Bledar H. Prifti, 02.03.2011
Kam dëgjuar të flitet lartë e poshte se Shqipëria nuk është as Egjipt, as Tunizi, dhe aq më pak, as Libi. E kam dëgjuar këtë shprehje nga mendimtarë, analistë dhe diplomat të brëndshëm dhe të huaj. Ndonjëherë me duket si shprehje e hedhur nga papagaj që nuk e dinë realisht racionalitetin që qëndron pas kësaj shprehje. Diplomatët perëndimorë, përfshirë këtu edhe atë Amerikan, kanë shumë të drejtë kur flasin për një Shqipëri që nuk është as si Egjipti, as si Tunizia, dhe as si Libia. Por këtë shprehje ata e bëjnë si Perëndimor (dhe jo si Shqiptarë) dhe bazuar në këndvështrimin e interesave të tyre rajonale dhe globale. Për Perëndimin, Shqipëria nuk është si Egjipti, Tunizia, dhe Libia pasi në Shqipëri nuk ekziston frika e ardhjes në pushtet e forcave opozitare anti-perëndimore.
Në rastin e vendeve të sipërpërmëndura, dhe në veçanti, në rastin e Libisë, diplomacia perëndimore ndodhet në kaos pasi janë të vendosur midis dy alternativave: (1) të mbështesin pa zë regjimin diktatorial dhe antihuman të Muamar Gadafit ose (2) të krijojnë premisat për ardhjen në pushtet të një opozite të lidhur ngushtë me organizatën terroriste Al Qaeda.
Për mirë a për keq, ka qënë Gadafi ai që me budallallëkun e tij politik (dhe mbase jo vetëm i tillë) ka krijuar situata të pakëndshme/të pakuptueshme dhe antagoniste me Perëndimin në një kohë kur interesat e të dy palëve ishin të njëjta. Mbase ka qënë “shoë” ashtu siç bën ndonjëherë edhe Premieri i Italisë, Silvio Berluskoni. Situata bëhet edhe më e komplikuar kur kupton se Libia është një prodhues i fuqishëm i naftës dhe ka fuqinë të diktojë tregun ndërkombëtar të saj.
Gjithashtu, potenciali i ardhjes në pushtet në Libi të forcave anti-perëndimore është më i madh se ai në rastin e Egjiptit dhe ndaj diplomacitë perëndimore nuk e ngrenë shumë zërin kundër Gadafit. Për më shumë, në një vend me 140 klane dhe tribu (dhe me 6 milionë banorë) të përçara zgjuarsisht nga Gadafi është e vështirë të përjetosh protesta si ato në Egjipt.
Duhet kuptuar rëndësia e kohezionit social pasi prezenca e tij limiton në maksimum influencat e faktorëve të jashtëm në rrjedhën e politikave të brëndshme të një shoqërie. Ndaj mund të themi se Gadafi ka një probabilitet shumë të lartë për të qëndruar në pushtet, e ndihmuar kjo kryesisht edhe nga mungesa e kohezionit social të një shoqërie të përbërë nga 140 klane dhe tribu të ndryshme të përçara nga pushteti dhe i mbështetur ky qëndrim në mënyrë indirekte nga frika e perëndimorëve për ardhjen në pushtet të forcave anti-perëndimore. Bazuar në ato çfarë theksuam më lart, është lehtësisht e kuptueshme se përse Shqipëria nuk është si Libia në këndvështrimin e interesave afat-shkurtëra të vendeve perëndimore.
Po për Shqiptarët dhe këta shtetas të botës së qytetëruar, a është Shqipëria si Libia? Mjafton që të analizojmë disa aspekte të thjeshta ekonomike dhe politike për të kuptuar se Shqipëria NUK është totalisht si Libia. Do të thoni ju mos kam shkalluar gjë?? Jo jo, nuk kam shkalluar!!!
Ekonomikisht, Libia është shumë herë më mirë se Shqipëria kurse politikisht janë shëmbëlltyra e njëra tjetrës. Në aspektin ekonomik, me një popullsi sa dyfishi i popullsisë sonë, Libia ka një prodhim të brëndshëm bruto (GDP) 4 herë më të madh se GDP-ja jonë.
Me një llogari shumë të thjështë, një Libian prodhon dy herë me shumë sesa një Shqiptar. Bazuar në të dhënat e marra nga website i CIA në lidhje me “CIA The World Factbook”, GDP-ja e Libisë është afro 89 bilionë dollarë kurse GDP-ja e Shqipërisë është afro 23.9 bilionë dollar. Në vitin 2010, sipas CIA (U.S. Central Intelligence Agency), Libia kishte një rritje ekonomike prej 3.3% kurse Shqipëria kishte një rritje prej 3.1%. Po nga i njëjti burim, për vitin 2010, të ardhurat për frymë në Libi ishin 13, 800 dollarë Amerikanë kurse në Shqipëri ishin 8.000 dollarë Amërikanë.
Në vitin 2010, borxhi publik në Libi ishte 3.3% e GDP-së kurse në Shqipëri kjo shifër ishte 59.3%. Në të njëjtin vit, inflacioni në Libi ishte 3% kurse në Shqipëri niveli i inflacionit i afrohej 3.5%. Po sipas të njëjtit burim, borxhi i jashtëm i Libisë është 6.378 bilionë dollarë kurse borxhi i Shqipërisë nuk jepet nga agjensia dhe informacioni i vetëm është ai i vitit 2004 kur borxhi ishte 1.55 bilion dollar.
Ne vetëm mund të imagjinojmë se sa ka vajtur borxhi ynë i jashtëm që nga 2004 deri më tani dhe se sa i lartë është ai në krahasim me borxhin e jashtëm të Libisë. Boll me aspektin ekonomik me bindjen se këto shifra ju hapën sadopak sytë dhe mendjet e mbyllura atyre që i kanë të tilla.
Po në aspektin politik, a mund të krahasohet Shqipëria me Libinë? Me plot gojën do të deklaroja se në aspektin politik, Shqipëria dhe Libia janë simotra. Nëse do e masja prezencën e demokracisë nga këndvështrimi i dhe me kutin e Ambasadorit Amerikan, Arvizu, unë do të thoja se Libia është vend demokratik pasi ka media si ato të Shqipërisë që edhe flasin kundër regjimit në fuqi. Media opozitare ka edhe në Libi, pavarësisht faktit se ato çensurohen dhe se gazetarët persekutohen e vriten. E njëjta gjë ndodh edhe këtu tek ne. Këtu tek ne, mediat dhe gazetarët çensurohen, rrihen, kërcënohen, dhe madje edhe mund të vriten nëse e kërkon nevoja e pushtetit dhe krijohen mundësitë. Fundja, një regjim që vret 4 protestues në mes të ditës nuk e ka për gjë që të eleminojë fizikisht në mënyrë të fshehtë mafioze gazetarë “të rrezikshëm” për pushtetin.
Për më shumë, ashtu si regjimi i Tripolit, regjim i Tiranës tentoi edhe publikisht/institucionalisht të persekutonte gazetarë nën pretendimin e vjetër komunist të grupit të puçistëve. Besoj se Ambasadorit Amerikan është në dijeni të këtyre fakteve kur vlerson demokracinë në Shqipëri. Ambasadori Amerikan ka shumë të drejtë gjithashtu edhe kur deklaron se Shqipëria, ashtu si Libia, nuk është shtet i dështuar. Shtetet ndahen në katër kategori: (1) shtete të zhvilluara, (2) shtetë në tranzicion, (3) shtete në zhvillim, dhe (4) shtete të dështuara. Tek shtetet e dështuara futet Somalia, Etiopia, dhe të gjitha ato shtete që nuk kanë potencial as për tu zhvilluar. Normalisht, Ambasadori nuk mund të na krahasonte me Somalinë.
Në vazhdën e mënyrës së vlerësimit të demokracisë me kutin e Ambasadorit Amerikan, ne mund të përmendim edhe faktin që në Shqipëri njerëzia proteston. Për Ambasadorin, kjo do të thotë “demokraci”. E njëjta gjë ndodh edhe në Libi; bile në Libi protestohet me kallashnikov (AK-47) dhe krijohen formacione të mirfillta ushtarake nga protestuesit kundër pushtetit.
Mos vallë diplomacia ndërkombëtare ecën me shprehjen (që përdorej shpesh nga profesori im i nderuar, Mohsen M. Milani) se ndryshmi midis një vepre kriminale dhe një revolucioni qëndron në faktin se revolucionet triumfojnë dhe se ato revolucione që nuk triumfojnë konsiderohen vepra penale? Është e çuditshme se si Libia, nga pikpamja e Ambasadorit është kaq e zhvilluar në aspektin e demokracisë dhe lirive të individit, për mos t’i kujtuar këtu Ambasadorit protestat në 2008-2009-ën e grupimit “anti-Washington”, “Tea Party”, anembanë Amerikës ku njerëzit shfaqeshin me armë zjarri në brez, një e drejtë kjo që rridhte nga Amendamenti II i Kushtetutës Amerikane.
A nuk duket sikur Shqipëria, Libia, dhe Amerika kanë standarde të larta përsa i përket së drejtës për të protestuar? Diferenca e vetme është se në Shqipëri dhe Libi, protestuesit vriten dhe bambardohen nga forcat qeveritare.
Në vazhdim, regjimi i Berishës në Tiranë është i njëjtë me regjimin e Gadafit në Tripoli si në aspektin institucional dhe në atë psikologjik, apo në atë që ka lidhje me mentalitetin e drejtimit të vendit. Faktet tregojnë se pas rrëzimit të komunizmit, për 20 vite me radhë Shqipëria është qeverisur nga tre Gadafë të së njëjtës tufë, dhe ky që është sot në pushtet është kryeGadafi 20 vjeçar që synon të arrijë rekordin 40 vjeçar të Gadafit të Tripolit. Gjatë këtyre 20 viteve të sundimit të familjes së Gadafëve, ne asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje demokratike dhe të lira, dhe këtë e konfiromojnë të gjitha burimet dhe kancelaritë e huaja.
Gadafët e Shqipërisë, ashtu si Gadafi i Tripolit, flasin shumë për demokracinë, institucionet, dhe pushtetin e popullit. Por për 20 vite me radhë, ashtu si pushteti familjar dhe klanor i Gadafi të Tripolit, Gadafët tanë vetëm sa ndërronin rolet por jo synimin e pushtetit të tyre të përbashkët familjar dhe klanor. Në Libi kemi djalin e Gadafit së bashku me kryetarët e disa klaneve kurse në Shqipëri kemi gocën dhe djalin e kryeGadafit bashkë me krerët e klaneve, Nano dhe Meta. Analizojini në aspektin ekonomik dhe politik dhe do të shihni që nuk ka as më të voglin ndryshim midis strukturës dhe qëllimeve të “parisë” së Tiranës dhe asaj të Libisë.
Përsa i përket mentalitetit politik të regjimit, mund të themi se ai është më i ngjashëm se çdogjë tjetër. Në shkencat politike, në fushën e politikave të krahasuara, si një metodë shkencore për studimin e aktorëve dhe fenomeneve politike, politologët fokusohen tek studimet e thelluara të një ngjarje apo në krahasimin e detajuar të saj me një ngjarje tjetër. Mjafton të krahasojmë sipërfaqësisht reagimin e regjimit të Gadafëve në Tiranë në lidhje ngjarjet e 21 Janarit me reagimin e regjimit të Gadafit të Tripolit në lidhje me protestat opozitare në Libi për të kuptuar ngashmërinë e theksuar të mentaliteteve të dy regjimeve.
Ashtu si regjimi i Tiranës, edhe regjimi i Tripolit vrau protestuesit e pafajshëm. Në Tiranë, fillimisht, kryeGadafi reagoi plot djallëzi duke ia faturuar vrasjen e protestuesve opozitës dhe liderit të saj. Por pasi u zbulua nga mediat se vrasjen e kryen forcat qeveritare, kryeGadafi dhe Gadafët e tjerë filluan të akuzonin protestuesit si element “kokëpalarë”, “hajdutë”, “kriminelë”, dhe njerëz te blerë nga opozita për interesa anti-shqiptare dhe për të prishur imazhin e Shqipërisë në botë. Në të njëjtën linjë, edhe Gadafi i Libisë i quajti opozitën dhe protestuesit kriminelë te droguar që duan të rrëzojnë rendin kushtetues dhe të nxijnë imazhin e Libisë në botë.
KryeGadafi i Shqipërisë premtoi publikisht se do të vriste jo 4 por 300 njerëz nëse sulmoheshin institucionet dhe rendi kushtetues i regjimit. Të njëjtën linjë vazhdonte edhe Gadafi i Libisë kur deklaronte para disa ditësh se do të luftonte deri ne fishekun e fundit dhe se do ta shndërronte Libinë në një det me gjak.
Gjithashtu, fill pas protestës, kryeGadafi i Shqipërisë deklaronte se kishte marrë me qindra mijëra telefonata nga qytetarë për të ardhur në mbrojtje të institucioneve të regjimit. Të njëjtën gjë do të deklaronte edhe simotra Gadafi e regjimit të Libisë kur deklaronte se nga të gjitha anët e Libisë po vinin qindra dhe mijëra autobuzë me Libian që do të mbronin institucionet e regjimit të Gadafit. Me pak fjalë, si Gadafi i Libisë dhe kryeGadafi i Shqipërisë janë të gatshëm ta çojnë vendin drejt një lufte civile vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetitn.
KryeGadafi i Shqipërisë e kishte bërë këtë gjë edhe në vitin 1997, por që fatkeqësisht u harrua nga shoqëria. Në një kohë kur po varroseshin viktimat e krimit qeveritar, kryeGadafi i Tiranës deklaroi se do të sillte në Shqipëri këngëtaret e famshme si Shakira dhe Lady Gaga. Të njëjtën gjë po organizonte edhe djali i Gadafit të Tripolit i cili, bazuar në burimet konfidenciale të medias Amerikane, kishte filluar negociatat për të sjellë në Libi këngëtarë të famshëm të botës. Këto janë vetëm disa element që vërtetojnë mentalitetin e simotrave Gadafi të Shqipërisë dhe Libisë.
Deklarata dytësore dhe pathosi i tyre vërtetojnë një ngjashmëri edhe më të madhe që ju duhet ta keni kuptuar tashmë.
Por pavarësisht këtyre fakteve, çfarë duhet të bëjë shoqëria dhe opozita Shqiptare. Unë besoj fuqishëm se shoqëria civile dhe opozita duhet të çojnë deri në fund, përmes çdo sakrifice, atë kauzë për të cilën derdhën gjakun Faiku, Ziveri, Hekurani, dhe Aleksi.
Ne duhet të bëjmë këdo të kuptojë se jeta e një Shqiptari të vetëm vlen shumë herë më shumë se vlera e kulltukut të kryeGadafit dhe Gadafëve simotra të kujtdo vendi dhe cilësdo kohe. Nëse e lëmë përgjysëm këtë që kemi nisur, atherë ne do t’i tregonim botës mbarë dhe brezave që do të na pasojnë se ne jemi një shoqëri primitive pa integritet dhe kurajo morale përderisa jeta e çdo pjesëtari të kësaj shoqëria nuk vlen më shumë se vlera e një kolltuku apo e një rroge në administratë.
Dje fati i zi i ra Faikut, Ziverit, Hekuranit, Aleksit, dhe familjeve të tyre dhe qindrave të tjerëve. Po nesër, bashkëkombasit e mi, kush e ka radhën? Me siguri, përsëri dikush mes jush/nesh! Si kudo anembanë botës, fatin tuaj e shkruani VETËM ju dhe askush tjetër, aq më keq Gadafët dhe soji i tyre!