Ioannis Michaletos, 4 korrik 2010
Raporti i mëposhtëm nga gazetari Gjergj Thanasi trajton çështjen e transaksioneve të armëve të një natyre të veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Iranit pak vjet më parë.
Sipas reportazhit dhe zbulimeve të gazetarit, që përfshijnë dokumente zyrtare të mirë-verifikuara, Shqipëria kërkonte bashkëpunim ushtarak me Iranin dhe faktikisht ka importuar armatime të cilat nga ana tjetër nuk u bënë pjesë në inventarin ushtarak të vendit.
Gazetari me shumë mund ofron ekskluzivisht nëpërmjet International Analyst Network (http://www.analyst-network.com/article.php?art_id=3482) disa nga zbulimet paraprake që shpalosin një lidhje më të gjerë ndërmjet dy shteteve, lidhje që duhet parë edhe në kontekstin e një shkrimi të kohëve të fundit të z. Michaletos: “Shqipëria, Hezbollahu dhe labirintet e trafiqeve ilegale të armëve”.
Siç e përmendëm më sipër, i gjithë shkrimi mbështetet nga dokumente origjinale dhe nga burime të dorës së parë dhe raporti i mëposhtëm ekskluziv është një pjesë e vogël e një historie më të madhe që zbulon realisht një tjetër këndvështrim të realitetit të ditëve të sotme si në Evropë edhe në Lindjen e Mesme dhe mund të ketë degëzime mjaft të gjera nëse do të përfshihen në të gjithë parametrat.
Shqipëria vend anëtar i NATO-s dhe partner shtrati i Iranit
Nga Gjergj Thanasi
Menjëherë pasi Kryeministri Berisha dhe Ministri i tij i mbrojtjes Fatmir Mediu erdhën në pushtet, ata inkurajuan kontaktet dhe marrëdhëniet ushtarake me disa shtete te izoluara si edhe entitete jo-shtetërore, të etiketuara ndërkombëtarisht si organizata terroriste. Një nga rastet më famëkeqe të këtillë partnerë shtrati është Irani dhe kontaktet e tij me MEICO-n, një kompani shtetërore, pronë e Ministrisë shqiptare të mbrojtjes, e cila deri nga fundi i vitit 2009 kishte monopolin e import-eksportit dhe transitit të armëve, municioneve, pajisjeve ushtarake dhe materialeve me përdorim të dyfishtë.
Firma MEICO në pronësi të Ministrisë shqiptare të mbrojtjes dhe firma MODLEX, pronë e Ministrisë iraniane të mbrojtjes, kanë një marrëdhënie relativisht të gjatë dhe fitimprurëse.
Sipas dokumenteve zyrtare që kemi konsultuar, Shqipëria ka eksportuar në Iran lëndë plasëse dhe predha mortajash dhe ka importuar eksploziv plastik C4, fitil zjarr-përcjellës dhe gjithashtu ka diskutuar importimin e pushkëve automatike, tipave të ndryshëm të mitralozave, granatahedhësve, raketave SAM MANPAD, UAV(avionëve pa pilotë) të llojeve të ndryshme, pajisjeve të komunikimit etj. Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Shqipërisë, një vendi anëtar i NATO-s, dhe Iranit, një vendi të izoluar (pariah), shkon nga eksportimi në Iran i njëqind tonëve lëndë plasëse të fuqishme të tipit RDX deri në përpjekjet për të importuar avionë pa pilot të tipave “Ababil” dhe “Mohajer” apo të raketave iraniane “Misagh MANPAD”.
Në pamje të parë, dikush mund ta konsiderojë të gjithë ndodhinë si një veprim të gabuar të kryer nga atdhetarë të zjarrtë, të cilët janë gati të bashkëpunojnë edhe me djallin duke u përpjekur me dëshpërim për të përmirësuar mbrojtjen e Atdheut të tyre.
Fatkeqësisht nuk është kështu. Në 25 tetor 2005, vetëm 50 ditë pasi z. Berisha u betua në parlament si Kryeministër i Shqipërisë, z. Ylli Pinari, drejtori i MEICO-s, kontaktoi z. Rrahmani, menaxherin e marketingut të produkteve te firmës MODLEX, duke i kërkuar të blejë një arsenal armatimesh të tilla si: 500 copë mitraloza tip PKM, 50 copë mitralozë tip PKT, 3.5 milionë fishekë të kalibrit 7.62 x 54mm për mitraloza tip PKM, 400 copë granatahedhësish 25/30mm dhe pajisjet e tyre, 1000 copë automatikë tip AKM (një lloj Kallashnikovi) të pajisur me granatahedhës 25/30mm të inkorporuara në automatikë, si edhe 100.000 copë automatikë tip AKM.
Që nga pranvera e vitit 1991, ushtria shqiptare ka eksportuar, dhuruar dhe shkatërruar shumicën e artikujve në “listën e pazarit” të MEICO-s. Miliona e miliona fishekë kalibër 7.62 x 54mm të prodhimit sovjetik, kinez dhe shqiptar janë shkatërruar, eksportuar apo u janë dhuruar qeverive mike të Irakut apo Afganistanit.
Pse ato po përpiqen të importojnë 9.5 milionë fishekë në vitin 2005, kur kane eksportuar, dhuruar apo shkatërruar mbi 60 milionë fishekë, municion i tepërt nga viti 2006 deri në 2008? I njëjti arsyetim vlen edhe për mitralozat e tipit PKM dhe PKT, të tilla armë të prodhimit sovjetik ose kopje kineze të tyre janë pjesë e trashëgimisë komuniste të Shqipërisë, të cilat janë eksportuar dhe shkatërruar gjerësisht.
Pse MEICO duhet të importojë kopje iraniane të të njëjtave tipa mitralozash që ka shkatërruar apo eksportuar?
Rasti i 100.000 copëve automatikë AKM është edhe më problematik. Për më se 15 vjet Shqipëria ka eksportuar, dhuruar apo shkatërruar mijëra copë automatikë të prodhimit sovjetik AK47 (automatiku Kallashnikov), kopje kineze të tij model 56 apo automatikë kopje shqiptare ASH -72 shumë të ngjashme me automatikët kopje iraniane AKM.
Thjesht, shifra 100.000 copë gjithashtu ngre dyshime. Në rast lufte NATO-ja nuk pret më shumë se 70.000 trupa shqiptarë. Kështu që Shqipëria eksporton, dhuron dhe shkatërron automatikë të ngjashëm me automatikët AKM, ka një stok të madh prej tyre për të mbuluar nevojat e forcave të saj të armatosura dhe në të njëjtën kohë përpiqet të importojë 100.000 copë të tillë automatikë për një ushtri prej 70.000 burrash e grash në rast mobilizimi.
I vetmi shpjegim logjik është: importo të rieksportosh. Pikërisht ky është problemi. Ky raport i shkurtër do të trajtojë vetëm këtë rast të bashkëpunimit ushtarak Iran- Shqipëri.
Artikujt e tjerë si raketa, aeroplanë pa pilot dhe eksploziv C4 shkaktojnë më shumë shqetësim. Të tilla importe nga Irani kurrë nuk janë magazinuar në depot e forcave të armatosura shqiptare. Ne jemi plotësisht të bindur se ato janë importuar, por ne nuk e dimë se çfarë ngjau me to pasi u importuan në Shqipëri.
Vend-magazinimi i tyre i sotëm nuk dihet. A iu shitën ato blerësve të ligjshëm apo e gjetën rrugën për të përfunduar në duart e terroristëve?
Ne e dimë që disa nga këto importe ndodhën me të vërtetë për shkak të faturave të transportit nga Irani në Shqipëri.
Në 15 dhjetor 2006 MEICO pagoi 27.400 USD dhe 47.000 USD si kosto transporti për mallra të importuara nga firma iraniane MODLEX. Këto pagesa u kryen pasi u nënshkrua një marrëveshje nga drejtori z. Pinari gjatë vizitës së tij në Iran në fund të nëntorit të vitit 2006. Kjo ishte një vizitë zyrtare sipas urdhrit nr. 1367, datë 26 tetor 2006, të nënshkruar nga Ministri i mbrojtjes z. Mediu. Vendimi i bordit drejtues të MEICO-s nr. 173, datë 23 nëntor 2006, thotë që të gjitha shpenzimet për këtë vizitë (bileta avioni, pagesa hoteli, shpenzime të përditshme etj.) do të paguhen nga MEICO.
Një anëtar i sotëm i NATO-s që zhvillon dhe mban lidhje të qenësishme ushtarake me një teokraci problematike, ngre dyshime rreth angazhimeve të qeverisë ndaj vlerave të NATO-s. Zhdukja e armatimeve dhe pajisjeve iraniane pasi ato u importuan në Shqipëri, ngre alarmin për destinacionin e tyre të vërtetë.
Tranzitimi nëpër territorin shqiptar të armëve dhe municioneve nga Bosnja drejt Lindjes së Mesme dhe përfshirja në të tilla marrëveshje e figurave të tilla boshnjake si Hasan Cengic dhe Naser Oric e kthen alarmin në emergjencë.
(Teksti në shqip nga autori Gjergj Thanasi)