TemA Online, 28 Shtator 2012
Zotit Stefan Fule Komisioner i BE-së për Zgjerimin Bruksel
I nderuar zotëri,
Po ju shkruaj nga Shqipëria si qytetar i një vendi që aspiron të bëhet pjesë e familjes europiane dhe kodit të saj demokratik. Quhem Mark Nika, jam xhaxha i Aleks Nikës, njërit prej katër protestuesve opozitarë, që u vranë në 21 janar 2011 nga Garda e Republikës në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, përballë selisë së kryeministrisë.
Aleksi u vra me plumb në kokë në trotuarin e djathtë të bulevardit, dhjetëra metra larg rrethimit të jashtëm të kryeministrisë. Ishte i ri, 34 vjeç, djali i vetëm i dy prindërve të vuajtur. La gruan dhe dy vajza jetime.
Fillimisht, dëshiroj t’ju falenderoj në emër të familjes sonë për thirrjen që Ju kemi bërë për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit, duke e trajtuar këtë gjë si një provë shumë serioze të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Në fakt vetëm drejtësia mund ta lehtësojë sadopak dhimbjen tonë të madhe.
Për fat të keq, apeli juaj dhe apelet e tjera të ngjashme nga SHBA dhe Europa, nuk kanë gjetur përgjigje në Tiranë. Po mbushen njëzet muaj nga dita e tragjedisë dhe drejtësia e shumëpritur nuk duket as në horizont edhe pse krimi i 21 janarit lindi i zbardhur para kamerave të televizioneve, siç e kanë parë me sy e siç e kanë nënvizuar dhjetëra vëzhgues të paanshëm.
Ju jeni në dijeni se kryeministri Sali Berisha, me justifikimin se prokuroria po i hiqte mbrojtjen, pengoi personalisht ekzekutimin e urdhrave të prokurorisë për ndalimin e gjashtë gardistëve të dyshuar. Zhvillimet e mëvonshme kanë vërtetuar katërcipërisht se ky veprim i kryeministrit u dha kohë të dyshuarve të tentonin sa të ishte e mundur prishjen e provave të krimit.
Dëshiroj t’ju vë në dijeni se hetimet e prokurorisë së Shqipërisë dhe ekspertiza e FBI-së amerikane, që u vunë në lëvizje falë ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, kanë provuar se:
-Mesnatën e 21 janarit, deri në orën pesë të mëngjesit të 22 janarit, nga serveri i kryeministrisë janë kopjuar e fshirë të gjitha filmimet e demonstratës dhe veprimeve të Gardës, të bëra nga kamerat e brendshme e të jashtme të kryeministrisë.
-Ekspertiza e FBI-së zbuloi se ish- komandanti i Gardës, Andrea Prendi, ka ndryshuar tytën e armës së tij me tytën e armës së shoferit të tij për të mos u zbuluar se kishte qëlluar njëmbëdhjetë herë me fishekë luftarakë në drejtim të turmës, duke vrarë dy demonstrues e duke plagosur disa të tjerë.
Këto janë vetëm dy prej fakteve skandaloze e të pakundërshtueshme, që dëshmojnë përpjekjet kriminale për të mbuluar krimin me krim vetëm që e vërteta e vrasjeve të 21 janarit të fshihet përgjithmonë.
Ekspertiza e FBI-së i nxori zbuluar këto përpjekje. Por atë që humben nga ekspertiza dhe hetimi penal, vrasësit dhe urdhëruesit e tyre kanë bërë e po bëjnë çmos ta rifitojmë në aulën e gjykatës. Deri tani është dhënë pafajësi për të akuzuarin kryesor në lidhje me fshirjen e filmimeve nga serveri i kryeministrisë, duke e lenë për momentin pa autor këtë vepër penale flagrante mu në godinën e qeverisë. I akuzuari kryesor për vrasjet, ish- komandanti i Gardës, gjykohet në gjendje të lirë edhe pse mbi të rendon akuza e vrasjes dhe plagosjes së pajustifikueshme të shtetasve. Në seancat gjyqësore salla e gjykatës mbushet me gardistë që dërgohen aty në mënyrë të organizuar.
Shqetësimi ynë i madh si familje është se si rezultat i presioneve me karakter politik dhe duke pasur parasysh politizimin, dobësitë dhe nënshtrimin kronik të gjyqtarëve ndaj ekzekutivit, procesi i 21 janarit rrezikon seriozisht të degradojë si një farsë pa fajtorë, duke i lënë një pjesë të veprave penale pa autorë dhe duke i trajtuar të vrarët dhe të plagosurit si mish për top.
Në bindjen time dhe të mijëra njerëzve në Shqipëri, ky ka qenë qysh në fillim dhe ky është përsëri qëllimi i qeverisë së Tiranës, që tani e ka hequr maskën dhe qëndron me krenari prapa vrasjeve. Para disa kohësh, gjatë një debati në Parlamentin e Shqipërisë për 21 janarin, kryeministri Sali Berisha u tha opozitarëve të pranishëm “ua bëj përsëri siç ua bëra”. Duke harruar se djali ynë dhe tre të vrarët e tjerë nuk kanë asnjë lidhje me hesapet që mund të ketë ky kryeministër me rivalët dhe kundërshtarët e tij politikë.
Të vrarët ishin shtetas të Republikës së Shqipërisë, ishin njerëz të zakonshëm, qytetarë të thjeshtë, që as u thirrën në luftë nga opozita, as shkuan për të luftuar kundër kujt, por thjesht ushtruan një të drejtë që ua njeh Kushtetuta e Shqipërisë. Ata thjesht iu përgjigjen thirrjes së opozitës për të protestuar kundër korrupsionit galopant në sferat e larta. Me lejoni t’ju sjell në vëmendje se ato ditë janari të vitit 2011 ishte publikuar videoja ku ish- zëvendëskryeministri Ilir Meta dilte me zë dhe figurë duke bërë allishverishe në zyrë të shtetit.
Duke ua bërë me dije këtë shqetësim të madh, që nuk mund të jetë vetëm familjes sime, me lejoni t’ju them zoti Komisioner, se guximi i qeverisë së Tiranës për të penguar hetimin normal të vrasjeve të 21 janarit, për të fshehur pastaj provat e krimit dhe për të shkelur me këmbë drejtësinë vjen edhe nga fakti se Ju, Europa, nuk i keni dënuar me force vrasjet e 21 janarit në Shqipëri, siç keni bërë me vrasjet e protestuesve në vendet arabe. Vrasjet e civileve nga qeveria janë kudo të dënueshme, por këto të Shqipërisë me 21 janar janë dyfish të dënueshme sepse Shqipëria ka një Kushtetutë demokratike dhe qeveria e saj, ndryshe nga ato arabe, pretendon se ishte demokratike.
Si mund të jetë demokratike një qeveri që vret protestues të paarmatosur e paqësorë në bulevard vetëm se ata protestojnë kundër saj?
Si mund të vriten njerëz në mes të Europës vetëm se ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar?
Si mund të tolerohet në mënyrë kaq flagrante një qeveri që angazhohet fuqimisht për fshirjen e provave të krimit?
Në emër të familjes së Aleks Nikës kërkojmë nga Ju të sensibilizohet për këtë situatë Komisioneri për Drejtësinë dhe të dërgohet në Tiranë një përfaqësues i tij për të parë në vend gjendjen dhe për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të procesit të 21 janarit.
Me lejoni t’ju shpreh opinionin tim se 21 janari nuk është njohur siç duhet nga Europa dhe SHBA. Për rrjedhim nuk është dënuar siç duhet prej tyre. Unë jam jurist në profesion dhe e di se drejtësia është përpjesëtim. Janë dënuar dhjetëra protestues që u konfrontuan me policinë atë ditë, duke përdorur çadra apo duke hedhur gurë. Le të marrë dënimin sipas ligjit kushdo që ka bërë shkelje.
Por vrasjet janë të pakthyeshme. Vrasjet nga Garda dhe kundravajtjet nga një pakicë protestuesish nuk mund të futen në një thes. Vrasjet duhen të ndahen njëherë e mirë nga kundravajtjet. Këto dy episode – konfrontimet dhe vrasjet- janë të ndara shkoqur edhe në kohë. Vrasjet kanë ndodhur shumë më vonë, kur demonstrata po shpërndahej. Aleksi dhe tre të vrarët e tjerë, sikurse mijëra e mijëra të tjerë nuk kanë bërë asnjë kundravajtje, kanë protestuar paqësisht deri në fund.
Asnjë ligj nuk shkelën ata. Askujt nuk i ranë në qafë. U vranë politikisht. Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë shpjegim tjetër pse u vranë.
Zoti Komisioner për Zgjerimin,
Duke ju shkruar sa më lart, unë denoncoj para jush dhe para Europës vrasjen politike të nipit tim me 21 janar në Tiranë. Përgjigjen ia lë koshiencës suaj dhe Europës që përfaqësoni.
Me respekt
Mark Nika
Grykë-Manati, Lezhë, Shqipëri.