Shteti dështoi? Një metodë ‘alternative’ për Lazaratin

1
31

Nga Koloreto Cukali, 10 nëntor 2012

Nëse do të kishim një hartë me ngjyra të Shqipërisë, kafja dhe grija do mbulonin pjesën kryesore. E kaltra do të ishte e lyer me njolla të zeza, dhe do të kishim dhe plot njolla të kuqe, duke gjykuar nga numri i aksidenteve, vrasjeve e vetëvrasjeve. Por, nuk do të mungonte një pikë e gjelbër: Lazarati, zona më bio e Shqipërisë moderne. Që shteti e ka humbur betejën me Lazaratin, kjo nuk do shumë për t’u kuptuar. Çdo turist i ngeshëm mund të hyjë lirisht e të tymosë bio pa asnjë problem në parcelat e gjelbra të Lazaratit, aty ku shteti nuk hyn dot. Dengjet me marijuanë mund të dalin lirshëm që andej, kurse një uniformë shtetërore po hyri, nuk dihet a del.

Shteti ka humbur në Lazarat. Ka humbur sepse ekonomia e tregut që kemi ngritur e bazon suksesin mbi anashkalimin e ligjit, sepse paraja komandon politikën, sepse mundësitë për mbijetesë janë reduktuar dhe mbijetsa nuk përfill moral e principe, sepse e ashtuquajtura luftë kundër drogës nuk mund të fitohet as në shtete më të organizuara, dhe mbi të gjitha, në kohën që jetojmë vetë termi i “luftës kundër drogës” është zhvilluar si koncept.

Amerikanët tentuan të ndalojnë alkoolin para ndoca 100 vitesh, çka nuk i detyroi njerëzit të mos pinë, thjesht i dha shans mafias të fuqizohej. Nëse sheqeri do të dalë i jashtëligjshëm (për të mbrojtur me të drejtë diabetikët e obezët) kjo nuk do i ndalojë njerëzit ta gjejnë, thjesht do rrisë çmimin e do krijojë një parajsë të re trafiku. Atëherë, çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar me Lazaratin?

Nuk është turp të thuash që nuk e lufton dot. Turp është ta lësh si një zonë autonome të paligjshme. Ndoshta, duhen përdorur metoda alternative. Duhet përmirësuar legjislacioni, duhet modernizuar mentaliteti e qendrimi ndaj drogave të lehta, duke liberalizuar përdorimin por edhe mbjelljen. Meqë përdorimi i marijuanës “terapeutike” po gjen gjithmonë e më tepër përkrahje në botë, shteti mund të legalizojë kultivimin në zona të përcaktuara e të monitorojë rreptësisht tregëtinë e saj.

Milionat që i shkojnë mafias e që indirekt fuqizojnë anti-ligjoren, mund të hyjnë në arkën e shtetit. Meqë gjithë bota flet për cilësinë e marijuanës sonë, turizmi shqiptar mbase mund të arrijë vërtet të joshë të huaj me një agri-turizëm në Lazarat. Por, e gjitha kjo vjen duke pranuar humbjen e duke nisur një qasje të re ndaj marijuanës jo më si drogë, por si agri-kulturë. Fundja, armikun që nuk e mposht dot, të paktën bëje mik që ta kontrollosh nga afër.

Editoriali i sotëm te Gazeta Dita

1 COMMENT

  1. Diku ne nje liber kam lexuar:”Nuk largohet erresira duke perdorur fshesen.”
    Zakonishte K.Cukali shkruan ndryshe,por nuk eshte e thene qe ai eshte i privuar nga e drejta per te perdorur,si shume te tjere edhe simbolet,alegorine.
    Edhe pse menyja e paraqitur nga Cukali, duket sikur eshte e shijshme,ne restaurant nuk hahet menyja por bifteku.
    Sipas meje ,nga ana e K.Cukalit,ky eshte nje dorzim pa kushte perball nje situate qe nuk eshte krejt ndryshe nga ato qe ai ka paraqitur ne artikuj te tjere.
    E vetmja tragjedi qe ekziston ne bote eshte injoranca,ose e thene ndryshe : mungesa e vetedijes.
    G.Andreoti : Il potere logora chi non c’è l’ha.

Comments are closed.