Katastrofë
Përmbytja e pestë është më e rëndë se të parat
Shkodra po përjeton situatën më të rëndë të të paktën 50 viteve të fundit. Hyrja e qytetit tashmë i përngjan Venecias, aq sa qytetarët kanë nisur t’i quajnë varkat e ushtrisë që qarkullojnë në zonë si “Gondolat e Xhabijes”. Tashmë, “gondolat” janë i vetmi mjet transporti edhe për banorët e lagjeve të ulëta të qytetit. Kjo situatë aspak e zakontë në qytetin e Shkodrës, ka krijuar panik dhe frikë.
Niveli i ujit brenda hyrjeve të pallateve, ka arritur në 60 centimetra, ndërkohë që e gjithë lagjja “Xhabie” është nën ujë. Makina të mbuluara nga uji, dyqane të përmbytura, njerëz që kërkojnë ndihmë nga katet e larta të pallateve pasi kanë mbetur të izoluar, të tjerë që dalin nëpër ujë, duke larguar fëmijët dhe një pjesë jo e vogël që lëviz me varka, madje disa me motor. Kjo është pamja gjatë gjithë ditës së djeshme në brendësi të Shkodrës. Lëvizja e shumë qytetarëve me varka ka tërhequr vëmendjen e shumë kureshtarëve që vinin nga lagjet e largëta të qytetit për të parë se çfarë po ndodh në hyrje të qytetit.
Në Bashkinë e Shkodrës janë përfshirë nga përmbytjet shatë lagje: “Bahçallëk”, “Tophanë”, “Kiras”, “A.Haxhia”, “S.Halili”, “Ajasëm” dhe “Shirokë”. Por për momentin, situata është më problematike në lagjen “Bahçallëk”, ku niveli i ujit ka arritur gati një metër. Ajo që po krijon më shumë panik, është situata në lagjen “Xhabie”. Ndërsa niveli i ujit në zonën e Pazarit, vetëm 200 metër pa hyrë në lagjen “Xhabie”, ka arritur deri në 70 centimetra, duke përmbytur disa pika karburanti dhe dyqane.
Përmbytja e pikave të karburantit ka krijuar jo pak probleme, pasi ujërat që sjell lumi Buna përzihen me karburantin që del nga depozitat. Nga e gjithë kjo situatë janë me qindra dyqane dhe shtëpi të përmbytura në brendësi të qytetit. Tashmë e gjithë vëmendja është përqendruar për të shpëtuar qytetin e Shkodrës. Nga një anë është niveli i rritur i liqenit të Shkodrës që ka fryrë lumin Buna, nga ana tjetër derdhja pengohet nga prurjet tepër të mëdha të Drinit, duke bërë që tashmë Buna të futet brenda në qytet.
Situata aktuale në lagjet periferike të qytetit nuk ka lënë jashtë panikut dhe banorët e tjerë të Shkodrës, të cilët u janë drejtuar dyqaneve për të blerë ushqime rezervë dhe ujë të pijshëm nga frika e krijimit të ndonjë situate të jashtëzakonshme. Gjithashtu problem është ndotja nga ujërat e zeza, duke krijuar problem për higjienën.
Ndërkohë, në shumë zona mungon energjia elektrike pasi disa kabina janë nën ujë, ndërsa në disa zona të tjera energjia është ndërprerë për arsye sigurie. Të dhënat më të fundit të Shtabit të Emergjencave në Shkodër raportojnë shifra alarmante. 4500 familje janë tashmë të evakuuara, por që mund të ketë më shumë pasi shumë janë larguar vetë tek të afërmit, pa pritur urdhrat e autoriteteve dhe ndihmën e ushtrisë.
Ndërkohë 10350 hektarë tokë janë nën ujë. Ndërkaq rreth 1560 familje kanë prezencë uji në banesat e tyre, ndërsa 740 shtëpi raportohen të përmbytura plotësisht.
E gjithë vëmendja është përqendruar aktualisht te qyteti i Shkodrës, pasi rreziku aty është më i madh për shkak të dendësisë së popullsisë, por situata në fshatrat e Nënshkodrës është edhe më katastrofike. Oboti, Velipoja, Darragjati, Shirqi e shumë fshatra të tjerë janë tërësisht të mbuluar nga uji. Asnjë rrugë rurale në këtë zonë nuk është e kalueshme dhe asnjë shtëpi fushore nuk është më e banueshme.