Shqiptarë dhe sharlatanë

0
57

Arben Rrozhani

Arben Rrozhani, 28.01.2010

Prej mbrëmjes së të martës, ne punëtorët e medias jetuam paksa në një botë surreale. Kur shumë redaksi mediash të shtypura kishin bërë përgatitjet e fundit për mbylljen e gazetave, një lajm i shumëpritur ktheu përmbys gjithçka:

Gjykata Kushtetuese pas disa muajsh shqyrtimi kishte vendosur të rrëzonte paktin detar të nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke në prill 2009, duke e quajtur të papajtueshëm me kushtetutën. Ishte një vendim i orës së vonë, por një lajm i madh, me një shije të keqe: një palë shqiptarësh kishin fituar kundër një pale tjetër!

Për çfarë? Për të mbrojtur tërësinë territoriale të vendit, kësaj toke të cunguar shekull pas shekulli për të mbetur sot në këto 28 mijë km katrorë dhe detin që Zoti ia ka falur. Shqiptarët ishin të gëzuar që pas publikimit jozyrtar të lajmit. Njëri prej tyre, shend e verë telefonoi mesnatën e të martës në redaksinë e “Shekulli”-t për të uruar.

Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i METE-s, fliste me gëzim nga Gjirokastra. “Urime juve që na mbështetët, urime për Shqipërinë tonë”. Por dhe me mllef: “Duhet të shkojnë para drejtësisë gjithë ata që na çuan deri këtu, të shesim vendin tonë”.

Të mërkurën në mëngjes vjen një mesazh nga celulari i Vladimir Bejës, ish-komandant i Flotës Detare të Shqipërisë që më 1992 ishte anëtar i ekipit negociator të Shqipërisë gjatë bisedimeve me Italinë për ndarjen e detit.: “Urime! Është një fitore e madhe me rëndësi kombëtare hedhja poshtë e marrëveshjes me Greqinë!”

Dje paradite në e-mail vjen një ftesë e “çuditshme”: “Unë, Faik Islami nga Golemi i Kurveleshit dhe miku im, Izet Bajo nga Kukësi, që të dy me banim e punë në Tiranë, biznesmenë, ju paraqesim këtë kërkesë, të përzgjidhni deri 100 vetë (burra e gra analistë, gazetarë, opinionistë, politikanë, intelektualë me kontribute në formimin e ndërgjegjes qytetare, të kontaktoni me ta dhe t’u bëni të qartë se janë që të gjithë ‘të ftuarit e të gjithëve bashkë’, në një darkë (përzgjidheni ju, nëse e doni me produkte mishi apo peshku) me rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për detin tonë që desh u bë …i atyre”. Telefonon dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, kundërshtar i ashpër i marrëveshjes dhe uron median për këtë fitore.

Mbrëmë në redaksinë e “Shekulli”-t si dhjetëra herë të tjera muajt e shkuar erdhi koloneli në lirim, oponenti i marrëveshjes qeveritare, Myslim Pasha. Sapo ka dhënë një intervistë në një televizion kombëtar. As euforik dhe as ngadhënjimtar.

Më tepër ndjehet i pezmatuar. Ka qenë në krye të “çetës” të vogël me akademikë, historianë, patriotë dhe gazetarë, kundër “çetës” qeveritare, të udhëhequr nga kryeministri Berisha. Prej majit 2009 kur shpalosi hartat dhe lëshoi alarmin, u bë tjetër njeri. Qeveria e sulmoi në mënyrën më të paprecedentë hartografin, mjeshtrin e kërkimeve dhe këtë bir nga Hekali.

Kryeministri e cilësoi publikisht sharlatan, të tjerët pas tij edhe më keq. Në adresën e tij të Facebook dhe në numrin e celularit i erdhën mesazhe kërcënuese me jetë, duke i kujtuar se do të përfundonte si i ndjeri Kosta Trebicka dhe ai i frikësuar i çoi si prova materiale në prokurori.

Koloneli ndjehet keq, por këmben me shaka një titull prozaik të Markezit: “Kolonelit ka kush t’i shkruajë”. Vjen të falënderojë dhe të shprehë sërish pezmin e tij se pse arritëm në këtë teatër absurd, ku shqiptarët përleshen me njëri-tjetrin për të (mos) shitur atdheun.

Nuk fajëson askënd dhe nuk akuzon askënd. I vjen keq që ia përplasën derën në Akademinë e Shkencave, që asnjë specialist nuk pati burrinë të ngrihej mbi bukën e përditshme të buxhetorit për t’i thënë “ndal!” shitjes së detit shqiptar, që ata ushtarakë të ekipit negociatorë ende sot thonë të zënë në faj se nuk kishin çfarë të bënin, përveç zbatimit të urdhrave.

Qeveria e sharlatanëve të marrëveshjes dje nuk foli, ose edhe kur foli nuk tha gjë. Kryeministri nuk e përmendi fare a thua se nuk kishte ndodhur.

U kap pas asamblesë së KiE në Strasburg, diversionit ndaj opozitës dhe duke i bërë thirrje asaj të kërkonte falje publike shqiptarëve për “ngrirjen” e kredencialeve të Shqipërisë. Duke “harruar” të bënte të kundërtën: të kërkonte falje publike ndaj “sharlatanit” Myslim Pasha dhe atyre që i shkuan pas për të mbrojtur Shqipërinë.

Dhe t’i bënte një pyetje vetes: pse edhe ata “prokurorë të diktaturës” që ka sulmuar prej vitesh Gjykatën Kushtetuese, votuan njëzëri për Shqipërinë dhe vetëm ai me çetën e vet ishte kundër saj?