Shqiponjë “klandestine” në logot e Këshillit të Ministrave, shqiponjë me “mutacion” në tregjet shqiptare!

0
36

ResPublika.al, 18 nëntor 2012

logo e laptopit të KM  

Qeveria shqiptare përdor si simbol në mbledhjet e saj, një shqiponjë e cila nuk është simbol shqiptar. Denoncimi vjen nga historiani Pëllumb Xhufi, raporton agjencia e lajmeve NOA. “Ne shohim që është shtrembëruar shqiponja me dy krerë të cilën Ismail Qemali dhe partizanët na e lanë ndryshe dhe tani na kanë bërë atë shqiponjën që ju shihni çdo mbledhje qeverie tek ato lap top-ët që ministrat mbajnë bashkë me shefin e vet”, u shpreh Xhufi.

“Ajo shqiponjë padyshim nuk është shqiponja as e Ismail Qemalit as e Skënderbeut, po është tjetër”, vijon historiani i njohur. “Ky shtrembërim që kap dhe simbolet kombëtare, po prek sot dhe momentin simbol që është Vlora si vendi ku u mblodhën të gjithë patriotët shqiptarë nga të gjithë krahinat e Shqipërisë dhe shpallën pavarësinë”, është shprehur Pëllumb Xhufi.

Ndërkohë që Flamujt që valëviten në dritaret dhe ballkonet e qindra mijëra familjeve, apo bluzat që ata mbajnë veshur me shqiponjë, nuk përfaqësojnë flamurin dhe shqiponjës sonë kombëtare të përcaktuar me ligj. Flamujt që po shiten me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk përfaqësojnë flamurin tonë kombëtar, shkruan “Gazeta Shqiptare”.

Flamuj, bluza, shalle, kapele kuq e zi po tregtohen në çdo cep të kryeqytetit dhe jo vetëm. Por fatkeqësisht shqiponja e ngjitur mbi to nuk është autentike, por është një falsifikim i shqiponjës sonë kombëtare, e cila sipas ligjit, duhet të ketë në krahë 9 pendë dhe në bisht shtatë pendë.

Ky mutacion i shqiponjës, siç e quan e përditshmja “Zëri”, shto dhe atë shqiponjën klandestine në logot e Këshillit të Ministrave, më e pakta tregon mungesë përgjegjshmërie, që në rastin e simbolit kombëtar nuk mund të kalohet me një buzëqeshje…

Duke parë papërgjegjshmërinë në çdo element të lidhur me historinë, dikush duhet të shkojë të numërojë dhe eshtrat e ish-mbretit. k.c.