Shqiptarët rrjedhin prej … mongolëve!

0
46

TemA Online, 10 Prill 2012

(Intervistë e një albanologu me Sali Berishën)

– Bashvezir Sali pasha, gjyldyrym!

– Bujrum, coglanhaber!

– Dua të flasim për vizitën tuaj të fundit në Turqi. A të fillojmë?

– Yrysh!

– Deklaratat tuaja, gjatë dhe pas vizitës suaj në Turqi, përbëjnë një rast pa precedent në historinë e diplomacisë botërore. Historianët dhe etnologët ngritën duart përpjetë. Sidomos albanologët u bënë për të vrarë veten.

– Kush janë këta albanologët që kanë llapur pa dijeninë dhe lejen e shtetit dhe të qeverisë sonë?

– Franc Bop, Prosper Merime, Albin Leski, Eduard Mejer e të tjerë.

– Dhe përse u nervozuan pizevengët?

– Sepse aludoni hapur për mungesën e aftësive të tyre shkencore. Të gjithë ata mbrojnë tezën se shqiptarët e kanë origjinën nga Pellasgët dhe Ilirët.

– Atëherë, haram u qoftë! Me sa duket kanë qenë të indoktrinuar nga propaganda komuniste.

– Zoti Berisha, sinqerisht, mbetem pa gojë me këto që thoni!

– Mos ki gajle! Sepse mungesa e gojës te një njeri ka dy të mira. Se pari nuk ha dhe kështu zgjidh edhe problemin e krizës dhe, së dyti, nuk këput broçkulla pa hesap. Por, nejse! Dhe perse u habite kaq shumë, zotrote?

– Po sepse albanologët që permenda kanë vdekur të gjithë përpara se të vinte në pushtet Enver Hoxha.

– Harbut! Më duket se nuk e ke idenë se ç’ishte ideologjia komuniste. Demoni i saj është kaq i fuqishëm, sa që ndikon mendjet e njerëzve akoma dhe përtej varrit! Thyen çdo logjikë dhe ligj të njohur të kohës dhe hapësirës!

– Zoti Kryeministër, sipas argumentimeve tuaja, shqiptarët e kanë prejardhjen nga mongolët?

– Jo ore kopuk! Si të erdhi?

– Konkluzioni im rrjedh nga llogjika matematike e rregullit të treshit, që pak a shumë, do të thotë… Meqënëse vetë turqit pretendojnë se e kanë origjinën nga fiset mongole, atëherë edhe shqiptarët janë mongolë, përderisa kanë lidhje gjaku me turqit! Jeni dakort?

– Bashibozuk, ja fut kot! Kjo logjikë e rregullit të treshit, me sa duket të ka bërë dëm të madh. Dhe unë, që të të ndihmoj, do ta qëroj nga faqja e dheut me një dekret qeveritar të ardhshëm. Por, nejse! Nëse turqit ngulin këmbë në teorinë e tyre, atëherë qenka e vërtetë.

– Gjë që do të thotë se ne shqiptarët jemi pasardhësit e Xhengis Khanit dhe Timurlengut, të cilët ishin pushtuesit më të mëdhenj dhe më të egër të botës! Është e vërtetë?

– Kjo që po më pyet përbën sekret shtetëror dhe Kushtetuta ma ndalon që të flas.

– Zoti doktor! Deklaruat në te gjitha tonet, se turqit dhe shqiptarët janë popuj miq dhe me kulturë të përbashkët. Qendron shkencërisht kjo tezë?

– Po, është e padiskutueshme!

– Po si është e mundur që shqiptarët dhe turqit të jenë popuj miq, kur dihet se për 500 vjet me radhë turqit ishin pushtues dhe shqiptarët të robëruar?

– Kjo nuk do të thotë gjë! Si përgjigje, po të kujtoj një thënie të romakeve të lashtë: “Ne vërtetë pushtuam grekët, por u pushtuam edhe vetë nga kultura helene”. Të njëjtën gjë pësuan edhe turqit me shqiptarët.

– Po si ka mundësi që të quhet mik populli shqiptar me atë turk, kur dihet se në asnjë dokument të shkruar apo thënie gojore, në asnjë vepër letrare apo shprehje gjuhësore shqipe, nuk ekziston qoftë edhe një fjalë e vetme pozitive për turqit?

– Ato janë hollësira! Përderisa e them unë, nuk ka pikë diskutimi.

– Si është e mundur që një komb që ka nxjerre një hero kombëtar si Skënderbeu, i cili u shqua në luftën për vdekje kundër turqeve, të quhet filoturk?

– Le të mbete midis nesh, por edhe Skenderbeu nuk është pa gjynahe.

– Urdhëro?

– Dua të them se u nxitua disi në luftën kundër turqeve. Sepse po të mos rezistonte, nuk do të vriteshin aq dhe aq shqiptarë. Më kupton?

– A, ëe kuptova! Prandaj dhe ftuat zotin Erdogan në festimin e 100 vjetorit ëe Pavarësisë.

– Pikërisht! Me sa duket, ke filluar të kapësh fillin e gjërave.

– Mirëpo, mos lind ndonjë problem me Pashko Vasen, i cili ka thënë se… feja e shqiptarit është shqiptarija…

– Ke të drejtë, por Pashko Vasa i shkretë, në kohën që i tha këto fjalë, vuante nga arteroskleroza. Nuk mund të them më tepër hollësira, sepse ma ndalon Hipokrati.

– Ju pretendoni se turqit dhe shqiptarët kanë lidhje gjaku. Deri tani dinim se vërtet shqiptarët kishin lidhje gjaku me turqit, por e thoshim në kuptim figurativ. Domethënë se i ndajnë nga njëri-tjetri lumenj gjaku, përderisa u therrën dhe u vranë per 500 vjet. Mos ishte ndonjë lapsus i çastit?

– Në asnjë mënyrë! Unë nuk flas me metafora, por në aspektin e përzierjes gjenetike.

– Ju thoni se Turqit edhe sot e kësaj dite preferojnë gratë shqiptare.

– Po, është e vërtetë!

– Mirëpo, kështu del se turqit na kaëe … per 500 vjet dhe vazhdojnë edhe sot të na bëjnë të njëjtën gjë.

– Derdimen letërnxirës! Mos vallë je i vënë nga kryetari i opozitës? Nëse je i tillë, atëherë do të pushoj menjëherë nga puna!

– Ç’ne, zoti Berisha! Unë jam gazetar i pavarur dhe jo nënpunës i shtetit!

– Gazetar i pavarur the? Ashtu? Atëherë po mbyll gazetën e pronarit tënd. Rezultati është i njëjtë. Jazek, coglanhaber!

Intervistoi Kristo Cakuli