Shqiptarët në Maqedoni të marrin në dorë fatin e tyre

0
31

Dr. Sulejman Anazi (NESHAJ)

Maqedonia, shteti artificial i regjimit titist, e sëmura në kërthizë të Ballkanit, po mbahet në këmbë në saj të separatizmit politik shqiptar. Nuk do të dëshironim të ishte kështu, por ky është realiteti i hidhur që po i kushton shumë çështjes kombëtare shqiptare.

Problemin e kam me “elitën” politike shqiptare në Maqedoni, pa përjashtuar askënd, e cila sot e sheh veten të zhytur në korrupsion politik, moral dhe ekonomik, duke harruar gjakun e të rënëve dhe identitetin e saj kombëtare. Këtu nuk ka vend për moralizim, por për trasparencë me opinionin e shëndosh patriotik dhe intelektual shqiptar, për t’i dalë përpara të keqes së madhe, e cila duke mos pasur valvula shkarkimi një ditë do të shpërtheje me pasoja shumë të rënda.

Më konkretisht: Liderve shqiptarë në Maqedoni u është bërë ftesë publike për krijimin e forumit politik shqiptar për unifikimin e qëndrimeve në çështjen kombëtare, të cilës i janë përgjigjur negativisht, duke paragjykuar inisiatorët në emra të veçantë dhe duke ju nënshtruar presioneve politike të OSBE-së.

Pretendimet e tyre që, politikën në Maqedoni e kanë nën kontroll amerikanët dhe faktori ndërkombëtar, është një absurd dhe njëherazi mashtrim që po i bëhet opinionuit shqiptar, duke e katandisur klasën politike pa asnjë alternativë zhvillimi, por të tërhiqet zvarrë pas ngjarjeve.

Vendi po zbrazet dhe ata heshtin, pasi kjo u intereson që të kryejnë të pashqetësuar punët e tyre në perandorinë e korrupsionit politik dhe të krimit në përmasa kombëtare.

Shkollat shqipe rrezikojnë të mbyllen për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe arsimtarët të mbeten pa punë.

Po ndodhin vrasje dhe arrestime me skenarë policorë monstruozë dhe ata heshtin, duke konfirmuar fajësinë për pjesmarrjen e tyre në këto krime, të kapur fortë pas karrigeve të pushtetit politik.

Administrata publike është mbushur vetëm me punonjës maqedon dhe ata heshtin poshtërsisht edhe pse janë të përjashtuar tërësisht nga elementët e sigurisë, duke i bërë iso një marrëvesheje të dështuar, siç është katandisur Marrëveshja e Ohrit.

Shqiptarët po i çrregjistrojnë nga gjendjet civile për shkak të emigrimit dhe ata me një servilizëm politik të shpifur vetëm heshtin.

Flasin shumë për standarde politike dhe sociale përballë realitetit skandaloz, duke i shërbyer me besnikëri një shteti policor antidemokratik dhe antishqiptar, për ta afruar atë me BE-në. Ata janë po aq bashkëfajtorë brenda një procesi të montuar politik dhe nuk mund të fshehin dot falsitetin demokratik të shtetit.

Miopia e tyre politike i ka rrënjët thellë në kompromentimin e tyre moral. Ata mbeten po aq bashkëfajtorë sa dhe vetë pushteti policor i inkriminuar dhe antishqiptar i shtetit maqedon, i cili sot vuan pasojat e nacionalizmit të tij ekstrem me krizë identiteti.

“Elita” politike shqiptare po lënë të kalojë në heshtje çështja e emrit të Maqedonisë, kur kanë aq shumë hapësira për të përfituar politikisht në shërbim të çështjes shqiptare brenda shtetit maqedon. Ky mbetet një krim i përmasave kombëtare.

Ata nuk po mbështesin elitën intelektuale dhe akademike shqiptare, për të mbrotjur çështjen kombëtare kundër fallsiteteve të karakterit historik, duke krijuar vështirësi deri në dhunim të të drejtave vetmit universitet shqiptar në mes të Maqedonisë.

Ata kanë shkelur me dashje mbi gjakun e të rënëve dhe idealeve të lirisë, kundër atyre që sakrifikuan aq shumë për të ndërkombëtarizuar një shtet dykombësh, duke konfirmuar me dashje kolonizimin e skajshëm të hapësirës shqiptare. Më këtë qëndrim ata janë bërë pjesë e pandashme e avangardës së klanit më reaksionar antishqiptar të Ballkanit.

Ata janë kthyer në një lodër politike në duart e ultranacionalizmit vendas dhe në një lëkurë mbrojtjëse e pushtetit të tyre të degjeneruar politik, kundër proceseve demokratike në këtë vend. E vetmja opozitë në Maqedoni duhet të jetë opzita e bashkuar shqiptare, e cila do të ketë forcën dhe mbështetjen ta fusë këtë vend në rrugën e proceseve demokratike. Ky mbetet një shërbim edhe në planin rajonal për të shëruar sistemin politik të sëmurë maqedon.

Ata vazhdojnë të heshtin, duke miratuar projektin antishqiptar ”Shkupi-2014”, duke pranuar kështu trasformimin nën simbolet asimiluese slave të kryeqëndrës së vilajetit historik të Kosovës. Ky është një krim i karakterit kombëtar.

Ata kanë krijuar partite – qytet me falanga militantësh të paguar, të cilët janë vënë nën urdhërat e tyre dhe ushqejnë terrorin psikologjik mbi popullsinë shqiptare, të lodhur dhe të zhgënjyer thellë tashmë nga politika.

Opinion shqiptar sheh përditë se si “elita” politike po pasurohet nëpërmjet rrjeteve kriminale të trafiqeve dhe kontrabandës, pa vënë re akumulimin e revoltës të një popullsie në dëshpërim, e cila një ditë nuk do të ketë më kufij.
Ja kush janë ata: Ndryshku shpirtëror dhe korrupsioni politik, moral dhe shoqëror i kësaj “elite”, po e bën atë të mos ketë më fuqi të dalë përtej vetes, të ketë frikë nga ndërgjegja e saj e korruptuar, duke pranuar “të kapur” të zhyten çdo ditë e më shumë në rrugën e krimit me fytyrë antikombëtare. Në këtë mënyrë pushteti politik policor në këtë shtet, arrin t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duar e vetë politikës së përçarë separatiste shqiptare. Ky është një turp, që nuk do të ketë oqean që ta lajë.

Popullsia shqiptare në Maqedoni duhet të marrë në dorë fatin e saj. Ajo ka brenda vetes njerëzit e mirë të barkut të saj. Ajo duhet t’u drejtohet atyre me besim e vendosmëri.

Ka ardhur koha që kjo strukturë e vjetër arkaike e me përmbajtje dhe mbështetje orientale duhet të shkatërrohet. Nevoja e një force të re politike, e aftë për të integruar të gjithë faktorët me orientim qytetar demokratik, për pasurimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare gjithpërfshirëse po vjen si një nevojë e kohës.
Ka ardhur koha të luftohet për shfrytëzimin e të gjitha mundësive dhe të drejtave që jep kushtetuta e atij vendi dhe Marrëveshja e Ohrit, jo të lexuara mbrapsht si deri tani, por në sencin e gjerë kombëtar. Ka mjaftë çështje të mbetura pezull, të cilat nuk janë ezauruar në rrugë demokratike, për shkak të servilizmit politik shqiptar dhe arrogancës politike të pushtetit.

Ka ardhur koha të kërkohet rregjistrimi i saktë i popullsisë shqiptare dhe të hidhet dritë nga njerëzit e mençur mbi popullsinë shqiptare “të asimiluar”, duke hedhur hapa për riciklimin e ndërgjegjes kombëtare. Është nevojë e kohës që të realizohe përputhja e numrit të popullsisë shqiptare me përqindjen elektorale (relative), duke shkallmuar nga themelet rregullin matematikor antishqiptar të përfaqësimit deri në “numrin 28”.

Ka ardhur koha të luftohet për një ligj zgjedhor një zonal, që vlerat e votës së çdo shqiptari të pasqyrohen në prezencën e faktorit shqiptar në politikë dhe në institucionet e rëndësishme të pushtetit. Faktori politik shqiptar i ka të gjitha shanset të jetë vendimarrës në politikën e shtetit maqedon.

Ka ardhur koha të rifreskohët klasa politike më figura të reja. Ora e tyre ka mbetur në 2001-in. Qarkullimi i “elitës” politike është një domosdoshmëri, edhe pse nuk jemi aq shumë sa t’i ndërrojmë ato në çdo kohë. Kjo “elitë” politike e ka plotësuar misionin e saj kolaboracionist antishqiptar dhe nuk ka se çfarë të bëj më tjetër. Ajo e tejlodhur, e inkriminuar, pa ide zhvillimi, vazhdon t’i bjerë fyellit të politikës në një vrimë, pa bërë asgjë në planin e çështjes kombëtare.

Ndryshimi i situatës, përmbysja e raporteve dhe mbështetja e të drejtave humane, njerëzore dhe kombëtare e bashkëkombasve të tyre, është akti i fundit që mund të bëjnë, duke e lënë popullin të qetë në rrugën e tij, drejt proceseve të integrimit dhe të Bashkimit Kombëtar.

Ish luftëtarët e UÇK-së dhe atdhetarët patriotë të vërtetë shqiptar, duhet të ruhen nga dëshpërimi i momentit që po sjell kjo situatë politike – krizë. Ata duhet të rrijnë larg veprimeve të nxituara që po kushtojnë aq shumë. Ata nuk duhet të lejojnë aventura që shkaktojnë dëm në çështjen kombëtare, deri në shafqjen hapur të vidjove në publik mbi organizime ushtarake. Kjo marrëzi kushton shumë, përballë një pushteti të egër, që vret me skenarë filmash djemtë tanë.

Ata të bashkuar, pa asnjë kompromis politik, duhet të dalin hapur në mbrotje të vlerave të luftës çlirimtare. Vetëm të organizuar dhe të bashkuar ata mund të kthehen në një forcë madhore kundër separatizmit idiot shqiptar dhe vetë pushtetit politik të korruptuar dhe antishqiptar në Maqedoni.

Në më të paktën, institucionet qëndrore të shteti administrativ në Republikën e Shqipërisë, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në shtetin maqedon, duke u mbështetur në të drejtën kushtetuese dhe të drejtën ndërkombëtare. Ato e kanë për detyrë të ofrojnë unifikimin politik të shqiptarëve në planin e çështjes kombëtare.

Ballafaqohuni: Rasti i sindromit të mendimit politik mbi një mentalitet bizantin arrin të pasqyrojë çdo gjë për të ligjëruar perandorinë e pushtetit, riformatimin e modelit individual dhe ekzistencës absurde. Në këto kushte kemi të pasqyruar aftësinë e pamundësisë së shanseve të barabarta për të bërë një gjë të dobishme dhe realitetin e mundësive pa kufi për të bërë çdo gjë të dëmshme, të dënueshme, të rrezikëshme…mos e nënvleftësoni zëmëratën popullore.

Tiranë, 3 korrik 2010