Ajo që propozon Zhizhek vërtet duket se është thënë me qëllimin më të mirë dhe mund të konsiderohet si një zgjidhje e arsyeshme, por ka edhe disa pasoja të pamenduara mirë, që në vend të zgjidhjeve racionale mund të krijojnë kriza të reja.
Nga Shkëlzen Maliqi
Para 25 vjetësh ka qenë një intelektual i famshëm slloven, shkrimtari Taras Kermauner (1930-2008), i cili ua tha në sy serbëve se Kosova është e humbur për ta. Në një seri letrash që i pati botuar e përjavshmja NIN dhe që i adresoheshin mikut serb të paemër, por që supozohej se ishte Dobrica Qosiqi, “babai” i nacionalizmit modern serb, Kermauneri pohonte se miti serb për Kosovën është i ngjashëm me një mit të sllovenëve mbi Gosposvetsko Polje (gjermanisht Zollfeld), në luginën e Klagenfurtit/Celovecit, që në Mesjetë ka qenë vend i kurorëzimit të mbretërve të sllovenëve të Karantanisë, kurse sot është zonë e banuar me shumicë austriake.
Ai pohonte se sllovenët, edhe pse e mbajnë në kujtesë këtë vend historik të tyre, janë bërë racionalë dhe prej kohësh kanë hequr dorë nga pretendimet që të risundojnë këtë vend të shenjtë të tyre. Kermauner, pra, i këshillonte serbët që edhe të bëhen racionalë si sllovenët, duke hequr dorë nga Kosova, duke pas parasysh se dominimi i shqiptarëve në Kosovën e tyre “mitike” prej kohësh ishte bërë absolut. Më pastaj edhe shume politikanë dhe intelektualë sllovenë, para dhe pas shkëputjes së Sllovenisë nga Jugosllavia, dhe viteve të fundit në cilësinë e zyrtarëve të shtetit anëtar të BE-së ose të zyrtarëve të Brukselit dhe të NATO-s, kanë vazhduar të mbajnë po këtë koncept të Kermaunerit mbi nevojën që Serbia të heqë dorë nga qasja mitike ndaj Kosovës.
Javën që shkoj sërish një intelektual slloven me famë botërore, filozofi Slavoj Zhizhek, në një intervistë për edicionin në gjuhën serbe të radios “Deutsche Welle”, ka trajtuar çështjen e Kosovës nga aspekti i një qasjeje racionale, duke këshilluar kështu jo vetëm opinionin serb, por para së gjithash faktorët ndërkombëtarë dhe opinionin shqiptar. I pyetur për Kosovën, Zhizhek konstaton se situata me këtë shtet është “tejet irracionale”, dhe krahas situatës në Bosnje e Hercegovinë, cilësohet si zgjidhje e përkohshme: “Më e mirë është kjo gjendje, sesa lufta, thotë Zhizhek.
– Mirëpo, as në Bosnje, e as në Kosovë, siç po shihet, kam frikë se ende nuk e kemi një formulë afatgjatë”. Duke u nisur nga ky konstatim, Zhizhek propozon me mjaft rezerva një zgjidhje afatgjatë për Kosovën: “Do të them tash diçka që duket absurde: ndoshta është më së miri që Kosova të bashkohet me Shqipërinë përmes një koordinimi ndërkombëtar. Kjo do të ishte një zgjidhje racionale afatgjate. Sepse është marrëzi të kihen dy shtete me një popull krejtësisht të njëjtë”.
Kjo ide e Zhizhekut, kuptohet, nuk është ndonjë risi në botën shqiptare. Bashkimi i trojeve shqiptare, në variante të ndryshme dhe me harta të ndryshme, është teme e përhershme në politikën dhe publicistikën shqiptare prejse në vitin 1913 në Konferencën e Londrës fuqitë e mëdha morën vendimin që të copëtohen trojet shqiptare. Pas krijimit të shtetit të dytë me popullsi shumicë shqiptare, Kosovës, dy vjet më parë, boshti i kësaj çështjeje sillet rreth mundësisë së bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet.
Duhet thënë se politikat zyrtare në dy shtete nuk trajtojnë fare këtë çështje, dhe edhe Tirana edhe Prishtina janë të interesuara që të stabilizohet në tërësi dhe pa asnjë shkarje pavarësia e Kosovës, pasi ende është pjesërisht e kontestuar në rrafshin e politikës ndërkombëtare. Kosova deri më sot është njohur si shtet vetëm nga një e treta e shteteve anëtare të OKB-së, dhe para vetes ka edhe një copë rruge për t’u bërë anëtare e barabartë në institucionet ndërkombëtare.
Të hapësh sot çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë duket jo vetëm e parakohshme, por edhe si një ngatërrim e ndoshta edhe rrezikim të së arriturës më të madhe, se edhe Kosova është bërë shtet i pavarur dhe demokratik, dhe në rendin e prioriteteve që kanë Shqipëria dhe Kosova, si edhe shqiptarët që jetojnë në shtetet fqinje (Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi), është që të gjitha këto shtete të bëhen anëtare të BE-së, të NATO-s që nënkupton edhe arritjen e standardeve më të larta të demokracisë dhe hapjen e perspektivës për zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë dhe mirëqenies të të gjithëve.
Ajo çka propozon Zhizheku vërtet duket se është thënë me qëllimin më të mirë dhe mund të konsiderohet si një zgjidhje e arsyeshme, por ka edhe disa pasoja të pamenduara mirë, që në vend të zgjidhjeve racionale mund të krijojnë kriza të reja Nëse konsiderohet si Zhizheku se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy çështje të papërfunduara, dhe këtu unë sipas kësaj logjike do të shtoja edhe Maqedoninë, atëherë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nënkupton ndjekjen e një skenari tjetër nga ai që tani e aplikojnë fuqitë e mëdha dhe institucionet ndërkombëtare që kontrollojnë rajonin tonë ushtarakisht dhe politikisht.
Në këtë skenar aktual synohet kalimi i butë nga gjendja e mëparshme konflikteve, dhe nga tranzicionet e kontrolluara nga fuqitë e mëdha, në procesin e integrimeve euroatlantike që mund të zgjasë diku rreth 10 vjet, pas të cilit do të bëhet relativisht irelevante çështja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, por edhe të serbëve dhe kroatëve. Kurse, skenari që propozon Zhizhek, duke qenë edhe vetë i vetëdijshëm se është absurd, nënkupton një përmbysje në qasjen e Brukselit dhe të SHBA-ve, që mund të ndodhë vetëm nëse do të shpërthente kriza e cila do të bindte botën se nuk ka zgjidhje tjetër pos bashkimit të shqiptarëve, por edhe të serbëve, dhe vizatimit të hartave të reja të rajonit.
Zhizheku mbase pavetëdijshëm me këtë ide, u shkon për shtati aspiratave të Serbisë që të rikomponohet mbi bazat etnike harta e rajonit, çka nënkupton jo vetëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por edhe të Republikës Serbe me Serbinë, dhe ndoshta edhe negociatat për këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, të Veriut të Mitrovicës, me Luginën e Preshevës dhe Bujanovcit. Ky opsion edhe pse në dukje racional, çon në dridhje dhe tërmete të mëdha politike e ndoshta edhe konflikte të reja, që thjesht, nga konstelacion i aktual i forcave, nuk shihet sesi do të mund të ndodhin dhe të provokoheshin.
Imagjinoni një konflikt të ri në Kosovë pas rebelimit të serbëve në Veri? A do të shikonin forcat e NATO-s këtë konflikt me neutralitet? Nuk më besohet. Për serbët ky do të ishte opsion vetëvrasës, të konfrontimit të hapur me Perëndimin, që nuk do t’u sillte asgjë. “Bashkimi” mes Shqipërisë dhe Kosovës megjithatë mund të ndodhë në format alternative të bashkëpunimit dhe të marrëveshjeve mes dy vendeve, përmes traktit për mbrojtje të përbashkët në rast të rreziqeve, vendosjes së bashkëpunimit dhe koordinimit sa më të ngushtë dhe komplementar ekonomik, arsimor, kulturor etj., dhe arritjen e standardeve më të larta të demokracisë…