Shqipëria, një “aleate” e akuzave ndaj Hashim Thaçit

0
52


Nga Mero Baze

Raporti i Këshillit të Evropës mbi përfshirje të individëve të veçantë afër Hashim Thaçit, në veprimtari të jashtëligjshme gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe për dyshimet mbi konsolidimin e një rrjeti të trafikut të organeve njerëzore, është iniciativa më e rëndë perëndimore kundër kredibilitetit të faktorit politik në Kosovë, dhe si e tillë duhet marrë shumë seriozisht. Reagimet emocionale të Tiranës dhe Prishtinës deri tani, jo vetëm që nuk kanë emocionuar askënd veç vetes, por i kanë hedhur benzinë zjarrit duke nxitur një votim unanim për hetim ndërkombëtar mbi këto akuza dhe e kanë bërë kryeministrin në detyrë të Kosovës një portret që i ngjan filmave horror.

Pa dashur të merrem me reagimin emocional në Kosovë, duhet të kufizohem tek dyfytyrësia e reagimit nga Tirana. Reagimi i parë skandaloz ka ardhur nga kryeparlamentarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ka kërkuar ekzaminim mjekësor për hartuesin e raportit, Dik Martin. Me lehtësinë e njeriut kokëbosh, që u shet pallavrave fshatarëve të mbytur të Shkodrës për “armikun Edi Rama në Tiranë”, me të njëjtën lehtësi dhe papërgjegjësi, komunikon në nivel zyrtar për një raport, i cili në të vërtetë nëse nuk sqarohet me kompetencë dhe profesionalizëm nga pala shqiptare, ka për të na mbetur gjithë jetën njollë dhe argument kundër çdo iniciative për të avancuar Kosovën drejt Perëndimit.

Qysh sot janë hedhur publikisht akuzat e para ndaj mbështetjes së tepruar perëndimore te Kosovës, dhe një reagim primitiv i joni i bën dhe më të besueshëm këta zëra. Nëse Dik Marti është psikopat apo normal, këtë nuk e përcakton dot zonja Topalli. Detyra e zonjës Topalli në këtë rast është të mbrojë palën shqiptare nga akuzat me argumente dhe të bashkëpunojë me Këshillin e Evropës për këtë çështje, dhe jo të prodhojë distancë armiqësore me autorin e raportit, duke ja bërë atij më të lehtë të ngrejë supet si i pafajshëm, në kulmin e ofensivës kundër faktorit shqiptar në Kosovë.

Së dyti, nga sa po rrjedh në medien prestigjioze botërore siç është BBC, Shërbimi Informativ Shqiptar ose njerëz të veçantë të tij, mund të jenë bashkëpunëtorët kryesore të detajeve për raportin, për të cilat siç tha dje në seancën dëgjimore Dik Marti, nuk janë bërë publike, por ekzistojnë. Ne nuk e dimë se ç’ka në anekset jopublike ky raport, por e sigurt është se KE nuk mund të miratonte një raport pa detaje të besueshme, të ofruara për ish- prokurorin zviceran.

Për të hedhur poshtë këtë raport, detyra e shtetit shqiptar është të bashkëpunojë ngushtë me autoritete ndërkombëtare që kanë hartuar raportin dhe të provojë për ta të kundërtën e atyre që thonë. Njerëz që të shesin natën e të qajnë ditën, siç duket që Shqipëria ka bërë në këtë rast me Hashim Thaçin, vetëm sa e dëmtojnë dhe më tej faktorin shqiptar dhe veçanërisht Kosovën në Perëndim.

Së treti, siç shihet nga raporti, aty nuk ka akuza në bllok për UCK, nuk ka akuza për luftën e saj dhe as për armiqësinë me serbët. Shumë nga faktet që kundërshtohen publikisht për raportin, nuk janë në raport. Për shembull kundërshtohet fakti që “tek Shtëpia e Verdhë në Gurrë të Matit” nuk mund të bëhet transplant dhe i quhet kjo gënjeshtër raportit, por në fakt dhe raporti këtë thotë, që atje nuk mund të bëhej transplant.

Raporti është i dyshimtë dhe spekulativ kur flet për një shtëpi në Fushë-Krujë, ku sipas tij rreth dhjetë persona mund të jenë ekzekutuar dhe pastaj mund t’u jenë marrë organet për t’u transportuar jashtë Shqipërisë për në Turqi. Këtu duhet hetim, duhet mjekësi ligjore që t’i hedh poshtë, dhe po ashtu investigim nëse mjeku turk i klinikës së tanishme në Kosovë, që është akuzuar për transplanto, ka pasë ose jo lidhje me këtë grup qysh gjatë luftës.

Kjo nuk bëhet me parulla. Aq më tepër një shtet me institucione si Shqipëria, e ka të lehtë ta bëjë në rrugë institucionale. Deri më tani askund në raport nuk fajësohet UÇK se këtë gjë e ka bërë nga urrejtja për serbët, por fajësohen dhe ngrihen dyshime për individë të veçantë, të cilët mund të jenë joshur financiarisht dhe tashmë mbrohen politikisht.

Asnjë perëndimor akoma nuk ka thënë që kështu ka vepruar UÇK, por thjesht kanë ri-cituar akuzat që ka raporti për individë të veçantë. Kurse pala shqiptare bën fakt të kryer që akuzat njollosin UÇK-në dhe Luftën, dhe flasin broçkulla që nuk i hyjnë në punë askujt veç pjesës jo-urbane të Shqipërisë dhe Kosovës që beson idenë e një komploti ndërkombëtar kundër tyre.

E vërteta është se raporti është i rëndë, jo se ka bllofe, por se është i kujdesshëm në lënien hapur të dyshimeve. Raporti shtyn shqiptarët të hyjnë në spiralen e lënies së lirë të drejtësisë për të hetuar dhe vë në provë aftësinë e institucioneve tona për të bashkëpunuar me drejtësinë. Është e qartë se autori i raportit mund të ketë një mosdurim për shqiptarët, por në raport ka dëshmuar durim për ta na futur në spiralen e dyshimeve. Ai raport nuk hidhet poshtë me parulla, nuk hidhet poshtë me banalitete, nuk hidhet poshtë as me dyfytyrësi, nëse dikush nga Shqipëria ka bashkëpunuar ilegalisht me hetuesit.

Është më mirë të bashkëpunohet legalisht, më mirë të punohet në dritë të diellit përkrah Dik Martit, se sa të ecim në modelin tradicional të Lulëzim Bashës, që natën i bën dosjen për në Hagë njërit nga liderëve të UÇK, dhe pas burgut bëjnë bashkë “Rrugën e Kombit”, duke na e shitur sapunin për djathë. Kështu siç po sillet Shqipëria me këtë raport, jo vetëm që nuk e ndihmon asgjë Hashim Thaçin, por u jep argument gjithë atyre që dyshojnë, apo kanë prirjen të dyshojnë në këtë histori, se këtu diçka ka ndodhur. Dhe në një vend ku drejtësia anon gjithmonë nga kriminelët, dhe jo nga viktimat, siç është drejtësia jonë, ne thjesht i japim argument akuzave për imazhin e Kosovës dhe kryeministrit të saj, duke u bërë aleatë me akuzuesit.