Shqiponjat fluturojnë ulët

0
39

Analizë Nga PREÇ ZOGAJ

Megjithëse nuk u programua si një karshillëk i paturpshëm, zgjedhja e presidentit të Republikës përfundoi vetvetiu si antitezë, domethenë si e kundërta e drejtpërdrejtë e një deklarate të ambasadorit të SHBA-së, zotit Arvizu. Në këtë moment besoj se shumica e lexuesve e kanë parasysh se për cilën deklaratë e kemi fjalën. Për atë të thjeshtën, lakonikën dhe domethënesën se Presidenti i Republikës nuk mund të jetë ministri i trembëdhjetë i qeverisë. Ky ishte një mesazh shumë i qartë, me tone të nënkuptuara paralajmëruese, për zotin Berisha dhe zotin Meta. Kjo kishte kuptimin që Presidentin nuk duhet ta zgjedhin vetëm këta të dy, siç bëjnë me anëtarët e qeverisë, por një spektër shumë më i gjerë njerëzish dhe subjektesh nga politika dhe shoqëria civile.

Më tej, nëse puna sillej në atë mënyrë që t’u mbetej në dorë vetëm këtyre të dyve, këta do të bënin mirë të mbështetëshin në kritere më elastike se ato që zbatohen për të zgjedhur një anëtar qeverie. Pra së fundi mund ta zgjidhnin edhe këta të dy, por gjithnjë duke i ndenjur larg tundimit për të nxjerrë një president nga kabineti, çfarë me sa duket ka qenë parandjenja e ambasadorit kur ka bërë deklaratën e lartpërmendur. Mënyra si rrodhën ngjarjet nuk është shterpë me argumente se Berisha dhe Meta nuk kanë dashur t’i bien ndesh kaq hapur përfaqësuesit amerikan në Tiranë. Pavarësisht nga kjo ambasadori Arvizu duket i sfiduar prej tyre.

Bashkë me të është sfiduar edhe vendi që përfaqëson, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në rastin e presidencialeve, ambasadori ka interpretuar qëndrimin e Departmentit të Shtetit për një president me mbështjes sa me të gjerë, mundësisht konsensual. Por edhe po të kishte patur diçka vetjake në ravgimin e ambasadorit, ka sërish arsye pra për t’u shqetësuar me shijen që ka lënë në marrëdhëniet mes dy vendeve mënyra e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë.

As kaq nuk bënte dot Shqipëria, që të kënaqte një ekzigjencë fisnike dhe modeste të Uashingtonit për zgjedhjen e Presidentit të saj, kur një gjë e tillë i vlente vetë Shqipërisë parasëgjithash! E kupton kushdo se konsiderimi me përparësi i një sugjerimi amerikan dhe europian, që përkon kaq dukshëm me të mirën publike të vendit, nuk është sjellje yesman-ësh, por zotërinjsh. SHBA dhe Europa nuk na kanë kërkuar ta zgjedhin ata presidentin tonë, por u kanë këkruar palëve politike në Shqipëri ta zgjedhin së bashku. Partneriteti me perëndimin është një interes kombëtar që qëndron mbi ambiciet apo nevojat vetjake të çdo politikani.

Me këtë vizion, Berisha dhe Meta, bashkë me shefin e opozitës zotin Rama, kishin për detyrë edhe ta zgjidhnin presidentin duke evituar çdo krizë të kotë, edhe ta “shisnin”, në kuptimin që të nxirrnim disa përfitime për vendin nga procedura e ndjekur dhe produkti i saj. Për fat të keq nuk kemi çfarë shesim. Në vlerësimin e SHBA dhe Europës zgjedhja e Presidentit konsiderohet një shans i humbur për Shqipërinë. Shqiponjat fluturuan ulët edhe kësaj radhe. Pavarësisht justifikimeve, politika matet me produktin.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha, si për t’u dhënë të drejtë kundërshtarëve të tij më të egër dhe si për t’u ekspozuar para Uashingtonit e Bruskelit se dominohet në punën e tij nga problemet e posteritetit vetjak, domethënë të së nesermes vetjake, çfarë është hendikapi më i madh dhe më i dëmshëm për një lider politik, zhgënjeu sërish në dëshirën e tij për ta pasur të vetin Presidentin, kur fare mirë mund ta bashkëndante me opozitën, duke e shkëmbyer këtë “lëshim” me një arritje të rëndësishme për Shqipërinë në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, siç do ishte marrja e statusit të vendit kandidat në BE dhe forcimi i mëtejshëm i lidhjeve me SHBA.

Nga ana e tij, Ilir Meta e përfundoi lojën e madhe që nisi si të mos e kishte filluar fare. Rrjedhimisht mbeti ai që ishte për Brukselin dhe nuk hap dot asnjë derë për vendin e tij atje. Presidentit të ri Bujar Nishani i duhet të punojë disa fish më shumë për të kompensuar sadopak humbjet që i kanë shkaktuar vendit në planin ndërkombëtar ata që e bënë President.

Në shprehjen e shgënjimit të tij, Ambasadori Arvizu u foksua te grupi i vogël presidentbërës, duke përfshirë në treshe, bashkë me Berishën dhe Metën, edhe kryetarin e PS-së, zotin Rama. Kjo futje në një thes, siç themi ne shqiptarët, pa bërë qoftë edhe kalimthi diferencimin e roleve që ka luajtur njëri dhe tjetri, nuk mund të mos jetë befasuese.

Do të ishte sipërfaqësore dhe madje brutale që në raport me produktin përfundimtar të presidencialeve, kryetari i partisë më të madhe të opozitës të vihet në një rend me krerët e shumicës, thjesht sepse është ulur me ta disa herë si palë në përpjekjen për të arritur një marrëveshje për një president konsensual. Ka plot njerëz në Shqipëri dhe në opozitë gjithashtu që kanë pretenduar një rol më aktiv të shefit të opozitës në tryezën e dytë kur palët u ulën si të barabartë. Rama nuk mund të bënte propozime kur ishte në fuqi kandidatura e njënashme e Zaganjorit, por pas dorëheqjes së këtij të fundit opozita duhej të kishte listën e saj me emra nga disa fusha. Emrat flasin më mirë se teoritë dhe fjalët e bukura se si duhet të jetë kryetari i shtetit apo një zyrtar tjetër i lartë.

Emrat ekspozojnë ekzgjencat, kulturën dhe botkuptimin e liderit për meritokracinë. Për të ruajtur metaforën e shkrimit tonë, do të thoshnim se emrat tregojnë konkretisht nëse shqiponjat fluturojnë lart apo ulët. Mungesa e propozimeve në tryezën e dytë nga Rama ka lënë përshtypjen e një ndarjeje “rolesh”, ku njëra palë të zgjedhë presidentin, palë tjetër të mbahet pas parimit të konsensusit, duke mbetur secila e kënaqur në pozicionin e vet. Madje në këtë vijë arsyetimi kemi dëgjuar e lexuar deklarata edhe më të avancuara në lidhje me njëlloj preference të heshtur të opozitës për Nishanin.

Të gjitha këto janë të diskutueshme, por ka qënë e qartë dhe e dukshme për të gjithë se Rama u përpoq shumë për një zgjidhje konsensuale, pra për zgjidhjen e sugjeruar edhe nga partnerët tanë amerikanë dhe europianë, deri duke manifestuar një protagonizëm që nuk është në natyrën e opozitës në raste të ngjashme. Ambasadori amerikan dhe publiku i gjerë bashkë me të kuptojmë një gjë që Berisha ka qenë dhe vazhdon të jetë “imun” ndaj kritikave apo sulmve që i vinë nga SHBA. Kurse shefi i një opozitë perendimore, siç është opozita shqiptare dëmtohet nga këto kritika, kur janë kështu, të rrumbullakosura. Mendoj se opozitën dhe kreun e saj e ndihmojnë me shumë sugjerimet dhe pretendimet konkrete, që përcillën në takime të mbyllura, por edhe në deklarata të hapura po të jetë nevoja.