Nga: Vjosa Osmani, 18 Qershor 2013
Pas një takimi të rëndësishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, një gazetar e pyeti një zyrtar të lartë të Kosovës nëse Shqipëria për të është si një vëlla i madh, prej nga presim këshilla, mbrojtje, dhe presim të shërbejë si shembull për ecjen tonë drejt proceseve euroatlantike. Edhe pse përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte mjaft diplomatike, besoj se shumica e shqiptarëve në Kosovë e konsiderojnë Shqipërinë pikërisht vend që do të duhej të shërbente si udhërrëfyes për ecjen tonë përpara.
Ka disa vite që Shqipëria i ka hyrë rrugës së gjatë të procesit të integrimit në BE, rrugë kjo që herë-herë u shqua me suksese, por shumë shpesh edhe me bllokada e procese politike që ngadalësuan ecjen drejt perspektivës evropiane. Dhe fatkeqësisht, këto procese politike që ngadalësuan këtë rrugë të rëndësishme patën ndikimin e vet edhe në Kosovë. Shumë shpesh në kontakte me faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë këshilloheshim që të mos bëjmë atë që po e bën Shqipëria, ndërkaq sa herë duheshin ekspertë nga të cilët do të ‘mësonim’ dhe shembuj që duhej të merreshin, kryesisht përmendej Kroacia apo ndonjë shtet tjetër i rajonit.
Shumëkush, përfshirë edhe zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngecjen e shqiptarëve në përgjithësi në proceset evropiane fajin ia lënë Evropës, duke thënë se Evropa po i konsideron shqiptarët si qytetarë të kategorisë së dytë. Mund të ketë zyrtarë evropianë që vërtetë kanë një përshtypje të tillë për shqiptarët, por sa kemi punuar ne për ta ndryshuar këtë përshtypje, është çështje që mund të diskutohet nga shumë kënde. Mendoj që fatkeqësisht është bërë shumë pak. Procesi i reformës zgjedhore në Shqipëri e pastaj edhe bllokimet e shumë ligjeve që kishin të bënin me perspektivën evropiane, dyshimet rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara dhe mospranimi i tyre, kanë lënë përshtypje të një shteti të zbehtë që ende ka shumë hapësirë për ndërtim të institucioneve funksionale dhe demokratike.
Tani Shqipëria e ka shansin të japë një mesazh pozitiv jo vetëm për Evropën, por edhe për Kosovën. Nëpërmjet një procesi të rregullt zgjedhor, pa abuzim të votave të qytetarëve, dhe me një proces të rregullt të numërimit, dhe me pranim të rezultateve të zgjedhjeve, Shqipëria do të duhej të shërbente si shembull për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Ndoshta atëherë do të ishin ekspertët nga Shqipëria, e jo gjetiu, që do të ftoheshin në Kosovë në komisionet, tryezat, e grupet e shumta punuese ku diskutohet e punohet për procesin e reformës zgjedhore.
Padyshim që reformimi i sistemit zgjedhor në një shtet që kalon në periudhën e tranzicionit nuk përfundon shpejt, por është proces i vazhdueshëm. Edhe nëse së shpejti përfundojnë ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale mund të lindë nevoja për një Kod Zgjedhor, i cili, sikur në shumë shtete të tjera, do të paraqiste një strukturë gjithëpërfshirëse, që ndër të tjera përfshinë edhe legjislacionin për zgjedhje nacionale, e edhe atë për zgjedhje lokale.
Për shkak të metodave të shumta të sofistikuara që partia në pushtet në Kosovë ka shfrytëzuar për të abuzuar me votën e qytetarëve, e rrjedhimisht edhe me rezultatet e zgjedhjeve, Kosovës i duhet të shikojë shembuj të mirë të mbarëvajtjes së zgjedhjeve pa abuzime të tilla. Shqipëria mund të bëhet ky shembull, nëse ka vullnet politik. Por Shqipëria duhet ta bëjë këtë jo vetëm për t’u parë si model, por për shkak se një proces i rregullt zgjedhor dhe një rezultat i pranuar i zgjedhjeve do të konsiderohen jetik për ecjen e mëtejme të Shqipërisë drejt integrimit evropian.
(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)