Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë

0
66

Mustafa Nano

Cili përfaqëson opozitën?

Kam hapur së fundmi një rubrikë të komunikimit me lexuesit e gazetës Shqip, të cilën herë pas here do t’ua sjell edhe në faqet e website-it.

Pyetje: Zoti Nano, të them të drejten, si lexova në Shqip shkrimin tuaj “Ç’do bëhet me opozitën?”, unë gati gati bie dakord me të gjithë sa ju thoni; por ajo çka me vjen pak si me zor për ta “kap” është fakti, se ju jeni pikerisht personi qe ne menyre te vijuar dhe sistematike e keni mbeshtetur shefin aktual te opozites. Ju jeni personi qe e keni motivuar ne kerkesat dhe pretendimet e tij (ndaj maxhorances) vecanerisht te viteve te fundit. Ju jeni personi qe e keni “votuar publikisht” Ed Ramen. Ju jeni personi qe keni shquar dhe theksuar publikisht konsiderata lidhur me nivelin dhe performancën e pergjithshme të Ed Rames, edhe duke e vëzhguar si nje kryeminister i ardhshem. Ose te pakten kete kam mundur dhe kam arritur te kuptoj une si teleshikues dhe lexues i shume analizave tuaja gazetareske.

Përgjigje: Maksimumi që unë kam bërë në favor të shefit aktual të opozitës ka qënë deklarimi publik në prag zgjedhjesh, se “do të votoj për Edi Ramën”. Dhe nuk jam penduar. Në asnjë rast. Ndërsa “konsiderata mbi nivelin e performancën e përgjithshme të Edi Ramës” nuk di të kem dhënë. E dini pse? Së pari këto konsiderata në adresë të politikanit Rama nuk mund t’i bëj pa i patur; dhe unë nuk i kam. Së dyti, për një qasje timen metodike, më vjen më e kollajtë kritika se sa lëvdata. Në çdo rrethanë.

Sidoqoftë, pyetja juaj më solli dhe njëherë në mendje një perceptim publik, sipas të cilit unë jam mbështetës i Ramës. E njoh këtë perceptim, por nuk kam ndërmend të merrem me të. Madje, pikërisht ky perceptim më bën të kem para shumë të tjerëve pretendimin për të ngritur zërin kritik ndaj Edi Ramës. Nuk ka kritikë më legjitime në adresë të dikujt se sa kritika e atyre që e kanë mbështetur dhe e kanë votuar atë.

Para nja dhjetë ditësh, menjëherë pas zgjedhjeve të pjesshme lokale në Itali, kur partia dhe koalicioni i Berlusconi-t humbi qartë e rëndë, u bënë tok në Romë një numër gazetarësh të së djathtës, dhe u përpoqën ta nënvizonin fort e ta shpjegonin këtë humbje dramatike (sidomos në Milano e Napoli). Bëhet fjalë për gazetarë e publicistë, të cilët kanë qënë e janë të rreshtuar në mënyrë militante në anën e Berlusconi-t, e të cilët e kanë marrë gjithë kohën në mbrojtje këtë të fundit, e kanë heroizuar, e kanë larë dhe lyer nga të gjitha anët, dhe kanë dhënë kontributin e tyre në funksion të çimentimit të leadership-it të tij (një pjesë e gazetave që ata drejtojnë apo ku ata shkruajnë financohen me paratë e familjes “Berlusconi”).

Dhe këta gazetarë në atë takim bënë një gjë të pazakontë: nuk kërkuan alibira, nuk bënë atë që kanë bërë çdo herë, nuk e morën në mbrojtje udhëheqësin e tyre. Humbja ishte aq dramatike sa ata nuk mund t’ia lejonin vetes të bënin atë që kishin bërë më parë, dmth hedhjen e përgjegjësive tek të tjerët. Dhe për herë të parë pashë Giuliano Ferrara-n, Vittorio Feltri-n, Maurizio Belpietro-n, Alessandro Sallusti-n e “skllevër të tjerë të lirë” të formulonin qortime e të hidhnin thumba në adresë të “padronit të tyre”.

Të kuptohemi, nuk është kjo gazetaria që unë pëlqej, s’ka gjë se e quaj legjitime gjithë ditën e ditës. Por e solla në vëmendjen tuaj këtë fabulë, ngaqë dua të veçoj një moral të saj: “kush të jep mbështetje, ka të drejtë më shumë se gjithë të tjerët të të ulërasë mú në fytyrë”. Do të shtoja akoma: kush ka një minimum dinjiteti human e ndershmërie intelektuale, jo vetëm ka të drejtë, por e ka dhe për detyrë të ngrejë zërin në të tilla rrethana.

“E çfarë do arrish me këtë kritikë?”, mund të më pyesin, duke lënë të nënkuptohet, se po çoj ujë në mullirin e Berishës. Këtë e di, por di gjithashtu dhe një gjë tjetër. Duke i dhënë mbështetje e mirëkuptim pa fund Ramës në opozitë kundër Berishës në pushtet ne rrezikojmë të arrijmë atë që në teori do të bënim çmos për ta shmangur: pushtetin e Berishës e kalcifikojmë dhe Ramën e shndërrojmë në Berishë.

Unë besoj se “kritika nga brenda” është një nga gjërat që duhet të kultivojmë në shoqërinë tonë. Kemi mësuar mjaft mirë të bëjmë kritikën e kundërshtarit, por kjo lloj kritike nuk shkon përtej funksionit “të thatë” dialektik; ndërsa “kritika nga brenda” është shprehja më gjenuine e demokracisë, është edukative e didaskalike, i jep dinjitet qytetarit, nxit e inkurajon mobilizimin civik, e krijon një kulturë të kritikës e të autokritikës, e cila është shumë e shëndetshme për (dhe e bartshme në) të gjithë shoqërinë.

Po e mbyll me një saktësim paradoksal: kritika ime në adresë të Edi Ramës e të Partisë Socialiste nuk është një kritikë e bërë nga brenda, megjithatë. Kush don ta marrë kështu, le ta marrë; nuk më shqetëson. Por bën mirë ta dijë se me PS-në më lidh vetëm pasioni opozitar. Pasioni? Hm, pasioni vlen për mua. Ndërsa socialistët e Edi Ramës e kanë hall të qënit në opozitë; duhet shpresuar të mos e kanë zanat.

Kush nuk e kupton këtë diferencë, s’e ka për gjë të më dërgojë dhe një letër të tillë: “Lexova artikullin tuaj ‘Ç’do bëhet me Opozitën?’ Të them të drejtën, u bëra pishman që e lexova, se konstatoj që ti paske rrëshqitur…. Si mund të shprehesh ti me ato tone për opozitën dhe Edi Ramën, liderin e saj? …. etj., etj., etj”.