Shqiptarë, merruni me “Kompetentin”

0
50

Nga Mero Baze, 16 Nëntor 2012

16 vite më parë, si sot më 16 nëntor, një grua e komunitetit rom zgjati kokën në një dritare pallati, para të cilit prisnin mijëra njerëz, mori një megafon që ia mbante nga pas Agim Shehu, dhe me zërin e saj gjysmë analfabet thirri se nuk ka më pare dhe se ajo do shkonte të fliste me “Kompetentin”. Ishte Sudja. Piramida e parë financiare shqiptare u trondit fiks më 16 nëntor.

Mu kujtua ndërsa pashë një fytyrë të hakërryer komunari me disa punonjës të tjerë komune pas tij, të orkestruar si me regjisor, që xhironin momentin e pushtimit të një nëncentrali, lejonin punonjësin e nënstacionit të lajmëronte qendrën se nuk kish fuqi t’i ndalte, urdhëruan rihapjen e nënstacionit dhe kërcënuan për luftë dhe zjarr. Ishin njerëz të pushtetit, të cilët Ministri i Brendshëm i këtij i vendi i frymëzoi të kërkonin të drejtën e tyre duke pushtuar me dhunë nënstacionin.

Nëse dikush do të mbledhë kronikat e sotme televizive, deklaratat e ministrave të Brendshëm, të Ekonomisë dhe një hu gardhi që qenkësh zëvendësministër Financash, plus dhe një retorikë pa lidhje të opozitës, të krijohet ideja se disa jashtëtokësorë janë ulur në Shqipëri në vitin 2009, janë bërë zot të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe sot po na presin dritat dhe ujin. Është fjala për shpërthimin e konfliktit mes CEZ dhe debitorëve të qeverisë, që nuk e kuptoj kurrë pse ka përfshirë si merak dhe opozitën dhe mbi të gjitha pse qytetarët bien në kurthin e këtij dështimi spektakolar të qeverisë.

Historia është e thjeshtë. I ngjan pikë më pikë historisë së Sudes, që do të pasohet nga Xhaferi, Gjallica dhe Vefa (të më falë vjehrra e Lulit për kujtimet e bukura të asaj kohe).

Në vitin 2009, kur CEZ privatizoi OSSH, ajo ka marrë përsipër të furnizojë me energji elektrike qytetarët shqiptarë dhe gjithë institucionet apo kompanitë private kundrejt pagesës. Qeveria ka bërë me të pazare të pafundme politike, e ka detyruar të mos ngrejë çmimin në vit zgjedhjesh, e ka detyruar të mos u kërkojë paret kuksianeve apo mirditorëve që nuk paguajnë, e ka detyruar të bëjë pazare me KESH dhe ERE, dhe më në fund do ta flakë në rrugë pasi ka bërë gati një kandidat të ri që do të blejë OSSH-në.

Së pari dua të nis me opozitën. Roli i saj në gjithë këtë histori, për më tepër që është një parti e majtë, është të godasë privatizimin e pafavorshëm të rrjetit të shpërndarjes dhe të kërkojë dorëheqje të qeverisë, e cila përmes politikave të privatizimit të saj jo vetëm që nuk e ka zhvilluar ekonominë shqiptare, por e ka kthyer atë në piramidë. Sali Berishës nuk i ka mbetur në këmbë asgjë që ka privatizuar, pasi ai nuk ka privatizuar asgjë për të funksionuar si kompani, por për t’i trajtuar si prona private dhe për t’i zhvatur ato sa herë ka nevojë.

Kriza e CEZ është një rast i artë për opozitën jo të tregojë sa e ka faturën apo rrogën drejtori i CEZ, por si është grabitur një pasuri kombëtare dhe është kthyer në piramidë nga politikat e qeverisë. Gjysma e Shqipërisë nuk paguan energjinë elektrike, Kukësi e ka koeficientin e mbledhjes 1.6 përqind, qeveria pasi ka bërë pazare pa fund me kompaninë, e ka falimentuar atë dhe e ka hedhur në rrugë të madhe duke i kundërvënë policinë, Financat, ministrinë e Ekonomisë dhe me një frymë të paparë populiste dhe qytetarët, kryesisht ata që nuk kanë dëshirë të paguajnë.

Aspekti i dytë skandaloz është raporti që vendos shteti me një kompani private në momente krize. Përfytyroni lajmet e ditës së sotme dhe tregojani një kompanie të huaj që kërkon të investojë apo privatizojë diçka në këtë vend? Është një horror i vërtetë. Dalin publikisht ministra dhe zëvendësministra dhe i bëjnë bilancin një kompanie private, ndërkohë që ka rregulla të qarta dhe mënyra se si bëhet bilanci i një kompanie. Një kompani, nëse i ke lek borxh, nuk të jep më mall dhe nëse të ka lek borxh e hedh në gjyq dhe ia merr me përmbarim. Qeveria shqiptare u ka mbledhur gjithë komunave dhe bashkive të opozitës në mënyrë të dhunshme lekët e grandit me pretekstin që do t’i paguajë CEZ dhe i ka mbajtur për vete, ndërkohë që ka marr përsipër borxhet e kompanisë deri në vitin 2010.

Çdo llogari tjetër “ma ke, ta kam” nuk bëhet publikisht, por në gjykatë dhe përmbarim. Përfytyroni sikur tani gazetarë apo politikanë të dalin publikisht dhe të fillojnë të thonë që filan kompani e Bashkimit i ka kaq lek kompanisë së Zamirit, kjo e Zamirit i ka kaq borxh Irfanit, kjo e Irfanit i ka kaq borxh Taçit, ky i fundit i ka kaq borxh Ridvanit e me radhë. Do të ishte vërtet një masakër dhe një spekulim kriminal. Por mbi të gjitha do të ishte një alarm për çdo të huaj që do të shkelë në këtë vend për të investuar.

Përfytyroni sot se si një kompani e huaj, e cila ka qenë palë dhe ndoshta e korruptuar në raporte me Sali Berishën dhe qeverinë e tij, vihet papritur para populizmit, kërcënimeve për zaptime, Ministrit të Brendshëm që sillet si xhandar injorant me pronën e tyre, zëvendësministrit të Financave, që ngjan si një gjobaxhi ordiner, dhe të gjithë kërkojnë ta përdhunojnë pse ajo kërkon lekët që i kanë borxh.

Këtu çështja është e thjeshtë, ose ia kanë lekët borxh ose nuk ia kanë. Nëse ia kanë ose duhet t’ia paguajnë, ose duhet të japin dorëheqje, nëse nuk ia kanë, i dërgojnë përmbarimin, e falimentojnë dhe rinxjerrin në shitje aksionet. Përpjekja për të mbuluar korrupsionin me populizëm dhe politikë është kriminale. Mbi të gjitha është një shembull i tmerrshëm i arsyeve përse në këtë vend jo vetëm që nuk duhet investuar, por duhet ikur natën.

Por kryearsyeja përse kjo sjellje është skandaloze, ka të bëjë me faktin se “kompetentët” e privatizimit dhe gjithë privatizimeve në Shqipëri, i kanë përdorur privatizimet jo për të zhvilluar ekonominë dhe për të zhdukur korrupsionin, por për të krijuar skema financiare piramidale të maskuara, të cilat siç shihet secila prej tyre është shumëfish i Gjalicës, Vefës, apo Sudes dhe Xhaferit. Vetëm Piramida financiare e CEZ po shkon 300 milion euro, aq sa ishin gjithë piramidat e vitit ‘97 së bashku, ndërsa privatizimet e tjera dhe ato në proces janë të gjitha në krizë. Piramida financiare e Sali Berishës në vitin 2012 mund të arrijë tek dy miliard dollarë, nga 200 milion që ishte në vitin 1997. Shkaku real i kësaj krize nuk është mënyra se si ka funksionuar CEZ, por terreni që i ka prodhuar qeveria CEZ për të funksionuar.

Kur CEZ bleu OSSH, kam pas bërë një koment tek emisioni Faktor Plus dhe së bashku me të ftuarin në studio kemi paralajmëruar se mund të ketë dhe trazira sociale nga mungesa e përgjegjësisë që ka një kompani për problemet sociale. Atëherë qeveria më sulmoi dhe mbylli emisionin duke kërcënuar pronarët, kurse sot për të fshehur korrupsionin e vet, po nxit vetë revolta të sajuara si kërcënim për kompaninë, që pasi e zhvati dhe e përdori politikisht, po e hedh në rrugë të madhe.

Nuk ndjej keqardhje për CEZ, se asaj i dalin zot pronarët e saj çek, por ndjej keqardhje për shqiptarët, të cilët në vend që t’i kërkojnë llogari atij që ua ka hequr OSSH nga duart e tyre dhe ia ka dhënë një privati për të prodhuar këtë piramidë, i qajnë hallin pikërisht atij që u zhvat pronën dhe akuzojnë blerësin. Është një devijim i madh që Berisha po i bën revoltës popullore që duhet të drejtohej mbi të, tek disa çekë anonimë, që as emrat nuk ua dimë, pasi pala shqiptare është e gjithë administratore me militantë të PD-së.

Nëse Sudja 16 vite më parë, më 16 nëntor na siguroi se do t’i gjente lekët pasi të fliste me “Kompetentin”, Sudja e sotme po na e thotë qartë se “Kompetenti” ia ka marrë mallin dhe nuk i jep lekët. Shqiptarë, merruni me “Kompetentin”!