Shtet apo republikë bananesh

0
53

Armand Vinçani, 21.07.2010

As më shumë e as më pak, por 1.8 milionë euro! Në një vend tejet të varfër, por tashmë me individë mjaft të pasur.

Kaq deklaron si pjesë të pasurisë personale ministri i sotëm i Energjetikës i katapultuar në ketë detyrë në sajë të lojës e arbitraritetit të përfolur elektoral të mbyllur hermetikisht në qershor 2009. Në atë kohë jo pak u habitën me euforizmin e zotërisë kur e deklaronte vetveten fitues të mandatit të “florinjtë” që do të sillte fat në jetën e tij personale.

Por u desh jo shumë kohë për të provuar se Prifti kish qenë shumë më i “zgjuar” dhe largpamës, duke kuptuar më se miri se çfarë miniere rrethanat kishin hapur papritur për të. Një mandat deputeti në kohën kur asnjë forcë politike nuk kishte numrat e duhur për të formuar të ashtuquajturën qeveri ishte shumë e shumë më tepër se sa zotërimi i disa aksioneve që ndodheshin në vështirësi serioze likuiditeti.

Por, në fund të fundit vlera e vërtetë e asetëve përcaktohet në tregun e hapur ku konfidenca luan rolin kryesor e i jep “jetë” edhe atyre që janë në maksimum të toksikuara.

Me një vend kyç në kabinetin ministror një konfidencë e tillë nuk ka dyshim se është e vetëkuptueshme e kështu duke “zbatuar” edhe ligjet e shtetit aksionet u konvertuan në cash dhe milioneri i ri u bë pjesë e aristokracisë së re që ka prodhuar demokracia për 20 vjet në Shqipëri.

Shumë syresh rroken të bëjnë kalkulime financiare e tregojnë pamundësinë e rritjes në vlera të tilla nga hiçi. Të tjera gojë të “liga” thonë se s’ka mundësi që nga një “red zonë” para dy vjetësh të lëvizësh në figura të tilla sot.

Një pjesë tjetër hedh dyshime të “kota” duke kujtuar se vendi eksportonte energji elektrike në kuotat me të larta, ndërsa vendin e mbulonin përmbytjet duke harruar se biznesi është biznes e kur fitimet kalojnë humbjet ia vlen të rrezikosh.

Të djegur nga qulli një palë i fryn edhe kosit. Kështu lidhje me individë që kontrollojnë kompani apo sipërmarrje farmaceutike dyzohen “pa të drejtë” kur tjetri gjënë më të shenjtë ka respektimin e ligjit. Sido qoftë arsyetimet e tyre nisen nga principet bazë të funksionimit të një sistemi kapitalist që menaxhohet nga një shtet.

Por kur nuk ka shtet, dukuritë ekonomike, sociale, politike, korrupsioni, krimi ordiner dhe ai organizuar etj., nuk mund të shpjegohen nga parime të tilla që ekzistojnë vetëm në letër.

Në republikën e bananeve ka vetëm një ligj që diktohet nga elita e korruptuar. Një mjedis i tillë frymëzon individë lakmues si e si të bëhen pjesë e kësaj elite. Vetëm “budallenjtë” dhe idealistët vazhdojnë të rrije jashtë!

“Secili për vete e zoti për të gjithë”, është pragmatizmi me i kulluar që ushqen amullia dhe mungesa e dëshirës për të ndërtuar shtet, ndërsa pjesës dërrmuese të popullsie i duhet të presë me durim të pashoq për një ngritje minimale pensioni apo rroge që nuk mbulon as rritjen e çmimeve e jo më të përmirësojë gjendjen ekonomike të tyre.

Të marrim përsëri në analizë se ç’ka ndodhur në këto vite të post-komunizmit në Shqipëri do të ishte e tepërt. Kjo sepse kemi dëgjuar shumë moralizime e teorizime aq sa tashmë e kemi humbur shpresën se do të jemi ne gjendje të ç’rrënjosim ndonjë ditë farën e korrupsionit.

Ajo ka mbirë aq thellë sa me hambarin e prodhimit të saj ushqehet në mekanizëm i tërë, të cilin juridikisht e quajmë shtet. Ishte privatizimi ai që hapi derën e “fatit” për ata që kishin lidhje e nuk ngurruan t’i përdornin ato për t’ju sulur pronave të shtetit dhe ish-pronarëve.

Në ekonominë e re të tregut në mungesën e institucioneve demokratike dhe mbrojtjes legale manipulimi i “talentuar” dhe korrupsioni krijuan oportunitete të mrekullueshme për një grup njerëzish, pjesë e të cilit është sot edhe ministri ynë i “florinjtë”.

Lufta ndaj korrupsionit është kthyer tashmë në një slogan që askush nuk i beson më. Pjesë të mëdha të sektorit publik dhe pasurive të vendit si energjia, nafta, infrastruktura etj., kontrollohen sot nga oligarkë të fuqishëm që janë shteti vetë. Në këto kushte, rruga drejt demokracisë dhe transparencës së plotë do të jetë shumë e gjatë dhe e vështirë.

Në mungesë të parimeve demokratike të qeverisjes ligjet dhe rregullat administrative kundër korrupsionit, të propaganduara me aq bujë nga pushteti, kanë në fakt efekte të kundërta dhe shërbejnë më shumë për ta rritur atë duke shërbyer shpesh si një mjet i shtypjes politike apo alternative ndaj reformave politike.

Në një mjedis të tillë është e pamundur që një zyrtar i lartë si rasti në fjalë të ndjejë detyrimin për të shpjeguar me fakte se si u pasurua në këtë mënyrë. Të tjerët mund të kenë nevojën e “përvojës” së tij që nga asgjë 20 vjet më parë sot është milioner. Ata që mezi sigurojnë edhe bukën për fëmijët e tyre do të donin të mësonin atë mekanizëm financiar “çudibërës” që ka norma fitimi të tilla.

Një përvojë të tillë nuk e gjen në asnjë vend të zhvilluar kapitalist, sepse ato janë akoma nën ndikimin e krizës dhe shumë prej tyre s’kanë arritur të dalin plotësisht nga stagnacioni. Por është tjetër gjë me vendin tonë – ne jemi vendi që s’njohim kriza dhe i çudive të pafund, ku dhe me e madhja nuk zgjat shumë. sepse duhet t’ia lërë shpejt vendin tjetrës!

Fatkeqësisht, Prifti nuk e ofron shërbimin e mësipërm, por ai i hedh dorashkën kryetarit të opozitës e merr përsipër t’i shpjegoje gjysmës, apo më shumë, së elektoratit se sa gabim paska vepruar në zgjedhjen e liderit të saj!

Dhe ky elektorat u dashka të shqetësohet se si vishet E. Rama, por jo se si i vuri “floriri” milionat. Prifti kërkon të hedhë tymnajën e mbjellë çoroditjen, sepse e di mirë që Rama nuk është Nano.

Ai e di fare mirë se i pari i sotëm i opozitës nuk pranon asnjë lloj kompromisi në kurriz të elektoratit e partisë që përfaqëson e kjo sigurisht i le pa gjumë shumë vetë sot e ndër ta edhe Priftin që nuk guxon t’ju përgjigjet pyetjeve të tij e kërkon ta kthejë në estradë kërkesën për transparencë, duke përdorur për skenë të saj edhe avenynë e parlamentit.

Shpjegimi është i thjeshtë. Zoti ministër ka mbrojtjen e shtetit, më mirë duhet thënë atë të republikës së bananeve ku dhe prokuroria apo agjencitë e tjera që ndjekin zbatimin e ligjeve duket të jenë në gjumë dhe vështirë se do të ngrihen ndonjëherë …