Nga Tedi Blushi, GSH
Ministri i Brendshem i Shqiperise Basha dhe diktatori libian Moamar Gadafi
Shqipëria i ka shitur 54.044.000 plumba e mortaja luftarake Jemenit, duke shkelur embargon e pjesshme të vendosur ndaj këtij shteti nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Vendi më i varfër i botës arabe, liderë të shumtë të së cilës janë përfshirë në “listën e zezë” edhe të Shteteve të Bashkuara, është furnizuar me municione shqiptare rreth dy vjet më parë. Lajmi bëhet publik në raportin vjetor të OKB-së (2010) për eksport-importet e armëve në botë.
Rezulton se drejt Jemenit, Shqipëria ka eksportuar konkretisht 24 mijë copë mortaja të kalibrit 82 mm, 20 mijë copë mortaja të kalibrit 120 mm, 4 milionë predha të kalibrit 12.7 x 108 mm, si edhe 50 milionë fishekë kallashnikovi 7.62 x 54mm. Rreth 2 muaj më parë, edhe e përditshmja britanike “The Guardian” ngriti dyshime të forta për përfshirjen e Shqipërisë në një trafik të mundshëm armësh nga Serbia drejt Jemenit.
Dokumentet sekrete të diplomatëve amerikanë në Ballkan, që “The Guardian” i siguroi nga ‘Wikileaks’, bënin fjalë për një trafik armësh të udhëhequr nga Slobodan Tesiç, emri i të cilit ndodhet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por emri i tij duket se është i njohur edhe për autoritetet shqiptare, pasi shtetasi serb kishte partneritet me kompaninë MEICO, duke nënshkruar kontrata për eksport dhe import armësh e municionesh. Agjencia italiane Osservatorio publikoi gjithashtu një tjetër shkresë të MEICO-s drejtuar ish-drejtorit të policisë së Tiranës, Albert Dervishi në vitin 2006, ku i kërkohej të pajiste me vizë serbin Tesiç, i cili mbante pasaportën me numër 004812 551.
Në shkresën drejtuar kryepolicit të Tiranës, bëhej e ditur se Slobodan Tesiç do të vinte në Shqipëri në datat 11-12 prill të 2006-ës, si përfaqësues i firmës “Melvale”, në vijim të kontakteve që MEICO ka me firmat e huaja. Bazuar në informacionet e shërbimeve sekrete bullgare, diplomatët amerikanë zbuluan se në datat 14 dhjetor 2009 dhe 15 janar 2010, një ngarkesë kontrabandë me armë që kapte vlerën e 95 milionë dollarëve erdhi në Shqipëri nga Serbia dhe përmes portit të Durrësit u nis drejt Jemenit. Marrëveshja është firmosur nga qeveria shqiptare në tetor të vitit 2009, dhe municionet u eksportuan nga Serbia në janar të 2010-ës. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka shërbyer si tranzit në trafikun e armëve nga Serbia në drejtim të Lindjes së Mesme.
Sipas dokumenteve sekrete të ‘Wikileaks’, Slobodan Tesiç krijoi “Melvale Corporation LTD”, një kompani e regjistruar në disa vende, si Beogradi, Zvicra dhe Qipro, për ta përdorur si ndërmjetëse në marrëveshjet e firmosura me shtetet në të cilat kalonte tranzit trafikimi i armëve. Slobodan Tesiç dhe partneri i tij, Sharenach Nenad disponojnë pasaportë britanike, por sipas autoriteteve londineze nuk kanë licencë për tregtinë e armëve. Jemeni është pjesë e vendeve të listuara si problematike nga amerikanët dhe aleanca. Në këtë kuadër, tregtimi i armëve nga ana e Shqipërisë drejt atyre vendeve të shpallura problematike nga OKB-ja, është përgjegjësi e qeverisë.