Adrian Thano, 21.11.2009
Mbrëmë u vu re edhe një lloj habie e përzier me nervozizëm për atë që ndodhi në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Habia erdhi nga njerëz afër qeverisë, apo tifozë politikë dhe lidhej kryesisht me numrin e pazakontë të pjesëmarrësve në protestë.
Pse kjo habi dhe ky nervozizëm? Përgjigja është interesante dhe ka të bëjë me Edi Ramën. Më saktë, ka të bëjë pikërisht me atë që ka ndodhur gjatë këtyre muajve pas zgjedhjeve të fund-qershorit.
Çfarë ka ndodhur? Është konsumuar një përpjekje titanike për të krijuar një Shqipëri virtuale. Tentativa ka qenë e plotë dhe financiarisht e shtrenjtë. Janë paguar njerëz dhe janë manipuluar hapësira mediale – (fjala ‘paguar’ ka një shtrirje metaforike fare të ngushtë) – për ta krijuar këtë Shqipëri të rreme.
Gjakimi ka qenë aq i fortë saqë me sa duket, edhe vetë skenaristët e kësaj Shqipërie joreale nisën ta besonin Shqipërinë “e tyre”, ndërsa e shihnin përditë në TV, e lexonin në (dhe nën) gazeta apo e dëgjonin në fjalimet e pafundme politike, disa prej të cilave (zoti më ndjeftë nëse e teproj) janë kaq demente sa nëse do egzistonte një kupë e trapllikut njerëzor, do ta meritonin me duartrokitje.
“Kush e ka fajin që jemi vendi më i varfër në Europë”? – shkruhet në disa mure të Tiranës. Pyetje e bukur. Përgjigje e thjeshtë: Jemi kështu, sepse kemi patur qeveri të këqija. Kjo e 4 viteve që shkuan, nuk bën përjashtim.
Por kjo do mbahet mend edhe për diçka tjetër: Është qeveria që boshatisi arkën e shtetit për Dukjen. Ka shpenzuar dhe shpenzon miliarda për t’u Dukur ashtu siç nuk Është. Është qeveria që bën sikur qeveris, njësoj si doktori në krye të saj bën sikur noton. Është qeveria e Shqipërisë virtuale.
Shqipëria virtuale na shashtis me poça, ngjyra dhe gajasje, Shqipëria reale është një gri e zymtë ku depresioni lidh njerëz me zinxhirë. Shqipëria virtuale është një ‘fanar ndriçues buzë Adriatikut’, Shqipëria reale është në gjunjë buzë humnerës ekonomike.
Në Shqipërinë virtuale, të gjithë janë të suksesshëm si Argita, në Shqipërinë reale shkurtimet nga puna janë të përditshme dhe pamundësia e bizneseve për të paguar ata që janë ende në punë, është e dukshme.
Shqipëria virtuale e ka peshkun në det dhe tiganin në zjarr. “Tiranë-Elbasan për 5 minuta” – thoshte titulli i madh i një gazeta proqeveritare para disa ditësh duke iu referuar një projekti rruge, në të cilin ende nuk është ngulur kazma e parë (!!). Kjo është sa për të dhënë një shembull sepse të tilla idiotësi, kreatorët e Shqipërisë që nuk është i kanë me shumicë.
Ky nxitim dhe padurim thuajse prej psikopati për ti deklaruar të sosura ca gjëra që janë larg ose nuk egzistojnë asfare, është demagoshi, por është edhe një dëshmi e asaj që këta nisën ta besojnë edhe vetë kreaturën e tyre
Por është e qartë që përballë kësaj Shqipërie të rreme, ka qenë dhe është një Shqipëri reale; e ndryshme në shumë pika dhe krejt e përkundërt në disa të tjera me këtë Shqipërinë tjetër.
Dhe tamam këtu është përgjigja e pyetjes së fillimit: “pse nervozizëm dhe habi”. Sepse në Shqipërinë virtuale problemi krysor politik është “pse nuk ikën dhe si të ikë Edi Rama nga PS-ja”, porse në Shqipërinë reale, problemi kryesor politik është dyshimi tek legjitimiteti i mazhorancës së sotme.
Në Shqipërinë virtuale Edi Rama ishte mposhtur përfundimisht. Ai ishte vetëm, pa përkrahje, dhe njeriu që i ka thënë në vesh Evropës që të mos na heq vizat. Por në Shqipërinë reale, ai nuk qenka aspak vetëm.
Përkundrazi ishte mbrëmë në krye të një proteste, që për shkak të pjesëmarrjes së jashtëzakonshme, e shndërron problemin e kutive të votimit, në një kauzë popullore.
Me gjasa, eksperimenti i Shqipërisë virtuale, u varros mbrëmë me ceremoni tek Dëshmorët e Kombit. Dhe me sa duket, është koha e transferimit të përgjegjësive. Është koha që krimbi i vogël ballkanik ta ndalë ëndrën naïve për t’u shndëruar në flutur.
Qeveria e S.Berishës, duhet të mendohet mirë për hapin tjetër. Derrat e gripit politik duhet të kthehen në Shqipërinë reale, ose të vazhdojnë shakatë pa kripë të gripit të derrave në Shqipërinë që nuk egziston. Le të shohim.