Shqiptarët, të zhgënjyer me zgjedhjet e qershorit

0
59

Shekulli, 19.10.2010

50 për qind e të anketuarve mendojnë se vendi nuk është ende gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian

Shqetësues për qytetarët mbetet korrupsioni, politika shqiptare dhe krimi i organizuar

TIRANË – Shqiptarët mendojnë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë faktori kryesor përcaktues i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Në një sondazh, ata janë shprehur se lufta kundër korrupsionit, politika shqiptare, krimi i organizuar dhe niveli i ekonomisë shqiptare shihen si një pengesë për anëtarësimin e vendit në BE.

BE dhe pse niveli i optimizmit për anëtarësimin në BE vazhdon të jetë i lartë në radhët e shqiptarëve, ajo ka shënuar rënien nga një vit më parë. Lidhur me lëvizjen e lirë, qytetarët e shohin me skepticizëm mundësinë për të lëvizur edhe pas liberalizimit të vizave për shkak të pamundësisë financiare.

Ndryshimi më i madh këtë vit ka ndodhur me kategorinë “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, e klasifikuar shumë lart, duke shënuar një rritje me 61%. Kjo shpjegohet duke marrë parasysh zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në vitin 2009 dhe ngërçin politik që vijoi pas tyre, që solli një lloj zhgënjimi te një pjesë e qytetarëve shqiptarë. Instituti i Studimeve Ndërkombëtare prezantoi dje studimin “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë: Perceptime dhe realitete 2010”.

Ky është një studim i përvitshëm që Instituti kryen lidhur me nivelin e mbështetjes dhe të kuptimit që shoqëria shqiptare ka për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Të pyetur rreth faktorëve që janë përcaktues për procesin e integrimit të vendit, qytetarët shqiptarë vlerësojnë zgjedhjet e ndershme. Ata janë të zhgënjyer me zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe me sjelljen e klasës sonë politike.

Studimi tregon se zgjedhjet e lira dhe të ndershme u radhitën të parat (87%), ndjekur nga “lufta kundër korrupsionit “(78%) dhe nga “politika shqiptare” (74%). Respektivisht, 73% dhe 71% e qytetarëve shqiptarë e konsiderojnë “krimin e organizuar” dhe nivelin e ekonomisë shqiptare si një pengesë për anëtarësimin e vendit në BE.

Faktorë të tjerë, sipas studimit që u radhitën si të rëndësishëm nga një numër më i vogël qytetarësh, ishin: procesi i decentralizimit (44%), gjendja në rajon (33%) dhe në vend të fundit përbërja fetare (18%).

Ndryshimi më i madh këtë vit ka ndodhur me kategorinë “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, e klasifikuar shumë lart, duke shënuar një rritje me 61%. Pozicioni i këtij faktori ka ndryshuar nga vendi i tetë vitin e kaluar në vendin e parë këtë vit.

“Kjo mund të shpjegohet duke marrë parasysh zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në vitin 2009 dhe ngërçin politik që vijoi pas tyre, që solli një lloj zhgënjimi te një pjesë e qytetarëve shqiptarë.

Kriza mund të ketë ndikuar negativisht edhe në perceptimin e shqiptarëve ndaj çështjeve të tjera politike, gjë që shpjegon pse faktorë, si respektimi i shtetit ligjor, korrupsioni dhe politika shqiptare, janë radhitur më lart në krahasim me vitin e kaluar”, – thuhet në studimin e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare.

Shkalla e përgatitjes për t’u anëtarësuar në BE

Studimi i vitit 2010 tregon se 50 për qind e të anketuarve mendojnë se vendi nuk është ende gati, ndërsa vetëm 36 për qind e shqiptarëve besojnë se vendi është gati të anëtarësohet në BE. Shifrat e vitit të kaluar ishin përkatësisht 47.9% dhe 32.9%. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i të anketuarve që janë të pasigurt për aftësitë e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE mbetet pothuajse në të njëjtin nivel.

Në vitin 2009, dy kategoritë “nuk e di” dhe “pa përgjigje” ishin përkatësish 8.2% dhe 11%. Këtë vit, përqindja e njerëzve që nuk janë të aftë të përcaktojnë nëse vendi është gati të hyjë në BE është 14%.

Një analizë rreth përgatitjes së vendit për të hyrë në BE, sipas nivelit arsimor, tregon një prirje të personave me arsim të lartë dhe atyre me arsim pasuniversitar për të qenë më skeptikë. Pjesa më e madhe e të anketuarve në këtë kategori (63.9%) besojnë se vendi nuk është gati për t’u futur në BE.

Liberalizimi i vizave

Studimi tregon se në vitin 2010 vetëm 50.3% e qytetarëve shqiptarë kanë udhëtuar jashtë shtetit. Kjo vjen për shkak të pengesave që shqiptarët hasin për të udhëtuar. Qytetarët shqiptarë, si arsye kryesore që nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit, nxjerrin mungesën e vizës (46.6%). 40.3% e tyre përmendin si pengesë për të udhëtuar arsyet ekonomike, ndërsa 13% nuk kanë dashur të udhëtojnë.

Rëndësia e anëtarësimit në BE për Shqipërinë

TIRANË – Sipas të dhënave të studimit të publikuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, që i referohen rëndësisë që BE-ja dhe integrimi ka për qytetarët shqiptarë, paralajmërojnë një rënie të ardhshme të entuziazmit për BE-në dhe integrimin.

“Rezultatet e sondazhit të vitit 2010 e përjashtojnë mundësinë e rritjes së konsiderueshme të euro-skepticizmit mes shqiptarëve, megjithëse me një lexim deri diku më të kujdesshëm, disa të dhëna duket se shërbejnë si paralajmërim më shumë se të tjerat.

Ndërsa nuk mund të flitet për ndonjë kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj anëtarësimit në BE, duket se te shqiptarët vihet re një ftohje e entuziazmit lidhur me integrimin e vendit të tyre në BE”, – tregon studimi.

Përqindja e atyre që e mendojnë integrimin si shumë të rëndësishëm ka rënë rreth 8.9 për qind më pak se sa në vitin 2009. Përqindja e atyre që mendojnë se integrimi është i rëndësishëm, por jo një përparësi, është rritur respektivisht me 9.1 %, por qëndron në nivelin e 23.4%.

“Shifra prej 72.6%, e atyre që e mendojnë integrimin shumë të rëndësishëm, përsëri është një shifër gjithsesi shumë e lartë, por në kontekstin shqiptar ajo mund të konsiderohet shumë mirë edhe si një lajmëtar i fazave të ardhshme më shumë se sa të një euro-skepticizmi të mundshëm, të fillimit të lulëzimit, qoftë edhe në embrion, të një qëndrimi dhe mendimi kritik rreth fenomeneve, tipar thelbësor ky i një shoqërie moderne”, – thuhet në studim.

Ekspertët paralajmërojnë se zgjatja e krizës do të ketë ndikime negative mbi procesin e integrimit

“Klasa politike të zgjidhë krizën”

TIRANË – Instituti i Studimeve Ndërkombëtare i bëri thirrje klasës politike që të punojë për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar në vend që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

“Qeveria dhe opozita duhet të luftojnë për të zgjidhur ngërçin e vazhdueshëm politik, me qëllim që të zbatojnë rekomandimet e mësipërme. Procesi i integrimit dhe reformat, që lidhen me të, mund të shpejtohen dhe të zbatohen me sukses vetëm nëse gëzojnë një mbështetje nga të dyja palët”, – thotë studimi.

Ekspertët paralajmërojnë se mosarritja e këtij bashkëpunimi dhe çdo zgjatje e panevojshme e procesit, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve politike, mund të ketë ndikime negative mbi procesin e integrimit dhe për më tepër, sipas tyre, ato mund të çojnë në lodhjen dhe skepticizmin e publikut.

Studimi i kërkon qeverisë, institucioneve shtetërore dhe partive politike që të trajtojnë problemet shqetësuese për qytetarët shqiptarë që pengojnë procesin e integrimit të vendit si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shteti ligjor, korrupsioni dhe ekonomia.

“Është koha që qeveria dhe partitë politike t’i trajtojnë këto probleme”, – thotë studimi. Edhe pse jo në shifra të larta, situatë shqetësuese vërehet rënia e entuziazmit të shqiptarëve për proceset integruese të vendit tonë për në Bashkimin Evropian.

“Qeveria shqiptare, partitë politike në opozitë, media, shoqëria civile dhe formuesit e opinioneve, në përgjithësi, duhet të marrin masa të pengojnë ftohjen e entuziazmit ndaj integrimit, gjë që mund të rezultojë nga liberalizimi i vizave”, – shprehen ekspertët.

Studimi paralajmëron se duke pasur parasysh faktin që grupi më i madh i shqiptarëve mbështet integrimin për shkak të lëvizjes së lirë, atëherë kjo mund të shihet edhe si një rënie e entuziazmit dhe e mbështetjes së projektit evropian sapo regjimi i lëvizjes pa viza të hyjë në fuqi.

“Qeveria dhe klasa politike, në përgjithësi, duhet të përpiqen edhe për të shpejtuar ritmin e reformave që lidhen me integrimin, me qëllim që të mos lejojnë lodhje nga natyra e procesit të integrimit, që duket sikur nuk ka fund”, – rekomandon Instituti i Studimeve Ndërkombëtare.