Shqipëria dhe komunizmi

0
66

Nga Daniel Ursprung, Neue Zürcher Zeitung – 06.01.2011

Asnjë vend tjetër në Europën Lindore nuk ka kaq shumë monumente, ndoshta edhe të pavullnetshme, që të kujtojnë sundimin komunist si në Shqipëri. Në asnjë vend tjetër të Europës Lindore nuk ekzistojnë kaq pak studime serioze në lidhje me periudhën e socializmit si në Shqipëri – nuk ka asnjë biografi kritike ndaj Enver Hoxhës, edhe pse asnjë drejtues tjetër komunist nuk e ka dominuar për kaq gjatë e në mënyrë kaq intensive fatin e vendit të tij.

Krahas raporteve të publikuara në media, në tregun e librave ka vetëm dokumente e kujtime të viktimave të komunizmit, por edhe të anëtarëve të nomenklaturës – përfshi këtu edhe përligjet e anëtarëve të familjes së Enver Hoxhës dhe kujtimet e jetës së pasuesit të tij, Ramiz Alia.

Akademia e shpërndarë në vitin 2008, gjithashtu nuk ka asnjë rivlerësim kritik të regjimit komunist. Arsyet e këtij dështimi janë të ndryshme dhe duhen kërkuar kryesisht në situatën specifike të tranzicionit shqiptar.

Tranzicioni në Shqipëri është shënuar nga konfrontimi tejet i personalizuar mes dy kampeve politike të papajtueshme me njëri-tjetrin, demokratët e Sali Berishës në një anë dhe komunistët e kthyer në socialistë.

Partia Demokratike e Sali Berishës, e ardhur në pushtet në vitin 1992, udhëhoqi një betejë të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve politikë me pretekstin e antikomunizmit. Ligji i parë i “lustracionit” u miratua në vitin 1993, të tjerë e pasuan atë.

Retorika antikomuniste shërbeu më shumë si një gjueti shtrigash në luftën për pushtet. Kjo çoi në një destabilizim të rrezikshëm të institucioneve shtetërore, aparati burokratik u ndryshua për arsye politike dhe u mbush me njerëz pa përvojë, por besnikë të partisë.

Korrupsioni, manipulimi i zgjedhjeve dhe përfundimisht rrëzimi i të ashtuquajturave skema piramidale, të cilat i kishin premtuar popullit shumim të jashtëzakonshëm të kursimeve të tyre, sollën zemërimin e verbër të popullit ndaj institucionet shtetërore.

Vazhdimësia e elitave

Trazirat e rënda të vitit 1997 e kthyen procesin e tranzicionit disa vite mbrapa. Ideja e përpunimit të të kaluarës ishte diskretituar rëndë nga interesat personale të Berishës, ndaj socialistët nuk e ndoqën këtë gjë derisa ishin në pushtet.

Me rikthimin e Berishës në pushtet në vitin 2005, ligjet e “lustracionit” u kthyen si një armë në betejën kundër opozitës. Në fund të vitit 2008, parlamenti miratoi një ligj “lustracioni”, të kritikuar ashpër jashtë vendit dhe të rrëzuar më vonë si antiligjor nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj hapte një gjueti shtrigash të motivuar ndaj të gjithë nëpunësve.

Në këtë mënyrë përpunimi i të kaluarës komuniste ishte bërë një çështje e politizuar, një mjet për betejën politike.

Përveç kësaj, Shqipëria është një vend i vogël dhe i ri, që nuk ka traditë intelektuale përpara periudhës së socializmit. Universiteti i parë në vend është themeluar në vitin 1957, Akademia e Shkencave në vitin 1972, Muzeu Kombëtar i Historisë në vitin 1981.

Në një vend që numëron rreth tre milionë banorë, elita është e vogël dhe në marrëdhënie shumë të ngushtë farefisnore e patronazhi.

Se sa e fortë është vazhdimësia e elitës komuniste, këtë e tregon shembulli i shefit të qeverisë, Sali Berisha, retorika antikomuniste e të cilit është në kontrast me të kaluarën e tij në nomenklaturë, si pjesë e ekipit të mjekëve të Enver Hoxhës.

Figura përfaqësuese e shqiptarëve në Perëndim, shkrimtari Ismail Kadare, nuk është një Vaclav Havel i Shqipërisë, por i ka lejuar vetes të monopolizohet nga regjimi. Problemi në Shqipëri është se elita e saj praktikisht është produkt i kohës së Hoxhës.

* Daniel Ursprung është bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Zyrihut. Botohet me shkurtime nga e përditshmja Neue Zürcher Zeitung