Nga Sergio Bagnoli, Agora Vox, 5 Korrik 2012
Shqipëri e palëvizshme, Shqipëri e paaftë për të përshtatur aksionin e saj politik me parimet e Europës Perëndimore, Shqipëri përjetësisht e prapambetur, Shqipëri e korruptuar, në fund të fundit një Shqipëri e paaftë për t’i dhënë një hov krenarisë dhe dinjitetit: janë të gjithë këto aspektet që po e përkeqësojnë republikën e Ballkanit dhe që prevaluan në mënyrë të fuqishme në zgjedhjen e presidentit në Vendin e Shqiponjave.
Kreu i shtetit në Shqipëri zgjidhet njësoj si në Itali, d.m.th në mënyrë të tërthortë, pra zgjedhja e tij është një çështje parlamentare. Ndryshe nga sa ishte premtuar më parë, se do të zgjidhej president një personalitet i pavarur, i njohur dhe i ekuilibruar në këtë vend të vogël e të varfër, asgjë nuk ndodhi. Partia Demokratike në pushtet, e drejtuar prej 20 vitesh nga i përhershmi Sali Berisha, kryeministër i përjetshëm i këtij vendi që nuk ka njohur ndonjëherë parimet e shëndosha të një liberal-demokracie, imponoi në postin e lartë kandidatin e saj, ish-ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani.
Nishani është një personalitet pak i njohur, një burokrat gri, një shërbëtor besnik i mentorit të tij politik, d.m.th Berishës. Personaliteti i tij është aq eunuk sa edhe vendasit e tij nuk dinë gjë për të. Nuk ka aspak lidhje me presidentin në largim, Bamir Topi, që ishte bërë një pengesë ndaj tendencave autoritariste.
Partia Demokratike dhe papagajtë e saj duhet të pranojnë se e kanë pasur të lehtë të zgjedhin Nishanin në presidencë pasi opozita socialiste, e drejtuar nga ish- kryebashkiaku Edi Rama nuk e ka marrë akoma veten nga humbja zgjedhore, pasuar nga akuzat e përhershme për manipulim zgjedhor. Sikur të mos mjaftonte kjo, pas zgjedhjes së Nishanit, në skenë është shfaqur sërish ish- kryeministri ish- komunist, Fatos Nano, që tani është shumë i pasur dhe jeton në një vilë luksoze në Vjenë. Nano madje pati edhe ambicie për tu bërë president, por nuk gjeti mbështetje parlamentare. Por gjërat ishin fiksuar, ai ka bërë një kompromis me Berishën për t’i marrë të riut Rama partinë nga duart.
Jo më kot gjatë një interviste televizive, pa shumë pretendime, deklaronte: “Berisha është shumë i dashuruar me pushtetin, por të gjithë së bashku duhet të gjejmë forcën për të ndryshuar këtë realitet të trishtë”. Por një realitet që për Bashkimin Europian nuk po ndryshon dhe nuk do ndryshojë për sa kohë që zgjedhja e Nishanit u bë në atë mënyrë. Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit për Zgjerimin, nuk i ka rekomanduar unionit që të vazhdojë rrugën e integrimit me republikën në Adriatik. Shqipëria duhet të presë ende për shkak se nuk plotëson as kushtet minimale të Brukselit.
*Shkrimi është përshtatur nga faqja italiane AgoraVox, një model i gazetarisë qytetare







