Shqiptarët dhe neoshqiptarizma – intervistë

0
71

Arjan Th. Kallço

Shqiptarizma dhe neoshqiptarizma, dy nocione që në dukje të krijojn një ide që i pari nuk ekziston më dhe i dyti është diçka e re që përpiqet të tërheqë pas vetes vëmendjen e shqiptarëve kudo që janë. I dyti nuk është mohim i të parit, por një pjesëzë e vogël para që kurrësesi nuk mund ta ndryshojë thelbin e identitetit apo karakterin kombëtar. Është vazhdimi i shqiptarizmës, por me një fytyrë të re në një shekull të ri, i kaluari, që i gjeti shqiptarët nën zgjedha dhe vendin në një sheshbetejash konfliktesh botërore.

Pas një shekulli pavarësi jemi përsëri në pikënisjen e radhës, kur fryjnë erëra të mbrapshta për të gjithë Europën. Ballkani mesa duket ende nuk ka vënë mend nga fati i tij tragjik dhe çdo gjë i ngjan një fati që është shkruar dikur apo më saktë gatuar dhe që po shkon sipas atij plani. Problematika e shumë vendeve të tij sot më shumë se kurrë është në axhendën e ekstremistëve apo siç quhen me emrat nacionalistë dhe shovinistë. Ish Jugosllavia vazhdon të ketë ende të pazgjidhura disa probleme që lidhen me shqiptarët; Maqedonia edhe pse ka drejtim shtetëror të përzjerrë, përsëri gjakrat janë të ndezura dhe përsëri në mes janë shqiptarët.

Natyrisht të gjitha ekstremitetet dëmtojnë frymën e paqes në rajon, por kur këtë paqe nuk e kemi brenda nesh, atëherë është e kotë ta kërkojmë gjetkë. Zërat nacionaliste nuk është se lindën sot apo vitet e fundit, ato kanë bashkëekzistuar edhe më parë, por që të duash t’i ndezësh kur janë vetëm zëra, do të thotë të biesh në kurthin e tyre dhe më pas nuk i dihet se ku shkojnë. Zgjedhjet e fundit në Greqi sollën në parlament një pakicë të papërfillshme ekstremiste dhe nuk besoj se do të arrijnë të komandojnë shpirtin mbi të cilin mbështetet kontinenti ynë.

Por kur lexon gazetat një ditë më pas e vë re se zjarri i është vënë nacionalizmave midis dy kufijve dhe se vetë ata që shkruajnë po bëjnë lojën e shëmtuar të tyre. Lëvizja A.K tash i ka ulur tonet e saj sidomos pas vizitës së drejtuesve në Amerikë. A ishte i nevojshëm një presion i tillë mbi opinion publik ballkanas. Mendoj se ishte një gabim foshnjarak për qëllime të caktuara të turpshme elektorale.

Një politikë e tillë në duart e amatorëve, në vend që t’i ulë gjakrat, i ndez më tepër. Në këtë kaos ballkanik duhet mënçuri dhe diplomaci dhe jo lojra të rrezikshme të njerëzve të papërgjegjshëm. Të gjitha këto reflektime i solla, për t’u ndalur tek një libër që shpresoj të keni rast ta lexoni që titullohet “Mendimi shoqëror e filozofik shqiptar i viteve ’30 dhe Neoshqiptarizma”, të shkruar nga pedagogia e Fakultetit të shkencave sociale, Irena Nikaj. Një rishikim i rrethanave të atyre viteve, nuk do të ishte padobi, pasi do të na jepte rast të reflektonim edhe më shumë për kohën në të cilën jetojmë.

Rreth librit dhe autores prof. dr. Zydi Dervishi thotë : Pavarësisht nga ecuria e zhvillimit të ngjarjeve në shoqërinë shqiptare, Irena Nikaj, që nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në ditët tona, ka punuar pa ndërprerë në fushë të kërkimeve sociologjike, duke rritur në mënyrë të vrullshme sasinë dhe cilësinë e botimeve shkencore sociologjike. Deri në ditët tona Irena Nikaj, është më e dalluara ndër vajzat dhe gratë sociologe në Republikën e Shqipërisë, e cila ka botuar më shumë literaturë shkencore origjinale në fusha të kërkimeve sociologjike se çdo pedagoge tjetër e lëndëve sociologjike që punojnë në universitetet e hapësirës shqiptare.

Ky punim monografik është një kontribut i shumëvlertë në studimet sociologjike shqiptare, pasi autorja ka “skanuar” me profesionalizëm gjithë literaturën e botuar nga përfaqësuesit e rrymës së neoshqiptarizmës si dhe literaturës kundërargumentet e shtjelluara nga përfaqësuesit e rrymave të tjera të mendimit që polemizonin me neoshqiptarët.

1. Çfarë përfaqëson libri juaj Mendimi shoqëror e filozofik shqiptar i viteve 30?
P: Një ndihmesë të rëndësishme në dimensionimin e profilit të mendimit shqiptar, shoqëror dhe filozofik, përmes një qasjeje sa objektive aq dhe përfshirëse me rëndësi për historinë e përbashkët të shqiptarëve dhe Shqipërisë.

2. Pse neoshqiptarizma dhe a ka një profil të tillë sot?
P: Sipas një aksiome të njohur, Fati ndihmon mendjet e përgatitura, ndaj mendoj se në rrethanat e viteve 90-të kur unë mendoja të shfaqja idetë e mia, rrugët e studimit dhe konsultimit u kryqëzuan me njerëz të mençur e vizionarë, midis të cilëve do të veçoj Prof. Dr Artan Fugën, që më ndihmuan të orientohesha kah vlerat dhe zbulimi i asaj që duhet të sillej në tryezën e studimit me kujdes, me përpikmëri, me rigorozitet shkencor dhe përmes gjykimeve të reja, të cilat kishin parasysh studimet e deriatëhershme, por sillnin atë që mungonte, vizionin e Neoshqiptarëve për Shqipërinë moderne dhe evropiane.

Qasja e Neoshqiptarëve bëhet për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve përmes kulturës, një rrugë e pangjashme me gjithë filozofitë apo ideologjitë që shëtisnin tutje e tëhu në Shqipërinë e viteve 1930-të, por edhe të sotme. Shqipëria e sotme është ende nën ndikimin e formave të materializmit vulgar dhe mediokritetit, sidomos kur vjen fjala për të bërë kthesën e madhe drejt modernitetit të munguar.

3. Në debatet e sotme cilat janë qëndrimet që duhen evidentuar?
P: Ka shumë rëndësi që ta shohim mendimin neoshqiptar nga koha jonë, sepse do të konstatojmë se sa pak ka ndryshuar Shqipëria në këta 70-80 vjet, kanë ndryshuar gjeneratat që kanë jetuar përditshmërinë, por shumë pak mentaliteti, vlerat, orientimi ndaj kulturës dhe shkencës si e përditshme dhe gjeneruese e zhvillimit dhe ndryshimit shoqëror.

4. Cili është qëndrimi ekstremist në vite dhe i pasqyruar?
P: Nëse do të konstatonim ekstremizëm tek neoshqiptarët, ai shfaqet tek motoja e tyre e prerë “Politikë s’ka-por vetëm kulturë”, pra tek domosdoja e ndryshimit pozitiv të Shqipërisë, bile nga pozicioni i sotëm ata janë parë si modeli i përgjegjshmërisë intelektuale qytetare(A.Plasari: 2001, f.40) e vlerësime të tjera që kanë ndihmuar për të sjellë ndihmesën e tyre në zhvillimin e mendimit shoqëror në Shqipëri, krahas studimit të risjellë prej meje me ribotimin e monografisë për Neoshqiptarët.

5. Po qëndrimet e moderuara janë thjesht sektare apo edhe patriotike?
P: Atdhetarizmi tek Neoshqiptarët shfaqet me frymëzime moderne dhe i formatuar sipas karakteristikave të një Shqipërie të inkuadruar brenda frymës perëndimore.

6. A ka gjurmë shovinizmi tek shqiptarët?
P: Ballkani mes miteve dhe legjendave për luftra të lavdishme, por shumë të përgjakshme dhe që kanë penguar zhvillimin dhe momentet e reflektimit, ka pasur shovinizëm dhe shfaqje të tij gati vazhdimisht. Tek shqiptarët ky shovinizëm ka pasur karakter episodik dhe ka marrë trajta të thjeshta në periudhën pas 1945, dhe me shumë gjasa shovinizmi i sotëm virtual i ka burimet pikërisht tek folklori komunist i pas 1945. Një komb i tkurrur nuk ka shumë arsye për të shfaqur qendrime reale shoviniste, ka më shumë mundësi virtuale dhe utopike për të shfaqur shovinizëm.

7. Sot duket se ka një rivlerësim të qëndrimeve: vallë është më shumë karakter nacionalist ekstrem?
P: Në Ballkan pas ndryshimeve të 1990-ës ka pasur mundësi të rishfaqen dhe rigrupohen nacionalizmat tradicionalë të veshur me një mantel fetar për t’u pozicionuar më mirë dhe për të pasur sukses. Por rruga e vendeve të Evropës Juglindore kalon nga Brukseli, e në këtë mënyrë qendrimet sado refraktare dhe të ndryshme do të duhet të afrohen kah respektimi i diversitetit dhe racionalitetit, aftësisë për vetëkritikë që na vijnë nga qytetërimi perëndimor me statusin e vlerave kulturore të munguara në hapësirat tona sociale dhe në diskurset tona destruktive që prodhojnë sherr dhe fyerje për individin si person.

8. Mendoni se pas këtyre qëndrimeve ka interesa jashtë rrethit vicioz shqiptar?
P: Mendoj se janë dritshkurtra si qendrime, sepse shahu nuk është shumë i zhvilluar në hapësirat ballkanike, shpesh jemi te yçi si lojë popullore për dembelë.

9. Në një Europë të bashkuar këto lloj qëndrimesh si duhen parë?
P: Nëse mbështetemi tek tradita e mirëfilltë mendore dhe vlerat e saj pozitive do të kemi më shumë qetësi dhe forcë reflektimi, për të shkuar në Evropë mbasi të jemi bërë garantë të së kaluarës, të së tashmes dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë.

10. A mund të konsiderohet ky libër një antropologji sociale e shqiptarëve?
P: Në kërkimin shkencor shumë paradigma shfaqen në kufijtë e disiplinave apo drejtimeve të ndryshme shkencore, ndaj në terma të përgjithshëm edhe mundet të shihet si e tillë, por në dimensionet shkencore të veta; studimi i përket fushës sociologjikë dhe filozofike dhe i tillë ai është i dobishëm në funksion të studimit shkencor përmes formave të hetimit sociologjik dhe mendimit kritik.

Ju faleminderit!

Faleminderit dhe suksese në libra të tjerë.