Nga Igli Totozani
Ajo çka ndodhi dhe po vazhdon të zhvillohet qartë këto kohë në Shqipëri është më tepër se një garë e vjedhur në Tiranë. Është gjithashtu shumë më tepër se një përplasje inxhinierish juridike të përdorura nga palët në fjalë. Pas njëzet vitesh duket se për herë të parë në këtë tranzicion po konstatohet dalja në skenë e një kulture të re politike në Shqipëri e cila synohej të ndërtohej në këtë vend si në të gjithë vendet e tjerë postkomunistë të Europës nëpërmjet një procesi integrimi në strukturat europiane.
Në fakt, i gjithë thelbi i këtij procesi, pavarësisht se në mungesë të një modeli tranzicioni qëndronte në një parim thelbësor, në atë të ndërtimit të një demokracie nëpërmjet importimit dhe vendosjes në sistemin postkomunist të një numri parimesh dhe procedurash si: shteti i së drejtës dhe liritë dhe të drejtat e njeriut.
Europianët menduan se nëpërmjet këtij imitimi të sistemit të saj kushtetues në hapësirën postkomuniste, me kohë këta popuj, pra edhe shqiptarët, sidomos për shkak të një edukate të respektit ndaj ligjit, do të mund ta krijonin dhe përvetësonin atë kulturë të nevojshme juridike dhe demokratike, të aftë të krijonte dhe stabilizonte më pas një demokraci të vërtetë pluraliste.
Gjatë këtyre viteve, të shumtë kanë qenë ata të cilët mendonin se kjo rrugë e ndjekur nuk do të mund të sillte një rezultat të kënaqshëm, ndërkohë po kaq shumë të tjerë menduan se ndoshta rruga do të ish e gjatë por se në fund ajo do të rezultonte ajo e duhura. Rruga vërtetë duket e gjatë e me sa duket ajo do ta kapërcejë këtë brez njerëzish të lindur pak vite para se të fillonin proceset demokratike. Por sot me zgjedhjet e Tiranës dhe jo vetëm mund të konstatojmë se në një pjesë të shoqërisë shqiptare, sidomos atyre të rikthyerve, po shfaqen fort shenjat e para të një kulture politike perëndimore, të një kulture drejtësie dhe deri diku edhe rezistence.
Është kjo pjesë e shoqërisë e cila vazhdon të mos përkulet dhe mos bëj kompromis me zgjedhje të denatyruara dhe me një sërë aktesh të tjerë. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë grup të jenë përfshirë njerëz me qëllime të ndryshme nga njëri tjetri ; disa për hir të idealit për të ndërtuar një Shqipëri demokratike e disa për qëllime të cilat nuk tejkalojnë pushtetin. Dhe kjo është e natyrshme, në një “ndryshim” jo të gjithë shkojnë veç për ideal.
Kjo masë njerëzish aktivë ose jo, pavarësisht kushteve shumë të vështira për tu shndërruar në një opinion publik, prej kohësh po ushtron një presion pozitiv jo vetëm mbi pushtetin në fuqi por edhe mbi vetë konceptuesit dhe mbështetësit e demokratizimit të Shqipërisë, sikurse janë miqtë tanë europianë dhe amerikanë. Tek këta njerëz që koha e shpejt do të tregojë nëse janë apo jo ende shumicë brenda shoqërisë, po jep shenjat e para një kulturë e re demokratike, pikërisht ajo që prej kohësh pritej nga të gjithë miqtë tanë dhe studiuesit e demokratizimit të Shqipërisë dhe më gjerë Ballkanit.
Kjo kulturë e re në fakt po i jep frytet e para sado që kjo mund të ngjajë paradoksale. Paradoksale sepse përplasja e saj me kulturën e vjetër brymosur në rregjimin komunist dhe më përtej akoma duket se ka krijuar një ngërc i cili po mban pezull Shqipërinë, sidomos procesin e integrimit të saj. Pasoja e parë e kësaj përplasjeje duket se ishte institucioni i zgjedhjeve.
Për arsye personale ose jo, kjo ka pak rëndësi në këtë moment, forcat opozitare në këtë vend arritën të përqëndrojnë në këtë institut të demokracisë një vëmendje të paparë deri më sot, qoftë nga shqiptarët, qoftë nga ndërkombëtarët. Pothuajse qysh prej 2007 kur u desh të shtyheshin zgjedhjet lokale për shkak të “kokëfortësisë” së opozitës për të rritur shkallën e garancive të ndershmërisë e deri më sot, qytetarët e këtij vendi janë mbërthyer të kuptojnë si kurrë ndonjëherë më parë rëndësinë e zgjedhjeve dhe kriteret e tyre.
Sidomos këto të fundit po shikohen me një vëmendje prej tyre siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ndërkombëtarët, të cilët jo për faj të tyre, ishin “mësuar” me evolucionin e ngadaltë demokratik të një vendi i cili megjithë një aset kushtetues dhe ligjor të njëjtë me vendet e perëndimit, vuante nga mungesa e një kulture demokratike. Vëmendja e tyre tashmë është më e rritur nga ky zgjim shqiptar i cili si çdo zgjim tjetër jep edhe kërcitje të forta.
Por kjo vendosmëri e këtyre forcave intelektuale opozitare (jo domosdoshmërisht pjestare të opozitës politike) duket se ka kontribuar edhe në një përqëndrim dhe sofistifikim të udhëheqjes së pushtetit të sotëm. Për fat të keq, kjo frymë shoqërore që duket se po lind, për arsye të kuptueshme, nuk duket se po ndikon ose së paku nuk po gjen përgjigje në këtë udhëheqje, në përafërimin e një kulture të re demokratike dhe europiane siç do të kishim dëshirë. Por megjithatë, të paktën duket se një ndikim e ka, sado që nuk është ai i kërkuari.
Kjo udhëheqje e burgosur, në dëshirën e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, nëse së paku nuk po preket nga kjo dëshirë dhe aspiratë e dukshme ndryshimi, të paktën është përqëndruar, për të mos u “dekonspiruar” para ndërkombëtarëve si mbajtëse e fundit e trashëgimisë dhe mentalitetit të rregjimit, në gjetjen dhe evidentimin e atyre “klauzolave” apo “boshllëqeve” të cilat vjedhjen e zgjedhjeve do të mund ta “mbulojnë” disi. Kjo udhëheqje, sakrifikoi për Tiranën shumicën e qendrave urbane të vendit me idenë se kështu, zgjedhjet në Tiranë nuk do të mund të nxinin zgjedhjet si tërësi.
Fryma e re që po duket në Shqipëri e detyroi këtë shumicë dhe udhëheqjen e saj, të synojë dhe të marrë më të mirën e mundshme, Tiranën, duke sakrifikuar, për hir të dukjes demokratike, pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë, zotërimin e të cilit do ta dëshironte me gjithë shpirt. Duket qartë, hapësirat për të vjedhur janë zvogëluar ndjeshëm dhe kjo jo për shkak të forcës së institucioneve të pavarura, të cilat e treguan se veç të tilla s’janë, por për shkak të një publiku i cili nuk është më moskokëçarës, por kërkues zbatimi standartesh.
Jemi pra, në këtë ngërç, në këtë përplasje, të parën ndoshta në këta njëzet vjet tranzicion, midis një kulture të re aq të mirëpritur në këtë vend dhe një kulture të vjetër e cila e ka tashmë të pamundur ti japë më këtij vendi një perspektivë demokratike. Çdo ditë që kalon, në çdo përpjekje nëpërmjet mediave të pushtetit për të sulmuar opozitën si shkaktare vonese integrimi, çdo inaugurim rruge, çdo fjalim bombastik mbi një Shqipëri ekonomike të pakapshme, duket qartë se kredibiliteti dhe legjitimiteti i kësaj shumice ka rënë. Asgjë, asnjë nga këto përpjekje nuk mund të mjegullojë më shikimin nga ndërkombëtarët dhe qytetarët shqiptarë të kësaj kulture të prapambetur politike aq shumë në kontrast të hapur, të dukshëm e transparent me këtë kulturë të re, shenjat e të cilës jo më të ndrojtura po duken çdo ditë.
Kjo krizë vërtet po vonon integrimin. Por ajo po shërben gjithsesi për diçka. Si çdo krizë apo jo? Kurrë më parë se sot e në mënyrë më transparente se sot, qytetarët e këtij vendi po shikojnë kaq qartë Shqipërinë e vjetër, atë të një ideologjie, mentaliteti dhe kulture që ditën duket sikur ndërton demokraci e natën i pushon ata në mënyrë te paligjshme, që duket se ndërton institucione të pavarura e natën i mbyt ata, që duket se ndërton një kuadër ligjor europian e natën e shkel me të dy këmbët, që duket sikur i intereson veç ndershmëria e zgjedhjeve dhe natën ndërron me forcën e shërbëtorëve të çdo rregjimi rregullat me të vetmin qëllim, më të pandryshuarin në këto njëzet vjet: atë të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit.
Kjo krizë po ndihmon. Falë saj, ky vend po dallon qartë, dëmin dhe shkakun. Dhe nga ana tjetër, një Shqipëri të re që reziston. Dhe kjo nuk është pak, kjo është shpresë.