SHQIPTARËT, XX VJET PËRBALLË MURIT TË VIZAVE

0
84

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Sot mbushen 20 vjet nga data kur në Tiranë grupe qytetarësh shpërthyen valvolën e izolimit, duke shembur muret e disa ambasadave. Libidoja e skllavërisë ishte e ndrydhur aq fort, sa nuk mund të mos shpërthente. Qe një shembje që paralajmëroi rënien e krejt sistemit 45-vjeçar diktatorial. Por vështirë se ndokush mendonte në ato ditë se 20 vjet më pas shqiptarët nuk do ta gëzonin ende minimumin e lirisë që është liria e lëvizjes. Edhe sot që po shkruajmë këto radhë, shumica e shqiptarëve (përjashto një grusht politikanësh, biznesmenësh, por edhe trafikantësh të krimbur në para), e kanë të mohuar lirinë e lëvizjes.

Si në komunitetin e një getoje të ndarë nga pjesa tjetër e botës, atë janë të detyruar t’u nënshtrohen radhëve poshtëruese dhe rraskapitëse në sportele ambasadash. Mbi kokat e tyre ngrihen përsëri, si dikur, mure të kurorëzuar me tela gjembaçë. Shumë nuk arrijnë ta marrin vizën për të udhëtuar. I ndalin pa i vrarë me plumb. Por vetëm fizikisht jo. Sepse janë vulat e burokracisë ato që vrasin shpresën e tyre, ato që godasin pa mëshirë në pasaporta: No, no passaran! Dhe jo pak shqiptarë i përvidhen izolimit me arratisje nga kufiri, nga deti, nga toka, nga mali. Dhe në atë ikje tinëz si dikur, i kërcënon përsëri gryka e automatikut e kufitarit. Tashmë jo e atij me yll të kuq në ballë, por e atij që mbron kufijtë e Botës së Lirë, kufijtë e Europës që shqiptarët nuk po e arrijnë dot.

* * *

Sot Partia Demokratike në pushtet përgatitet të festojë me pompozitet XX vjetorin e rënies së murit të “Berlinit” në Tiranë. Po ku është fitorja, ku është liria e lëvizjes për të mos folur për liritë e tjera? Muri i vizave është përsëri në këmbë në zemër të kryeqytetit dhe shqiptarët janë ndër skllevërit e fundit në rajon që nuk janë ende të lirë të udhëtojnë pa viza. Shqipëria është si një ergastul. Që të dalë në “qytet” gladiatori skllav duhet të marrë leje nga lanisti që e mban në kafaz.

Kjo është fitorja pra, që XX vjet pas rënies së murit të “Berlinit” në Tiranë, populli më i izoluar nën komunizëm të jetë ende populli më i izoluar në demokraci? Pushtetarët në Tiranë dhe zyrtarë në Bruksel premtojnë se duhet “edhe pak” që vizat të hiqen. Por sa pak? Ka rreth një vit që vazhdon kjo histori dhe qeveritarë të përgjegjshëm duhet të ndiheshin të turpëruar. Veç jo vetëm këta, por e gjithë klasa politike shqiptare që në XX vjet tranzicion ka bërë kaq pak për lirinë. Aq pak sa qytetarët e Shqipërisë nuk gëzojnë dot as lirinë e lëvizjes që jugosllavët e gëzonin qysh nën kohën e Titos.

E ku është lavdia e klasës politike mbi të cilën themelohet festa kur në raport me lirinë e lëvizjes jemi 20 vjet prapa një diktatori si Josip Brozi? Bilanci prej dy dekadash i klasës politike dhe i qeverisjeve të saj, të djathta e të majta, është i turpshëm, i varfër dhe poshtërues sa s’ka më. Socialistë dje dhe demokratët sot, Nano dje dhe Berisha dje dhe sot, nuk kanë arritur të investohen që shqiptarët të gëzonin atë që e njeh edhe Zoti si të drejtë të qenësishme të çdo njeriu, lirinë e lëvizjes. Por janë 20 vjet.

Ndaj nuk është cinizëm politik t’u thuash njerëzve edhe pak “sa të vijë vjeshta”. Sepse është periudha e një jete të tërë mbushur me tragjedi pikërisht për shkak të murit të vizave. Nëna është ndarë nga fëmijët, fëmijët nga babai që rropatet larg në tregjet e punës me mendje vetëm tek ata. Foshnjat u bënë burra e gra, u rritën me mallin gërryes në gji, pa atë ngrohtësi, pa atë atmosferë që krijon vetëm qenia pranë e prindit, e njeriut të dashur. Dhe jo pak nuk arritën të shpëtojnë të dashurit e tyre edhe pse nuk mundën të sigurojnë një vizë për të vajtur në ndonjë spital të një bote ende të ndaluar për shqiptarët.

Prandaj janë 20 vjet male malli dhe dëshpërimi që jo pak herë kanë vrarë më ligsht se plumbi. Janë 20 vjet izolim vizash që kanë regjistruar viktimat dhe dëshmorët e vet. Ironikisht edhe më të shumtë se në kohën e diktaturës komuniste. Dhe tani kur jemi në prag të marrjes së vizave, së paku kështu thonë, shumë familje kanë në shpirtra varra të pashërueshme as nga koha, as nga liria e lëvizjes. Ata që u gremisën honeve dhe shtigjeve të ikjes, ata që ngrinë suferinave në kufijtë mes dy botëve, ata që i përpiu dallga, nuk kthehen më dhe nuk gëzojnë dot me të gjallët e tyre.

Por as të gjallët nuk lumturohen dot pa ata. Madje vetë liria që afron, sikur e thekson tragjizmin e këtyre fatkeqëve. Sepse është e tmerrshme të mendosh se nesër do të mund të udhëtojmë komodë “jashtë shtetit”, duke paguar vetëm biletat e avionëve, ndërkohë që të dashurit tanë, dje, udhëtuan pa kthim, duke paguar me të shtrenjtën jetë. Por po thonë se jemi në prag të marrjes së vizave. Më në fund dhe ashtu qoftë! Të shpresojmë që qeveria t’i plotësojë edhe ato kushte të mbetura të udhërrëfyesit. Është pengesa e vetme, tulla e fundit e murit të vizave, guri i fundit i themelit që e mban në këmbë traun e getos. Dhe mjaft me spekulime politike edhe për këtë temë që kullon gjak e dhimbje.

Nuk ka asnjë situatë apo krizë politike që mund të pengojë të drejtën e shqiptarëve për të udhëtuar të lirë. Vetëm mosplotësimi i kushteve të udhërrëfyesit mund të bllokojë edhe për më gjatë lirinë e lëvizjes. Kjo do të qe përgjegjësi e qartë e qeverisë. Por do qe absurde që, pas plotësimit të kushteve teknike nga qeveria, një shqiptari t’i mohohej kjo liri elementare njerëzore, vetëm sepse në Shqipëri paska krizë politike! Gjë që do të thoshte se politika do të bëhej përsëri sebep për izolimin e shqiptarëve. Vetëm në shoqëritë e mbyllura situata politike mund të kushtëzojë dhe burgosë lirinë e lëvizjes. Ndaj e kundërta duhet të ndodhë sot, kur tentohet shoqëria e hapur.

Duhet që liria në zgjerim e qytetarëve të izolojë një politikë që e ka provuar në këto 20 vjet, se nuk është e aftë të investohet sa dhe si duhet për lirinë. Për të mos thënë se është investuar kundër lirisë. Dhe këtë duhet ta kuptojnë mirë edhe në Bruksel. Shqipëria nuk mund të mbetet më një geto e Europës në Ballkan për faj të politikanëve të saj. Prandaj thirrja për politikanët europianë është: Shembeni murin e vizave, që po reziston në Tiranë 20 vjet pas rënies së murit të Berlinit, dhe bëjeni edhe lirinë e lëvizjes së shqiptarëve të punojë për lirinë në Shqipëri!