Shqipërinë e lashë dhe e gjeta mjerane

0
78

• U largua një muaj pas “ambasadave”, si një nga “turistët” e parë. Sot është menaxheri i agjencisë së muzikës etnike në Itali

Luela Myftari, 28.03.2013

Olsi Sulejmani rikthehet në Shqipëri pas shumë vitesh. Në Itali është një njëri i suksesshëm, por nuk është kjo ajo që e ka larguar nga Shqipëria. Rikthimi i tij në atdhe dukej i vështirë sepse nuk gjen asgjë nga ato që ai kërkon.

Sa e vështirë ishte të bëheshe agjenti i suksesshëm i grupeve muzikore nëpër botë?

Miku im, menaxheri i artistëve më të mëdhenj jazz në Itali, më quan shpesh anomalinë e tregut ne Itali. Kjo sepse Italia nuk është vendi i meritokracisë. Nëse nuk ke lidhjet e duhura është pothuajse vetëvrasje financiare të ndërmarrësh hapa të tillë. Kur e hapa agjencinë, 16 vjet më parë më kujtohet që kisha 2 ose 3 grupe dhe ishin fillimet e përdorimit të internetit, sidomos nga institucionet publike. Sot, më vjen për të qeshur, por atëherë shpika disa grupe muzikore që nuk ekzistonin në të vërtetë. I vendosa në website që të dukej sikur agjencia ishte serioze dhe me një gamë të gjerë artistësh për të promovuar. Ndërkohë, bëja një punë të dytë për të mbijetuar. Një strategji e mirë në “web comunication” dha frytet e para. Më pas çdo gjë erdhi vete, grupet, koncertet si dhe kontaktet. Edhe nga drejtorë artistikë që më parë as nuk u përgjigjeshin telefonatave të mia.

Cila është puna që ju ka entuziazmuar më shumë?

Mund të përmend shumë grupe, por produktin më të suksesshëm emocionalisht zgjedh “Fanfara Tirana”. Është i vetmi grup që ka çarë në arenën ndërkombëtare dhe shihet me admirim. Kanë performuar në festivalet më të prestigjiozë në Evropë dhe jo për publikun shqiptar, por për atë të huaj. Tani janë në kulmin e tyre dhe albumi i tyre i sapodale, Kabatronics, ka një sukses të jashtëzakonshëm në Evropë. Është një bashkëpunim me grupin e famshëm anglez Transglobal Underground. Jemi vetëm në fillim të promovimit po për të kanë shkruar gazetat prestigjioze:The Times, The Indipendent, The Guardian, Le Monde, Corriere della Sera, etj. Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë me asnjë artist shqiptar. Është i vetmi produkt kulturor që sot Shqipëria eksporton.

Cilët janë grupet më të suksesshme me të cilat keni bashkëpunuar?

Gotan Project, Transglobal Underground, Asian Dub Foundation, Afro Celt Sound System, Boban i Marko Markovic Orkestra, Gogol Bordello, fituesit e Grammy Award The Klezmatics me të cilët së shpejti do të prodhojmë dhe një projekt që përfshin Iggy Pop. Lista është e gjatë. Të preferuarit e mi ngelen Sabri Brothers nga Pakistani. Zëra të magjishëm, por të panjohur për lexuesin. Si është një ditë e juaja në Itali? Shpenzoni shumë kohë për të menaxhuar këto grupe? I dedikoj shumë pak kohë mëngjesit. Lexoj gazetat, kryesisht online, italianet, shqiptaret dhe ballkaniket. Më pas fillon vrulli i punës: telefonata, e-mail, social networks. Pas dreke, vazhdon ritmi i punës që mund të mbarojë në orën 2 të natës. Kur kam kohë të lirë dhe kjo për fat të keq ndodh rrallë, preferoj të lexoj një libër, të shoh një film në kinema ose të dëgjoj një koncert live.

Sa shpesh e vizitoni Shqipërinë? Si e gjete Shqipërinë?

Pas vitit 1996 kaluan shumë vite para se të kthehesha në Tiranë. Plot 15. Erdha pasi solla babanë, i cili la amanet të prehej në atdhe. Ky udhëtim i dhembshëm më riafroi me Shqipërinë. Im atë ka punuar në spitalin ushtarak. Unë merrem me kulturë. Tek ne, pozita dhe opozita udhëhiqen nga një mjek dhe një njeri arti. Këto janë pikërisht dy fushat që lëngojnë më shumë në vendin tonë. Gjatë këtyre 15 viteve mungesë, kam ardhur vetëm njëherë dhe kam qëndruar i mbyllur në Pallatin e Kongreseve duke punuar, pasi solla artistin italian Mango. Ishte një koncert në të cilin nuk parashikohej të kisha përfitime ekonomike. Përjetova peripeci, ryshfete në doganë, polici etj. Pas atij koncerti ndjesia që më përshkoi ishte pështirosje.

Qershia mbi tortë ishte mosrespektimi nga ana e bashkisë të një shume prej 8 mijë eurosh. Kaluan edhe 10 vjet të tjerë pa venë këmbë në atdhe. Sot, shoh diçka që po vlon në Tiranë, por e shoh te njerëzit dhe jo tek politika. Po shikoj me admirim disa tentativa për të dalë jashtë skenës pop dhe turbo folk duke filluar që nga lokalet. Nga ana tjetër shoh një rikthim të analfabetizmit dhe varfërim të tejskajshëm kulturor. Ne fushën time sidomos, Shqipëria është një mjerane në të gjitha aspektet. Prodhime skandaloze nga ana artistike dhe teknike, pseudostudio, pseudoproducentë dhe artistë që këndojnë me superpozim.

Bio

Emri: Olsi
Mbiemri: Sulejmani
Datëlindja: 1 Mars 1972
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Ferrara, Itali
Arsimi: Juridik
Profesioni: Drejtues dhe menaxher i një agjencie muzikore në Itali