SHQIPËRIA E SHPIRTIT TIM NË MËRGIM

0
86

Baki Ymeri

Kozeta Zylo është Shqipëria e nostalgjive tona dhe shpirti im në mërgim. Leksionet e para të dashurisë së saj janë atdheu, gjuha shqipe dhe shpirti shqiptar. Bujaria shqiptare dhe mall i magjepsur jane shprehur për bukuri në librin e saj të parë “Monumenti i lotit: “Sa lot është derdhur,/Për ty, nënëlokja ime Shqipëri!” Kjo zanë e frymëzuar shqiptare vjen me mjellmat e saj si një drenushë skofiare me ecje lozonjare dhe ja se si: Nuk e di,/ Në më ke harruar liqeni i bukur i Tiranës,/ Nuk e di?/ Fëshfërrimën e mëndafshit tim, dikur,/ Dhe fërshëllimën e te dashurit tim,/ Nga kënaqësia e puthjes,/ Kur loznim kukamfshehtësi,/ Dhe në gjethet e bardha,/ Të lule deleve, kërkonim fatin,/ Më do apo s’më do? Në inspirimin e saj defilojnë të gjitha trojet shqiptare që kanë nga një Vlorë.

Poetja shkruan me admirim për Kosovën e zemrave tona që e konsideron si “Princeshë me medalionin e Lirisë në gjoks”. Ajo është një pikë hëne e veshur me fustan dielli që bashkohet me simfoninë e këngëve të miliona shqiptarëve që këndojnë shqip. Përveç botës lirike, dëshmi esenciale për këtë princeshë të zemrës shqiptare janë artikujt, reportazhet, fotografitë dhe emisionet e një qendre televizive shqiptare që e drejton së bashku me bashkëshortin e saj, zt. Qemal Zylo, i cili është edhe producent në Amerikë.

Autorja shkruan vargje mbi mirënjohjen e Amerikës, duke fluturuar si një zog i lirë mbi New Yorkun e bukur, pa e harruar Liqenin e Tiranës: “Pritmë liqeni i bukur, pritmë si dikurë/ Do të vi duke fluturuar me mjellmat”. Loti i saj është është lot i brezave që pushtuesit panë me sy, “Lot i vashave për të dashurit,/ Që u arratisën nga aty.” Autorja e përkujton rininë e saj të brishtë. Kozeta Zylo është zemërzana e kujtimeve të ëmbla si mjalta e dashurisë: “I mëndafshtë ky muzg me qirinj ndezur,/ Ti brenda dhomës, si yll i ndritur,/ Ndaj shpirti digjet kaq shumë papritur,/ Të vetmin që s’frenoj dhe Hënën e pabindur!”

Ajo shkruan me afshin e zemrës për freskinë e çasteve të ëmbla që na mbështjellin me kujtime të paharruara, për lotët e pikëllimit dhe puthjet e zjarrta që i pat lënë nën rrezet e Hënës që s’e tradhëtoi kurrë: Dhe prekim damarët e shpirtit të blertë,/ Që aspak s’zverdhet, dhe pse vjeshta bie,/ Sythet e tij janë degëve gjithë jetë,/ Edhe kur dimri, ngricën sjelle tek ne.” (Të mjaltat kujtime). Dhe më tej: Princesha ime, Kosovë, Prishtina, filiz shpirti, apo Adem Jasharit: Ne Kështjellën e Tij, tek prehen trimat/, “Preka lehtë Monumentet,/ Brenda tyre në fole të mallit,/ Dogja hallet edhe dertet”, apo mendimet e një sokoli që e kondisderon si poeteshë e talentuar shqiptare, që edhe pse larg Mëmëdheut, gjen forca të jashtëzakonshme e mundësi reale t’i ngrejë emrin lart Nënës Shqipëri.

Në këtë drejtim, na shkruan një mik nga Shqipëria (S. Abazi): “Më kanë bindur madje edhe vlerësimet e larta që i kanë bërë mirënjohësit amerikanë, qoftë Dr. Helen Dechker e po kështu edhe nxënësit e studentët me dedikimet e tyre në anglisht. Me këtë rast, një përshëndetje të përzemërt për poeteshën tonë, autorin e publikimit dhe tërë dashamirësit e kësaj veprimtarie shkollore, artistike e patriotike. Kozeta Zylo jep një kontribut të shenjtë për njohjen dhe zhvillimin e vlerave që përfaqësojnë intelektualë të shquar, patriotë e punëtorë në të mirë të shqiptarizmës dhe çështjes sonë kombëtare. Jo vetem në vargjet e kësaj poeteshe shqiptare, por dhe në programin tonë me subjektin “Mirënjoheje SHBA-ve” që i janë gjendur dhe me siguri do t’i gjenden Kombit Shqiptar në ditë të vështira.”

BOX

Ja disa vleresime nga personalitete te shquara te letersise dhe artit:
Autorja shprehet me ngazëllim të madh në poezinë “Tungjatjeta Kosovë!”, e cila përshëndet Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ajo e pret atë ngjarje historike me brohori e krenari, dhe ndan gëzimin e saj me kosovarët duke thënë: Princesha ime Kosovë/ Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë/… Me fjalë poetike të skalitura, autorja e quan muajin e shkurtit, “Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere”, dhe në mendjen e saj kërcen Vallen e Rugovës, veshur me kostumin tradicional të grave kosovare. (Prof. Peter R. Prifti).

Në shkrimet e tua të cilat i lexoj me ëndje si poete e mirë dhe krahinare e dhimbshur, ti ke mendimin tënd dhe zemrën tënde. Ke shqetësimet nga më kryesoret që përjetojnë sot shqiptarët kudo që janë, e që kanë një rezonancë të përbashkët kombëtare, demokratike e njerëzore. Të gjithë, veçanërisht të mërguarit, jetojnë me mendimin e latinëve se Atdheu është i shtrenjtë jo se është i madh, por se është yni. Aq më tepër kur për atdheun tonë disi të vogël ndryshojnë aktorët, por tragjeditë janë po ato – nga njeri akt në tjetrin. (Agim Shehu, shkrimtar i shquar i Kombit)

Unë them: Mos ia qani hallin Kozetës, se ajo megjithatë ia ka dalë në luftën për jetën, sepse ka ditur të zbatojë dhe të kapë anët e mira të saj: punën, veprimtaritë me njerëzit, dashurinë për ta. Ky dimension human, ndoshta i huajtur nga Nënë Tereza, por që buron natyrshëm nga shpirti i saj i etur, kërkues, bën majë në tërë vëllimin e saj poetik. Edhe kur shkruan për Kosovën, për Çamërinë, heronjtë krahas revoltës frymës epike, shquajnë edhe notat e ngrohta, gjithësesi njerëzore, që burojnë nga shpirti i një nëne të cilat i japin poezisë më shumë vërtetësi, thjeshtësi, komunikim.Nuk e kam njohur më parë Kozetën. Nuk dija asgjë për të. Në Globe Institute më bëri përshtypje një pedagoge që në kohën e lirë hapte kompjuterin dhe shkruante poezi. Pastaj ua lexonte studentëve ashtu thjeshtë, e frymëzuar, përplot emocion.

(Roland Gjoza)