Gjergj Fishta, 1913
Në Shkodër si një herë e një herë, rrena, pluhun, baltë, kuaj e të tana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipnia! – por punë, pa të cilat Shqipnia nuk mundet me dalë në dritë pak e aspak. Njerëzit janë tuj ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se shka po u bjen nana-vida Evropë. Por, për një herë prit zot veç… mizat, sepse me ç’andrra po shihen vonë a vonë do t’ju bien gja në skjep. E pra, atdhetarët e shkretë plasën, plasën tuj folë për atdheun e tuj punu për vehte. Por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba klub me pi kafe e me ça llafe… politiket. Oh, po! Për politikë mos pyet. Këtu politikë sa të duash. Pa pasë studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark, pa i pasë ndie kurrë emnin strategjisë, çdo tuberkuloz i keq, ba prej sëmundjet që mos me u gjetë qen që ndigjon me e hangër, flet mor ti shok për punë luftet sikur të ishte Wellingtoni apo Napoleoni, e kaq e zgjat sa ta ban kryet për voe. Por me ba me pasë rrezik me ndejë me ndonjë asish, që i asht mbushë mendja se asht i mendshëm, atëherë nuk i gjen maje vehtes; kaq dijen, filozofinë e politikën e madhe e pështyn për gojë; ta ban botën fele fele, me ba se asht tuj nda ndonjë shalqi Stajket; i ngatrron e i shkatrron krajlat shoq me shoq, me të thanë mendja se atëherë po, kërcet lufta e po bahet nami; por kur fundi veç në i kriset zorra e tij prej së thatit, se kurrkush s’lot vendit.
E tuj kenë se këtu rregullohet politika jo mbas interesash të atdheut, por mbas interesash së gjithsecilit, çdo punë që ndodh, kaq dredhet e shpërdredhet, e shtohet e zvogëlohet e zbukurohet sa nuk mundesh ma me dijtë se shka asht rrenë e shkaasht e drejtë.
Prandaj këtu tek e përkohëshmja e jonë këtë herë nuk po vëmë lajme Shkodret, tuj drashtë fort se po shkruejmë rrena, çka nuk asht në natyrë të të përkohëshmes sonë.