“Shqipëria do bëhet kolonia jonë energjetike dhe koshi ynë i plehrave”

0
65


Nga “Balkan Crew“, 20.01.2011

“Ka hyrë në shtëpinë tonë nga dera e pasme e shërbyesve. Ishte një komunist fanatik dhe që atëherë bënte të pamundurën me një zell të ekzagjeruar për tu afruar me pushtetin”, – kështu është përshkruar Berisha nga bashkëshortja e diktatorit Hoxha.

Uau.. “komunist fanatik”, e thënë pikërisht nga gruaja e brutalit Enver Hoxha?! Vërtet, një frazë që të tringëllon fort në mëndje! Dhe megjithatë, kardiologu, kirurgu dhe studiuesi Berisha …gjendet aty. Në krye të vendit të shqiponjave! Sigurisht si një politikan me një eksperiencë të gjatë, sigurisht një demagog nga më të këqijtë.

Sot “Sala” , siç e thërrasin pothuajse të gjithë në Shqipëri është kryeministër, paçka se ka qenë ai vetë (dhe këtë madje e pranon!) që në 1997-ën lejoi fenomenin e piramidave financiare që e çuan Shqipërinë në recesion total shkatërues me pasoja që ndihen ende edhe sot për të gjithë shqiptarët.

Dhe të mendosh që “Sala” në ’97-ën ishte bash Presidenti i Republikës… jo ministër i mundësive të barabarta apo politikave sociale e as ministri i fiqve të tharë… Kjo ishte një hyrje e shkurtër, për t’ju treguar atë që po ndodh sot në Shqipëri:

Kryeministri ynë (e qartë që ka “harruar” që Berisha ka qenë një “komunist fanatik”) e ka takuar “Salë”-n për të firmosur marrëveshje energjetike që teorikisht duhet t’i sjellin përfitime të dy shteteve.

Mesa duket në Itali përfitimi do vijë; Shqipëria (Berisha) i ka ofruar Italisë (Berluskoni) ndërtimin e disa impianteve për prodhimin e energjisë. Dhe bash në bregdetin e shqiptarëve: Në Karaburun p.sh, një nga zonat bregdetare më të bukura të Shqipërisë dhe më pak e ndotura sepse për më shumë se gjysmë shekulli gadishulli në jug të Vlorës ka qenë i izoluar dhe ka shërbyer si zonë ushtarake.

Është një zonë e virgjër me bukuri të rrallë që fare mirë mund të bëhej Korfuzi apo Mikonos-i i Shqipërisë, 97 hektarë park natyral, me rryma detare Mesdhetare nga deti Jon dhe ai Adriatik. Por ja që këta 97 hektarë pas marrëveshjes Sala-Berluskoni do të mbillen me helika për prodhimin e energjisë eolike. 97 hektarë të rrallë, do shndërrohen në platformë çimentoje..
E ndërkohë në Fier (qytet i ndotur tashmë nga puset e naftës) mendohet të ndërtohet edhe një kremator… (e çdo ngrihej tjetër një depurator?)

Në zona të tjera të vendt të tij Berisha është ofruar për Berluskonin i gatshëm për të ndërtuar deri edhe centrale atomike.

E kështu, nga një barsoletë në tjetrën, të dy kryeministrat janë argëtuar goxha shumë (simpatia e tyre dukej sikur u rridhte nga të gjitha poret). Edhe, një herë tjetër i kanë lënë të kuptojnë botës që, nuk është e nevojshme që populli të interesohet për vendin e tij: Shqipëria do të bëhet kolonia energjetike e Italisë (dhe me shumë mundësi edhe koshi ynë i plehrave), nuk do të shfrytëzojë energjinë e prodhuar (sepse ajo do të shitet e gjitha), edhe një herë tjetër investitorët e mëdhenj, mafiozët e të gjitha kombësive do të shfrytëzojnë dhe do të përfitojnë nga ndërtimi dhe pastaj menaxhimi i këtyre impianteve.

Kurse vetë mbeturinat shqiptare do të vazhdojnë të digjen përgjatë lumenjve, delet do gëlltisin dioksinë, fëmijët romë do vazhdojnë të vrapojnë këmbëzbathur dhe shqiptarët do ndjekin në Televizion kopjen e shëmtuar të Strisca la Notizia ku shpallet në mbrëmje se edhe një tjetër ministër i qeverisë Berisha u kap me korrupsion, për dhunë seksuale, për masakra apo kushedi se për çfarë tjetër!

Por të dy homologët mbeten gjithmonë, “më të mirët”, “më të shkëlqyerit”, ndërsa ne përsëri ngelemi me shije të keqe në gojë.

*Shkrimi në origjinal titullohet Omologi (Homologët) dhe mund të lexohet në http://balkan-creë.blogspot.com/2009/04/omologhi.html

**************************************

Sa 3/4 e Jezercës (!)

Nga raporti i Legambientes për mafien e mbeturinave (pjesë dhe shifra nga i cili Shekulli botoi dje) dalin të dhëna alarmante. Shifrat janë mbresëlënëse dhe kur mendon që pikërisht me një vend që ka probleme të tilla me plehrat Shqipëria e njëmijë e një mungesave shkon e firmos marrëveshje importi plehrash, të zë paniku.

Ja disa nga të dhënat që jepen në raportin e Legambiente për ekomafian e vendit të tyre, Italisë:

1 – Miliona tonelata plehrash varrosen në mënyrë ilegale në vende të panjohura çdo vit. Për ta bërë më të perceptueshëm sasinë e plehrave që “zhduken” në vend-varrosje të siguruara nga rrugët dhe korridoret e mafies italiane, Legambiente bën një krahasim. “Çdo vit zhduket një mal plehrash 2 mijë metra i lartë”, – thotë raporti i Legambinetes, dhe shton se kjo është njëherë e gjysmë më e lartë se mali ynë Vezuv.

Italianët e krahasojnë me Vezuvin e tyre për ta bërë më të perceptueshëm nivelin e jashtezakonshëm të aktivitetit të mafies së plehrave, kurse ne na takon ta krahasojmë me një mal tonin për ta bërë më të perceptueshëm për publikun shqiptar. Po marrim Malin e Jezercës meqë është pranë vendlindjes së kryeministrit.

Për rreth 700 metra, shifra e dhënë nga Legambinete do të arrinte majën e Jezercës (maja e katërt më e lartë e Shqipërisë pas atyre të Korabit – 2694 metra). Një “mal” plehrash sa tri të katërtat e Jezercës është pra sasia e plehrave, që zhdukin çdo vit klanet e mafies së plehrave në Itali. Ku i çojnë?

Shumë groposen në rajonet e jugut italian, të tjerat shkojnë në vende të Afrikës apo në vende si Rumania që kanë lejuar së fundmi importin e plehrave. Varrosja e tyre ilegale kursen miliarda euro që do paguheshin nëse ato shkonin në landfilldet e posaçme të Europës ku “ta masin kokën me spango” për të trajtuar mbeturinat).

2 – 18,4 miliard euro është xhiroja vjetore e mafies së plehrave, 4800 janë në një vit krimet e groposjes së plehrave të rrezikshme me autor mafien e fqinjëve tanë, 103 janë rastet e hetimeve për trafikim të mbetjeve të rrezikshme nga Italia drejt vendeve të tjerë, 2190 persona janë denoncuar, 520 janë ndërmarrjet e përfshira në këto trafiqe.

3 – Në Napoli arrijnë mbeturina toksike shumë të rrezikshme të industrisë së veriut italian me “ndërmjetësinë” e Kamorrës. Rajoni i Kampanjës është i pari në listën e Legambientes për krime të kategorisë së mbetjeve. Në Kampanja dhe Kalabri përqendrohen 30 për qind të mbetjeve ilegale të gjithë Italisë. Pas këtyre dy rajoneve vijnë Pulja, Lombardia, Liguria, Piemonte, dhe Veneto.

4 – Është kalkuluar se për çdo euro që fiton mafia e plehrave, shteti humb 10. Në Pulja janë zbuluar plot 599 vend-varrosje ilegale, në Lombardi 541, në Kalabri 447. Vetëm në Veneto janë 5 milionë metra katrorë të okupuara me varreza plehrash ilegale.