Shteti i kaosit total

0
49

Analiza NGA ARDIAN NDRECA, 20 Mars 2013

Herë mbas here, zakonisht mbas vrasjesh makabre, vetëflijimesh publike, vjedhjesh të votës, ekzekutimesh publike në bulevardin qendror të kryeqytetit, opinioni publik, gazetarët dhe nji pjesë e shoqnisë civile zgjohen prej letargjisë dhe kërkojnë shtet, rregulla, kulturë të ligjit, drejtësi, transparencë, siguri… të gjitha këto, gjana, që në vendin tonë ekzistojnë vetëm si atribute abstrakte të makinës shtetnore.

Kjo e fundit asht kthye në makinë të ligësisë dhe të poshtërsisë, përpara së cilës qytetarët janë të pambrojtun, pa të drejta e pa dinjitet. Krimet mizore si ato që janë tue ndodhë kohët e fundit e kanë gjetë aq shumë të tronditun besimin dhe shpresën se mund të kemi nji shtet ligjor, sa që jehona e këtyne akteve çnjerzore nuk zgjatë ma shumë se dy javë e mandej fashitet e harrohet.

Në Shqipní nuk funksionon shteti ligjor dhe ndamja e pushteteve: politika kontrollon gjyqsorin dhe mafia kontrollon politikën, pra kemi nji rreth vicioz pa rrugëdalje. Herë mbas here revoltohemi me trupat gjykuese kur marrim vesht post factum se kanë lirue kriminela me vulë apo manjakë të thekun që kanë përsëritë krimet e tyne, kur shohim sesi shtrembnojnë ligjin për me mbështetë palën politikë që i paguen dhe i mbron. Edhe gjakmarrja dhe hakmarrja janë dy fenomene që ushqehen direkt prej sistemit të kalbun të drejtësisë shqiptare.

Kur kriminelat e kapun në flagrancë krimit lirohen kundrejt rryshfetesh, asht e drejta e palës së damtueme me kërkue drejtësi dhe tue qenë se shteti i Sali Berishës dhe i zhganit të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuem e të kapun nuk vendos drejtësi, atëherë hyn në lojë mekanizmi jo proporcional i vetëgjyqësisë, që asht padyshim shenjë barbarie por gjithnji nji barbari ma e vogël sesa ajo e gjykatësve të korruptuem që me vetëdije të plotë shkelin ligjin dhe përdhosin drejtësinë. Vetëgjyqësia asht nji mekanizëm që e ka zanafillen tek etja e natyrshme për drejtësi por që shkon përtej ligjit në pikëpamjen formale të ekzekutimin dhe të sasisë së zhdamtimit që mëton.

Nëse nga njena anë hakmarrësi tenton me shkue përtej ligjit, nji gjykatës që nuk dënon kriminelat asht ipso facto nji individ që vepron kundër ligjit, pse ai përbuz rendin kushtetues dhe vetë idealin e drejtësisë, tue nxitë aktivisht përhapjen e krimit. Antikët thonin se gjykatësi që nuk dënon fajtorin duhet të marrin dënimin e tij. Po të zbatohej ky parim tek ne do të shihmin sesi burgjet tona do të mbusheshin me gjykatës dhe gjykatëse të dënuem për trafik droge, prostitucioni, vrasje me paramendim, përdhunime, plagosje, kërcënime, vjedhje votash, vjedhje pasunie, mashtrim, korrupsion, pedofili etj. Nën togat e tyne hijeranda shumë shpesh mshehet kërma e drejtësisë.

Mjaft shpesh kemi krijue përshtypjen se në Shqipni nuk ka nji dallim të madh mes gjykatësve dhe të pandehunve. Korrupsioni i vazhdueshëm dhe i randuem prej cilësive të veçanta ka ba që figura e gjykatësit shqiptar të deklasohet në nji figurë banditeske pa moral dhe pa nderë. Ky asht nji sistem që nuk mund të reformohet ma, ai duhet shkatrrue me themel për me ndërtue diçka të re, tue fshi përgjithmonë këta individë të pamoralshëm që përbuzin dhe shesin jetën e të drejtat e shqiptarëve.

Me ketë sistem gjyqësor që kemi jo vetëm që nuk mund të marrim kandidaturën për në Europë por duhet të administroheshim nga nji Eulex i krijuem ad hoc për me rikrijue prej themelesh sistemin tonë të drejtësisë. Nji kthesë eventuale dhe e shumëpritun në politikë në qershorin e ardhshëm nuk do të mund të quhej kthesë e mirëfilltë në qoftë se nuk do të ndërmerrte nji aksion të gjanë e të drejtë për hetimin dhe dënimin e krimeve që kanë ba në këto vite njerëzit e gjyqsorit. Pa drejtësi nuk ka liri, prandaj sot Shqipnia nuk asht nji vend i lirë por vetëm nji vend ku mbretnon kaosi total, e jashtëligjshmja dhe krimi.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)