Nga: BESNIK GJONGECAJ
Kriza e thellë në të cilën është përfshirë Shqipëria, nuk mund ta fshehë apo ta relativizojë procesin e shndërrimit të saj nga një vend kandidat potencial, në një vend kandidat të Bashkimit Evropian. Përkundrazi, për qytetarët syhapur dhe politikanët që nuk janë banditë, kjo krizë vetëm sa e nxjerr më në pah nevojën ekstremisht të rëndësishme të përshpejtimit të këtij procesi.
Në rutinën e fjalimeve që mbahen nga qeveritarët për procesin e anëtarësimit, në rutinën e të gjitha bisedave të zakonshme të njerëzve, madje edhe të atyre që nuk kanë asnjë qindarkë për të filluar ditën, madje edhe të atyre që nuk dinë të lexojnë por mendojnë se duke folur për anëtarësimin iu japin të tjerëve të kuptojnë se kanë bërë goxha shkollë, pra, në rutinën e përditshme të përdorimit të kësaj fjale, shqiptarët, padashur, kanë harruar të ndalojnë një minutë, të marrin frymë thellë dhe të bëjnë pyetjen çuditërisht të harruar, megjithëse më të thjeshtën e botës: Si u është përgjigjur qeveria pyetjeve që na ka bërë Evropa, aq më shumë që varësisht prej tyre ne do të pranohemi prej saj ose jo?
Kjo pyetje e harruar bëhet akoma më esenciale kur dihet që pyetësori është ndërtuar që evropianët të njohin jetën e shqiptarëve dhe se si qeverisen ata nga qeveria që kanë. Në pamundësi që qytetarët të marrin pjesë drejtpërdrejt në dhënien e përgjigjeve, këtë e ka bërë qeveria e tyre dhe kjo është deri diku e arsyeshme. Pra, qeveria shqiptare, me gjithë problemet e mëdha në integritetin e saj, i tregon evropianëve se si dhe se sa mirë po i qeveris shqiptarët.
Deri diku edhe hahet. Megjithatë ka një gjë që nuk gëlltitet dot, fare të paarsyeshme, në të gjithë këtë proces. Qeveria i ka mbajtur të fshehta, nuk i ka bërë publike përgjigjet e pyetjeve të Evropës, të cilat në thelbin e tyre janë pyetje që i dedikohen jetës së shqiptarëve, në të gjitha kuptimet. Zonja në krye të Ministrisë së Integrimit, institucion qeveritar që shqiptarët e paguajnë vetëm për të organizuar procesin e përgatitjes së përgjigjeve të pyetjeve të Evropës, thotë që përgjigjet e pyetësorit “nuk do të bëhen pjesë e domain-it të publikut” dhe për këtë, qartësisht, nuk ndjen ndonjë përgjegjësi qytetare.
Kjo do të thotë që dikush, dhe në radhë të parë qeveria e këtij vendi, i përgjigjet pyetjeve mbi jetën e shqiptarëve dhe organizimin politik e shoqëror të saj, duke ia fshehur shqiptarëve. Por, nga ana tjetër, një gjë është kristal e qartë: shqiptarët e dinë mirë si dhe ku jetojnë, e njohin mirë realitetin e gjërave, vendin e tyre. Prandaj, ajo që u mbetet të dinë nuk është ky realitet në vetvete, por se si përshkruhet ai te Evropa nga qeveria që ata kanë.
A është e vërtetë që në përgjigjet e dërguara Komisionit të BE është përshkruar ai realitet të cilin e jetojnë shqiptarët apo një realitet tjetër, virtual, të cilin pritet që shqiptarët ta jetojnë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm? Jemi, prandaj, përballë një absurdi mbi të cilin mund të ndërtohet një letërsi e tërë surealiste: një popull të cilit ia shkruajnë jetën e tij në letër, por ai e ka të ndaluar ta lexojë atë!
Në vend të përgjigjeve mbi pyetjet që BE ka formuluar për çdo pjesë të realitetit, shqiptarët njihen me një grumbull të madh shifrash, që s’kanë lidhje me përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit, pra që nuk kanë lidhje me ta, por me qeverinë.
Një mal shifrash, leximi i të cilave vetëm sa të terrorizon: pyetësori i BE-së ka 384 faqe, ka 2280 pyetje, 33 kapituj; stafi që ka punuar për përgjigjet është trajnuar nga 28 ekspertë ndërkombëtarë, 30 ekspertë vendas dhe akademikë, janë mbajtur 160 mbledhje, janë angazhuar 67 përkthyes, përgjigjet kanë zënë 3800 faqe. Ka pak ditë që mbi shifrat e vjetra u shtresuan të reja: Komisioni i BE ka bërë pyetje të reja; nuk është e rëndësishme çfarë kishte mbetur pa pyetur, e rëndësishme është që janë bërë dhe 170 pyetje të tjera dhe përveç kësaj, janë paraqitur edhe 530 kërkesa të reja për plotësimin e pyetësorit!
Veçanërisht në këtë pikë, kam vënë re që kënaqësia e zonjës së Integrimit kur del në ekran është e jashtëzakonshme, sepse bëhen kaq shumë shifra, bëhen kaq shumë faqe, madje nuk mjaftojnë, pra, duhen faqe të reja, pyetje të reja; dhe si në ekstazë i kam parë sytë e saj të ndrisin kur vjen komenti, përfundimi: e gjitha kjo, pra i gjithë ky mal shifrash që bëhet akoma më i madh, akoma më i lartë, tregon, sipas zonjës së Integrimit, që BE, ata komisionerët e largët, janë aq të interesuar për Shqipërinë, dhe prandaj duan më shumë shifra, çka tregon që ata nuk janë vetëm të interesuar, madje interesi është shumë pak për të përshkruar situatën, ata gati-gati kanë rënë në dashuri me Shqipërinë, dhe ngaqë nuk duan që kjo ndjenjë të ftohet, po merren me të me shpejtësi; çka do të thotë që shifrat e shumta janë një ogur i mirë, një ogur që tregon se jemi në rrugë të mbarë, se Europa na do, na duan ata, komisionerët e largët.
Ndërsa shqiptarët heshtin, shohin të hutuar ekranet, zonjën e Integrimit që flet dhe nuk di të ndalojë, dhe me siguri i bëjnë vetes disa pyetje, nga të cilat njërën e bëjnë me siguri: ç’janë gjithë këto shifra, faqe, pyetje, manovra përgjigjesh? Vërtet kaq të komplikuar e paskemi pasur ne shqiptarët jetën dhe nëse është kështu, pse vallë nuk na lënë ta lexojmë atë? Ndërkohë që ata vetë e dinë, pra shqiptarët, se jeta e tyre është në fakt fare e thjeshtë, madje po bëhet aq e thjeshtë sa po i humb edhe ato pak ngjyra që kishte, të cilat po fshihen me shpejtësi dhe po mbeten ngjyrat që i njohim të gjithë, bardhë e zi, të pasur e të varfër, me pushtet dhe pa pushtet, në anën andej ose në anën këtej; gjithmonë e më pak punë, gjithmonë e më shumë një arsim dhe një shëndetësi e keqe, gjithmonë e më pak drejtësi dhe gjithmonë e më e madhe nevoja për të mbyllur gojën dhe fshehur mendimet që ke.
Çfarë ka këtu kaq të ndërlikuar sa duhen me mijëra pyetje, mijëra faqe përgjigjesh, dhjetëra ekspertë të huaj, qindra vendas? Kjo nuk është dhe nuk ka si të jetë një pyetje për qeverinë e shqiptarëve, sepse ajo ka dhënë prova prej kohësh që nuk ka integritetin më minimal t’i përgjigjet me realizëm pyetjeve të tilla; aq më shumë kjo nuk është një pyetje për atë, ministrinë e Integrimit, e cila mbledh të dyja: edhe informacionin për jetën e shqiptarëve edhe taksat nga xhepat e tyre. Pyetja në fakt është për z. Lohan, ambasador, kryetar i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri: pse, z.Lohan, përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit nuk u bënë pjesë e informacionit të publikut shqiptar? Çfarë ka të klasifikuar në përmbajtjen e tyre?
* * *
Që në fillim është nisur keq me Shqipërinë, sepse procesi i afrimit me Bashkimin Evropian është konceptuar duke shkelur parimet më esenciale të organizimit dhe ekzistencës së kësaj organizate. Në themelimin e Bashkimit Evropian, pra që në Traktatin e Maastricht-it në shkurt të vitit 1992, ekzaktësisht në nenin 1 të këtij traktati të famshëm, shkruhet: “Ky traktat shënon një stad të ri në procesin e krijimit të një bashkimi që kurrë s’ka qenë më afër popujve të Evropës dhe ku vendimet merren në mënyrën më të hapur të mundshme (parimi i transparencës) dhe në mënyrën më pranë të mundshme (parimi i subsidiaritetit) ndaj qytetarit”.
Këto dy parime bëhen pjesë e rëndësishme edhe e dy takimeve që pasojnë Maastricht-in, takimi i Këshillit Evropian në Birmingham, tetor 1992 dhe takimi i Edingburgh-ut, dhjetor 1992. Madje, në këto dy takime BE angazhohet të mbikëqyrë zbatimin korrekt të këtyre dy parimeve. Gjithsesi, kulmi arrin në takimin e Këshillit Evropian në Kopenhagen, 1993, në konkluzionet e të cilit, dy parimeve më të rëndësishme të funksionimit të krejt ngrehinës së BE, pra parimit të ndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël, “subsidiarity principle”, dhe parimit të transparencës, ose siç shkruhet në këtë traktat, “openness principle”, i kushtohet gjithë paragrafi 15, ku midis të tjerash thuhet: “Këshilli Evropian i fton të gjitha institucionet që parimet e subsidiaritetit dhe transparencës të materializohen në të gjitha aspektet e aktivitetit të vendeve pjesëmarrëse si dhe të jenë plotësisht të zbatueshme në veprimet e përditshme të këtyre institucioneve”.
Të gjithë ata që merren me këtë punë, pra me procesin e zgjerimit të BE-së, e dinë që të shndërrohet Shqipëria në një vend kandidat të BE, duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagenit, dhe më kryesori është: “vendi duhet të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokraci”. Ky kriter nuk mund të plotësohet nëse nuk është arritur paraprakisht që “institucionet e këtij vendi dhe procesi i marrjes së vendimeve prej tyre është efektiv dhe i përgjegjshëm”.
Nga ana tjetër, procesi i marrjes së vendimeve është efektiv dhe i përgjegjshëm vetëm nëse institucionet janë ndërtuar mbi parimin e subsidiaritetit (asnjë proces vendimmarrës nuk është demokratik nëse nuk bazohet mbi këtë parim) dhe vetëm kështu, pastaj, procesi i vendimmarrjes mund të jetë transparent, i hapur, dhe akoma më shumë, i kontrollueshëm.
Qeveria shqiptare po e plotëson pyetësorin e BE-së në një proces që nuk është transparent, duke shkelur kështu edhe një parim bazë të ngrehinës evropiane ku po përpiqemi të hyjmë. Kjo është vetëm njëra anë, dhe ajo që duket lehtësisht. Ana tjetër është edhe më tragjikja: duke fshehur përgjigjet e pyetjeve ndaj popullit të saj, qeveria po mundohet të fshehë vërtetësinë e tyre, çka jo vetëm që e kthen procesin në jo realist, por edhe të turpshëm.
Sot nuk ka njeri të vëmendshëm dhe që i njeh institucionet njëkohësisht, të mos e ketë vënë re se të gjitha institucionet që janë në Shqipëri, pa asnjë përjashtim, si ato të pjesës ekzekutive, ashtu edhe të pushteteve të tjera, si të marra veç e veç, ashtu edhe në nivelin shtetëror (parimi i subsidiaritetit zbatohet në nivel shtetëror dhe pastaj në nivel institucional, d.m.th, përgjegjësia ndahet njëherë në nivel shtetëror dhe ajo që i jepet çdo institucioni, po mbi bazë të këtij parimi, ndahet brenda vetë institucionit), janë ndërtuar duke mos zbatuar asnjë prej dy parimeve, pasi procesi vendimmarrës nuk është kuantifikuar sipas parimit të subsidiaritetit nga njëra anë, dhe nuk është transparent nga ana tjetër.
Kjo e bën Shqipërinë një vend krejt të pangjashëm me çdo vend në hapësirën demokratike të BE. Shqipëria mund të ndërtojë rrugë, mund të blejë kompjutera, madje mund ta shndërrojë në universitet edhe fakultetin e mjekësisë, apo t’i heqë tatimin mbi vlerën e shtuar universiteteve private; por ajo kurrë nuk do të bëhet e ngjashme me Evropën nëse nuk rindërtohet nga pikëpamja demokratike, mbi bazë të parimeve universale të ndërtimit të institucioneve në një vend demokratik. Qeverisja e Shqipërisë dhe çdo aksion tjetër i ndërmarrë prej saj nuk është transparent, sepse qeveria nuk mund të zbulojë para opinionit publik që pushteti i qytetarëve është rrëmbyer nga shumë pak duar. Nëse vetëm për një çast qeverisja e këtij vendi do të ishte transparente para qytetarëve dhe do të denonconte kështu mënyrën se si e zotëron dhe përdor pushtetin e dhënë nga qytetarët, Shqipëria jo vetëm që nuk do të mund të hyjë në Evropë, por të gjithë do të kuptonin se ajo përbën një rrezik për të.
* * *
Në “progres raportin” për vitin 2009, midis të tjerash, thuhet: “Shqipëria bëri progres në reformimin e sistemit të arsimit të lartë në përputhje me drejtimet e Bolonjës, veçanërisht lidhur me sistemin e diplomave”. Ka ndodhur ekzaktësisht e kundërta. Sistemi i diplomave në Shqipëri është plotësisht i ndryshëm me drejtimin e Bolonjës dhe kjo është akoma e fiksuar edhe sot në ligjin ekzistues të arsimit të lartë, me gjithë tentativat qesharake për ta ndryshuar atë menjëherë pas dy vjetësh. Megjithëse qeveria është paralajmëruar shumë herë për këtë shmangie dhe publikisht, raportuesi thotë të kundërtën, një gjë të pavërtetë, dhe akoma më shumë, nuk bën asnjë tentativë për të shkuar te rrënjët e këtij problemi. Kjo nuk do të thotë që ai nuk ka dashur të jetë realist.
Kjo do të thotë që ai ka pyetur zyrtarët e kësaj qeverie dhe ka shkruar raportin në bazë të informacionit të tyre, duke anashkaluar faktin aq të trishtueshëm të mungesës së integritetit si karakteristikë esenciale e kësaj qeverisje. Ky është vetëm një shembull, por ka shumë të tjerë si ky. I dhënë në këtë shkrim, ky shembull është i mjaftueshëm për të dhënë alarmin se asnjë raport mbi Shqipërinë nuk do të ishte realist nëse nuk do të ishte transparent, pra, nëse nuk do të bëhej publik dhe të priteshin vërejtjet dhe konstatimet e qytetarëve.
Kjo domosdoshmëri bëhet absolute për kushtet e Shqipërisë, gjë që nuk zbehet aspak edhe pse grupe ekspertësh të BE-së mund të vijnë në terren për të kontrolluar vërtetësinë e përgjigjeve. Prandaj, z.Lohan, meqenëse kjo qeveri nuk e bën dot, duhet të jeni ju ai që do të duhet të bëjë transparent përgjigjet e pyetësorit para shqiptarëve. Me siguri, kjo do të përmirësonte rrënjësisht edhe cilësinë e punës suaj në Shqipëri.







