Shqiptarët zgjodhën një formë më demokratike të korrupsionit

0
25

Nga Fred Abrahams*, The Huffington Post, 1 Korrik 2013

Zgjedhjet e javës së shkuar në Shqipëri meritojnë duartrokitje. Një pjesë e madhe e vendit refuzoi kryeministrin autoritar, Sali Berisha, që ka dominuar jetën politike të Shqipërisë që prej rënies së komunizmit 22 vite më parë. Me pak përjashtime, zgjedhjet ishin paqësore- pa dyshim një fakt pas dy dekadave tranzicion në vend.

Por vëzhguesit në Shqipëri- përfshi Bashkimin Europian, që po merr në konsideratë kandidaturën e vendit- nuk duhet të nxitohen për ta lexuar këtë sukses si shenjë të një ndryshimi strukturor. Dinamika pas zgjedhjeve, dhe një vështrim i imtësishëm mbi rezultatin, zbulojnë defektet shqetësuese që do të ndikojnë mbi Shqipëri në vitet që vijnë. Duartrokitjet duhet të jenë të shkurtra.

Fillimisht, fitorja e Partisë Socialiste nuk ishte një votë për programin apo për liderët e partisë. Ajo ishte një votë kundër Berishës. Ishte një referendum për sundimin e tij, si gjatë tetë viteve të fundit, ashtu edhe për periudhën nga viti 1992. Shqiptarët refuzuan paternalizmin e tij të shkollës dhe vjetër dhe korrupsionin- të cilin kishte premtuar se do e frenonte, por nuk e bëri kurrë një gjë të tillë.

Së dyti, edhe me këtë refuzim, votuesit nuk u kthyen direkt tek ana tjetër. Socialistët fituan vetëm një votë më shumë në parlament në krahasim me katër vite më parë. Fituesi i madh ishte një parti e vogël, e quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim, që është ndarë nga socialistët në vitin 2004, duke kaluar në koalicionin e demokratëve në vitin 2009 dhe duke rrëshqitur sërish në krahun e socialistëve për këto zgjedhje. E drejtuar nga një operator i aftë si Ilir Meta, kjo parti në mënyrë të befasishme kërceu nga 4 në 16 vende në parlament.

Një kërcim i tillë ishte i paimagjinueshëm disa muaj më parë. Partia e Metës ishte akoma në koalicionin qeverisës së Berishës, duke mbajtur ministritë e Ekonomisë, Punëve të Jashtme dhe Shëndetësisë, kështu që ajo ndan fajin për problemet e vendit. Meta vetë është akuzuar gjerësisht për korrupsion, përfshi një video të transmetuar në televizion dy vite më parë, ndërsa ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ku duket ai ndërsa organizon një marrëveshje të pistë. Vërtetësia e videos nuk u verifikua kurrë dhe prokuroria u dorëzua pas presioneve të forta politike, megjithatë akuza mbeti. Forcat e qeverisë, që qëlluan dhe vranë katër protestues në një protestë anti- korrupsion pas videos, u shpallën të pafajshëm.

Në fushatën elektorale të këtij viti, Meta bëri një lëvizje dramatike duke lënë Berishën për koalicionin socialist. A menduan shqiptarët se ai i ka lënë pas lojërat e korruptimit? Apo ata u frymëzuan nga një platformë brilante e partisë së tij? Në të kundërt, shqiptarët u joshën nga pagesat në cash dhe nga vendet e punës, dhe askush përveç makinerisë së Metës nuk e bën më mirë këtë punë. Si demokratët, edhe socialistët- më shumë me lavdërim sesa me përbuzje- thonë se parti e tij është e organizuar, eficiente dhe shkon direkt e në pikë- në këtë rast me 200 euro për votë. Si mund të shpjegohet ndryshe kjo rritje e katërfishtë pasi bashkëqeverisjes dhe pasi ndryshoi krah në minutën e fundit?

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të bëhet kryeministri i ardhshëm, por Meta do e ketë atë nën kontroll. Ashtu siç bëri me Berishën, Meta do të kërkojë një përqindje të lartë të vendeve të punës në administratë për mbështetësit e tij si dhe pandëshkueshmëri për marrëveshjet e tij të errëta. Me koston e një fushate që ka shkuar në miliona, Rama ishte i detyruar që të kërkonte ndihmë nga biznesmenë të ndryshëm në forma të dyshimta; dhe ata po ashtu do kërkojnë një rikthim të fuqishëm të investimit të tyre.

Në këtë mënyrë shqiptarët kanë zgjedhur një formë më demokratike të korrupsionit, me një sistem patronazhi që shpërblen mbështetësit, ndryshe nga korrupsioni i ngushtë i Berishës për një rreth të ngushtë familjarësh e miqsh.

Vula e miratimit që ky proces zgjedhor ka marrë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet të shihet me sy skeptik. Blerja e votës është mashtrimi më i vështirë për t’u zbuluar nga vëzhguesit. Fakti që nuk u vunë re manipulime të trasha gjatë numërimit, ka ardhur për shkak të fitores dërrmuese të opozitës sesa nga një proces i përmirësuar. Nëse rezultati do ishte i ngushtë, Berisha do kishte përdorur kontrollin e tij mbi shtetin për të luajtur marifetet e tij të ndyra.

Shqipëria duket më e qëndrueshme dhe më pranë BE-së për shkak të zgjedhjeve të qeta dhe transferimit paqësor të pushtetit. Berisha madje bëri një veprim të papritur kur dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike, edhe pse do jetë pjesëtar i parlamentit të ri. Por stabiliteti është iluzion. Është i bazuar më së shumti mbi formulime shqiptare sesa mbi institucionet. Sistemi nuk punoi më mirë, thjesht nuk u testua.

Edi Rama, artist dhe ish- kryebashkiaku i Tiranës, nuk është Sali Berisha- ai do e shmangë qasjen përçarëse dhe klanore të paraardhësit të tij. Por ai i detyrohet Metës dhe atyre që i financuan fushatën. Mundësitë e tij për të nxitur një sistem funksional të drejtësisë, media të pavarura dhe polici apolitike do jenë të kufizuara.

Në Shqipëri nuk është mungesa e frymës demokratike apo njohurive që e pengon ndërtimin e institucioneve të pavarur. Është fakti se fuqive mbizotëruese në ekonomi u mungon interesi që t’i kenë ato të pavarura. Dhe kjo, pavarësisht largimit të Berishës, nuk ka ndryshuar në mënyrë radikale.

*Fred Abrahams po shkruan një libër në lidhje me rënien e komunizmit në Shqipëri. Titulli është redaksional. Titulli në origjinal: “Në Shqipëri është problemi i institucioneve”