ndajmë me thikë shtetin e deritanishëm nga shteti modern që predikon Rama, por ne e dimë shumë mirë të ndajmë shtetin që nuk funksionon, apo shtetin rrumpallë, nga shteti që funksionon. Dhe shteti ka nisur të funksionojë. Shkelës të ligjit dhe hajdutë e kriminelë ka në çdo shoqëri, e rëndësishme është që shteti të mos qëndrojë indiferent. Një nga dëshmitë tronditëse të mosveprimit të shtetit apo më keq e veprimit në mënyrë selektive ndaj shtetasve ishte lista që u publikua dy ditë më parë me kryetarët e komunave që kishin mbi 670 mijë USD energji pa paguar.

Kishin vite pa paguar. Ishin përzgjedhur të paktën më shumë se dy mandate nga partitë e tyre si kandidatë dhe ishin votuar nga populli i varfër. Soji i tyre është shndërruar prej kohësh në pashallarë të fshatrave, duke vjedhur edhe paratë e detergjenteve për larjen e dyshemeve të shkollave dhe në fund e kanë shfrytëzuar postin për të mos paguar as energjinë. E ndërsa sot debitorët e varfër janë vënë në radhë të paguajnë, ata sërish janë në zyrat e tyre.

Nga OSHEE ne nuk kemi ende ndonjë njoftim zyrtar se këtyre njerëzve iu ndërpre furnizimi me energji, siç iu ndërpre banorëve të kabinave të plazhit në Vlorë. Ndërsa kryeministri Rama ka një rast më shumë për të treguar se është duke themeluar pikërisht shtetin modern dhe duhet t’i shkarkojë këta pushtetarë menjëherë. Qeveria nuk ka asnjë moral t’i dërgojë policinë në derë një fshatari të varfër për ta shoqëruar në komisarit, kur kryetari i komunës ka borxh aq sa ka i gjithë fshati. Këta pushtetarë janë përfaqësuesit tipikë të shtetit të rrumpallës, ku ai që ka në dorë pushtetin ka të drejtë të rrjepë ç’të mundë. Dhe këta kanë qenë ata që kanë garantuar edhe votat për pushtetin politik në zgjedhjet e përgjithshme.

PD e PS janë mbështetur te këta njerëz gjatë fushatave. Ndaj për t’i dhënë fund shtetit të rrumpallës dhe për të hedhur themelet e shtetit modern, së pari Rama që ka marrë për sipër ta bëjë këtë, e pastaj të gjithë, duhet që së paku në zgjedhjet vendore e pastaj në ato të përgjithshme, të heqin dorë nga të tillë kandidatë që përfaqësojnë, i shërbejnë dhe përfitojnë nga shteti i rrumpallës. Shteti modern nis e ndërtohet nga lart poshtë dhe jo në të kundërtën, që do të thotë se ai vepron së pari ndaj hajdutit që zotëron pushtet e më pas ndaj hajdutit të rëndomtë.

Shkrimi u botua në ‘Gazetën Shqiptare’