Nga Beqë Cufaj, 16 Shkurt 2013
Festa ka nis. Dhe kjo gjysmërrumbullake që po i bëhet shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosvës, në pesëvjetorin e saj sjell ato ndjenjat e përziera. Mes gëzimit të madh për 17 Shkurtin e vitit 2008 i cili sot na (ri)shfaqet vetëm në trajtë kujtimi apo imazhesh filmike e fotografike dhe dëshpërimit që shteti sa ka ecur aq edhe ka ngecur. Që kampet politike e ekonomike, kulturore e rajonale jo vetëm që janë barrikaduar thellë e më thellë në istikamet e tyre por qysh nga veshja e deri tek vendi në cilën mejhane gostitet njeriu mund ta dijë kush me kë është. Apo kush kundër kujt është.
Kosova, shteti i fituar me aq mund e gjak, nuk është shtet i dështuar. Por nuk është as shtet i plotë. Dhe mes këtyre dy brigjeve jemi ne- qytetarët dhe vdektarët e zakonshëm. Derisa nga njëra anë dëgjojmë ritet e thirrjeve optimiste për sukseset dhe ecjet- nga ana tjetër nuk mund të mos na ikin as Suadat për gadi mpleksjen totale të çdo gjëje që po merr frymë në këtë nënqiell.
Situatë amorfe dhe për këtë edhe vështirë e papërshkrueshme. Sepse nuk ka gjuhë. Nuk ka rrëfim (ose siç këta të politkës kanë dëshirë t’i thonë “storie”). Por bash këtë arsye ka shumë belbëzime dhe me këtë edhe ngacmime deri në mashtrime. Dhe ka shumë rrëfime dhe me këtë edhe të gjysmë të vërteta. Të cilat dalin të jetë gjithmonë po aq të vërteta. Vetëm se pa pikë. Por me shumë pika. Dhe para së gjithash pika çuditëse.
Kosova është një lindje e vështirë e cila ka kaluar nëpër procese nëpër të cilat vende e kombe, shtete e rajone tjera i kanë përballuar (apo edhe kanë dështuar) para shekujsh e dekadash. Ky edhe duhet të jetë shkaku pse gjithmonë e hedhin shikimin nga ne. Për të parë si ishin dikur vet. Apo si mund të katandisen po vet- nëse diçka shkon keq. Por më së shumti për të provuar si mund të sillen në rajone e kontinente tjera ku ka edhe më keq se Kosova.
Kosova vazhdon të jetë “Hinterhof” i Europës dhe për këtë edhe ndërgjegja e saj e vrarë. Jo pse s’duan të bëjnë për të. Por pse s’dijnë. S’munden. Apo edhe kur dijnë e munden s’duan. E kanë edhe si poligon matjesh për punë e hesape tjera- nga shikimi ynë, shumë më të lehta dhe elegante. Nga shikimi i tyre shumë më të komplikuara dhe me peshë.
Por para së gjithash Kosova sot është e jona. E qytetarëve dhe vdekatarëve të saj të zakonshëm. Neve pra që të zhytur në kthetrat e shkelësve dhe pushtuesve, eksperimentuesve dhe zhvatësve, ende s’e kemi kapur që fatin tonë më askush s’e ka dhe s’do ta ketë në dorë. Pos vet neve. Është ajo vija ndarëse pse ndoshta më së shumti vazhdon të na jep vulën e të qenmit “hinterhof” i Europës dhe perëndimit.
Mungesa e vetëdijes që me votën në njërën anë dhe sjelljen me përgjegjësi e kulturë (qytetare) ndaj shtetit në anën tjetër kemi forcën për të ndryshuar diçka. Për të mirë. Edhe kjo shpjegohet me barrikadimin shekullor që kishim vis a vi – aparateve shtetërore që kanë sunduar. Duhet kohë? Duhet. Sepse vetëm vetëdijësimi që ky shtet, kjo Kosovë është e jona dhe jo e të huajve (që gadi shkuan) e aq më pak e kastave e klaneve politike të dala nga “gjiu” ynë, do na shtyejë të bëjmë hapin e madh.
Kapërcimin drejt asaj që i themi vetëdije qytetare dhe shtetërore.
Ishte, është dhe do të jetë ky problemi më i madh që edhe vitet në mos edhe dekadat që vijnë do na del. Herë fshehurazi e herë si ortek bore i cili do na rrëzojë përtokë.
Nëse duhen, siç politikanët u thonë, “mekanizma” për ngritjen e kësaj vetëdije- kjo punë nuk diskutohet. Por them që janë pikërisht politikanët- këta që tashti i kemi, ata që kanë më së paku interes që të vie deri tek kjo zgjuarje dhe vetëdijësim. Ngase poqese do vinim në atë pikë- ata s’do të kishin më vend në këtë kohë as në këtë hapësirë. Prandaj e kemi lojën kukafshehtasi: me punësime pa konkurse, tendera pa kritere, vota me blerje, tituj akademikë me shitje, firma pa mbulesa, ndërtime pa leje dhe çkado tjetër që është në kundërshtim me ligjin.
Dhe ne, të uriturit dhe aspak të urtit biem pre e këtyre zigzageve të cilat kastave sunduese të politikës u duhen aq shumë. Për ta ushqyer (mbi)jetesën e tyre në politikë.
Nuk jemi të vetmit që kalojmë nëpër këto krajata. Por jemi vonë. Prandaj biem në sy. Dhe na hedhen reflektorë. Siç do të ngjajë edhe këtë fundjavë. Kur shteti ynë do t’i mbushë pesë vjet… të ecjes së vështirë dhe belbëzimit… Dhe derisa ky shtet nuk do të mësojë të ecë vetë dhe të flasë vetë – siç ngjet ngado në qytetarinë dhe demokracinë pjesë e së cilës duam të jemi… do vazhdojmë të ecim me zor dhe belbëzojmë.